Në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të shkollës 'Ҫarles Telford Erickson' sot në Kavajë u zhvillua një veprimtari përkujtimore, ku të pranishëm ishin përfaqësues të pushtetit vendor, ish-nxënës, mësues dhe qytetarë që ndajnë vlerat dhe traditën e këtij institucioni historik.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, shprehu mirënjohjen dhe krenarinë për këtë institucion që prej vitit 1925 ka kontribuar në arsimimin e brezave.
“Jam i nderuar që jam sot këtu, në këtë shkollë të mrekullueshme. Shkolla nisi më 1925 në Kavajë dhe çdo gjë e mirë nis këtu. Shumë gjëra të mira që kanë kontribuar për një Shqipëri më të mirë nisën në Kavajë.
Në emër të të gjithë qytetarëve, dua t’ju uroj sot mirëseardhjen. Kjo shkollë është një krenari për trevën e Kavajës dhe një gur i çmuar për arsimin. Ky vizion solli idenë e kësaj shkolle që s’do sillte vetëm profesionistë, por edhe njerëz që e duan Shqipërinë.
Këto kanë dhënë 100 vjet shërbim ndaj komunitetit, duke u shndërruar në njerëz në shërbim të shoqërisë”, u shpreh Qosja.
Ceremonia përkujtimore përfshiu aktivitete kulturore dhe historike, si dhe një ekspozitë fotografike që sjell rrugëtimin një shekullor të shkollës Erickson, e cila mbetet një prej simboleve të arsimit në vend.
Gjatë aktivitetit u zhvilluan edhe diskutime për historinë e shkollës, rolin e saj në formimin e brezave dhe ndikimin që ka pasur në zhvillimin e arsimit në Shqipëri.
Ish-nxënës, mësues dhe figura të njohura të komunitetit ndanë kujtime dhe rrëfime për eksperiencat e tyre, duke e bërë këtë ditë një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për vlerat e edukimit.
© SYRI.net