35 shkelje të rënda ligjore dhe 30 falsifikime përmban dosja "Partizani", për të cilën avokatët e liderit të opozitës, Sali Berisha, dhe Jamarbër Malltezit kërkuan pavlefshmërinë e të gjitha akteve.
Në seancën e sotme, avokatët kërkuan pushimin e kësaj çështjeje, duke listuar dhe dokumentuar falsifikimet nga organi i akuzës. Ndërsa gjykata u tërhoq për vendim mbi këtë kërkesë, pas seancës Jamarbër Malltezi e cilësoi procesin si politik, të orkestruar nga Edi Rama, në një drejtësi të kapur nga Rama dhe Soros, duke abuzuar me paratë e taksapaguesve amerikanë.
Këtë të hënë nisi procesi gjyqësor i dosjes “Partizani” në Gjykatën e Posaçme. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk mori pjesë në seancë dhe zgjodhi të përfaqësohej nga avokatët e tij. Ndërkohë, Jamarbër Malltezi ishte i pranishëm në sallë dhe kërkoi pavlefshmërinë e të gjithë procesit hetimor. Të njëjtën kërkesë paraqitën edhe avokatët e kryetarit të PD.
Sipas Malltezit, procesi përmban 35 shkelje të rënda ligjore dhe 30 falsifikime, të cilat e bëjnë hetimin të pavlefshëm. Regjistrimi pa emër i çështjes, kallëzimi i rremë nga Taulant Balla, si dhe vetë vendimet e Irena Gjokës e bëjnë këtë proces nul, u shpreh ai. Malltezi deklaroi se letrat zyrtare të shtetit shqiptar vërtetojnë se familjet pronare nuk janë shpronësuar nga italianët dhe kanë marrë të drejtën e tyre.
Pas përfundimit të seancës, Genc Gjokutaj, avokati i kreut të PD, Sali Berisha, deklaroi se ky proces nuk ka asnjë provë, asnjë fakt dhe nuk është i bazuar mbi asnjë praktikë procedurale.
Gjatë seancës, avokatët e Sali Berishës kërkuan pavlefshmëri absolute të marrjes së kryetarit të PD si i pandehur. Sipas tyre, ngritja e akuzës nuk është bërë në përputhje me ligjin dhe prokuroria ka tejkaluar kompetencat e saj, duke u bazuar në opinione. Ata theksuan gjithashtu se të gjitha vendimet në lidhje me çështjen janë marrë nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila, sipas tyre, ka pasur mandatin e përfunduar që në vitin 2016 dhe rezulton e dënuar dënim të cilin e ka fshehur duke i bërë aktet e saj të pavlefshme.
Vendimi mbi kërkesën e avokatëve mbrojtës pritet të jepet më 29 shtator, në orën 11:00, kur është caktuar edhe seanca e radhës.
© SYRI.net