Standardet e Ramës: gjyqtari fajtor pse kthen në punë punojësin e AMP, por bandat i caktojnë Drejtorin e Policisë, deputetë e ministra

Standardet e Ramës: gjyqtari fajtor pse kthen në punë punojësin e AMP, por bandat i caktojnë Drejtorin e Policisë, deputetë e ministra

14:55, 15/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Edi Rama sulmoi sot një tjetër gjyqtar, Boshku, duke e akuzuar se po “bëhet palë me ndërtimet pa leje”, pasi vendosi të rikthejë në detyrë një ish-drejtor rajonal të AMP-së të shkarkuar për abuzim.

Por me të njëjtën logjikë që përdor Rama, lind një pyetje e pashmangshme: nëse një gjyqtar që kthen një zyrtar në punë është “palë me ndërtimet pa leje”, atëherë si duhet quajtur vetë Rama kur bandat i kanë caktuar deputetët, ministrat dhe drejtuesit kryesorë të shtetit?

Rama është akuzuar nga media dhe opozita se Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ia kanë emëruar bandat. Se ka pasur mbështetje të drejtpërdrejtë nga grupe të inkriminuara.

Sipas logjikës së kryeministrit, në këtë rast a nuk del se është vetë Rama pala e drejtpërdrejtë me krimin?

Ky dyzim e nxjerr hapur hipokrizinë politike: kur bëhet fjalë për një gjyqtar, përdoret retorika e “Drejtësisë së Vjetër” dhe anatemohet vendimi i tij. Por kur bëhet fjalë për emërime të rëndësishme shtetërore të mbështetura nga bandat, atëherë ky realitet fshihet me dekorin e “rilindjes”.

Rama kërkon të gjykojë të tjerët me rregulla që vetë nuk i zbaton. Nëse gjyqtari Boshku paska bërë “keqbërje” për një vendim rikthimi në punë, atëherë çfarë emri duhet të mbajë Rama për pazaret politike e institucionale me botën e krimit?

Ka me dhjetra zyrtarë të shkarkuar nga detyra me vendime gjyqësore që Edi Rama i ka rikthyer ose i mbatur me forcë në punë pa pyetur fare për vendime gjyqësore.

Sulmi i Ramës ndaj gjyqtarit:

Një tjetër sport tradicional i gjykatësve pa flamur e pa atdhe të Drejtësisë së Vjetër, fatkeqësisht vazhdon të ushtrohet edhe nga gjykatës më të rinj, të cilët duhet të mbajnë lart flamurin e Drejtësisë së Re me pavarësinë, profesionalizmin e integritetin e tyre. 

Pa asnjë gajle fare,  gjykatësi Boshku, ka vendosur të kthejë fishek në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar, e për pasojë edhe të larguar nga detyra e të çuar në prokurori! 

Rasti është i ububushëm!

Si drejtues rajonal i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore - pra i trupës që ligji ngarkon për të kontrolluar veprimet dhe garantuar integritetin e Policisë së Shtetit - një birbo pa din e pa iman, jo vetëm kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil (i denoncuar nga njerëzit e zonës), po edhe kishte mashtruar me shkrim, duke pretenduar legalizimin e ndërtimit, me gënjeshtrën se ndërtimi ishte bërë në 2018-ën. 

Por fotot satelitore nxorrën bishtin e gjatë të gënjeshtrës, duke provuar se ndërtimi është bërë shumë kohë pas vitit 2020; vit që sipas ligjit është edhe viti i fundit për marrjen në shqyrtim të kërkesave për legalizim. 

Pra birboja kishte ndërtuar pa leje duke qenë edhe drejtor i një institucioni ligjzbatues, gjë që çoi në largimin e tij nga AMP-ja dhe dorëzimin e rastit të tij në Prokurorinë e Sarandës. 

Mirëpo, ka ligj ka edhe Maliq i thonë kësaj, sepse ndërkohë që shteti, përmes Policisë kërkon nga drejtësia në Sarandë ndëshkimin ligjor të birbos, drejtësia në Tiranë, përmes gjykatësit Boshku,  kërkon nga shteti të rimarrë birbon në krahët e vet. Madje ta përqafojë dhe ta ulë përsëri në karrigen e drejtorit! 

Çfarë të thuash!!! 

Ministria e Drejtësisë, do t’ia përcjellë keqbërjen e gjykatësit Boshku organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit (KLGJ - ILD), ndërsa me birbon uroj të merret seriozisht drejtësia. 

Por me këtë rast, dua t’u përcjell një mesazh të qartë edhe gjykatësve si ky Boshku, që pa parë fare dosjet, pa thirrur fare, hiç, shtetin si palë e dëmtuar, urdhërojnë kthimin në punë të të larguarve nga detyra për paudhësira, si puna ulëritëse e këtij ujkut me mëlçi në qafë të AMP-së së Vlorës; madje vendosin pa pikë turp si detyrime të shtetit, kaq e aq paga dëmshpërblim për tipa të tillë. 

Mesazhi im është ky: 

Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, e duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e lartpërmendura të vetëqeverisjes së gjyqësorit, po edhe në sytë e opinionit publik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco