'Mungesa e gjyqtarëve po sjell kolaps në drejtësi' / Tarelli: gjyqet po zvarriten me vite, qytetarët presin pafund

09:56, 09/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nevzat Tarelli, Kryetar i Dhomës së Avokatisë së Rajonit të Juglindjes në Korçë, ishte i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, ku analizoi situatën e krijuar në sistemin e drejtësis pas reformave dhe procesit të vettingut.

Ai foli mbi mungesën e gjyqtarëve në gjykata, boshllëqet që janë krijuar prej largimeve dhe mënyrën si këto kanë ndikuar në zvarritjen e proceseve gjyqësore.

Sipas tij, shumë çështje janë futur në rrugën e zgjidhjes dhe janë pranë përfundimit, por transferimet e shpeshta të magjistratëve i kanë shtyrë edhe për një apo dy vite të tjera.

Tarelli theksoi se, në vend që të bëhej një menaxhim i kujdesshëm për të shmangur këto vonesa, lëvizjet e bëra pa një plan të qartë kanë sjellë pasoja të rënda për qytetarët.

Ai nënvizoi se më të ndjeshme janë çështjet civile, të cilat nuk kanë afate të përcaktuara për përfundim, çka bën që gjykatat t’i lënë pas dore për shkak se fokusi kryesor mbetet tek çështjet penale me persona të arrestuar.

“Në proceset penale, gjykatat janë më të kujdesshme që të mos tejkalohen afatet ligjore, për të mos ardhur në pasoja drastike si lirimi i personave nga paraburgimi,” tha ai, duke shtuar se, në rastin e çështjeve civile, kjo kujdes nuk ekziston dhe kjo po prodhon vonesa të mëdha.

Deklarata e tij:

"Unë jam i prirur të besoj variantin e parë, atë të gjetjes së zgjidhjes dhe mendoj se për shkak të prodhimit të magjistratëve nga shkolla e magjistraturës, këto vende vakante do të plotësohen shumë shpejt.

A ka pasur mundësi për të mos u krijuar këto boshllëqe? Në vlerësimin tim po, sepse këto lëvizje duhet të ishin bërë më të studiuara dhe më të llogaritura në kuptimin e plotë të fjalës e shumë gjëra do eliminoheshin rrugës në bazë të marrjes së masave të duhura në këtë kuptim.

Cilat do të ishin ato? Lëvizjet e shpeshta të magjistratëve për periudhë të shpejtë kohe 1 ose 2-vjeçare ku shumë procese kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes e janë gati në përfundim, në momentin që ai transferohet kjo çështje shqyrtohet dhe prodhon një kohë të dyfishtë apo të trefishtë të procesit gjyqësor.

Pa diskutim këto vende do të plotësohen, unë vazhdoj të kem një bindje të tillë ndryshe do futej më shumë në kolaps sistemi i drejtësisë dhe drejtësia do kalonte vite e vite pa u dhënë, qofshin këto civile apo penale.

Më të ndjeshme janë çështjet civile, kjo edhe për selektivitetin që bën gjykata pasi në çështjet penale kryesisht me personat e arrestuara gjykatat janë të prirura të realizojnë procese brenda afateve ligjore që të mos vijnë në pasoja drastike, që do të ishin lirimet e personave të arrestuar të pamerituar për shkak të zgjatjes së proceseve që çojnë në humbjen e afateve të paraburgimit.

Këtu gjyqtarët janë më të kujdesshëm dhe lënë gjithçka në mënyrë që kjo situatë të jetë minimaliste ose zero.

Krejt ndryshe është në proceset gjyqësore civile, të cilat nuk kanë një kohë të përcaktuar të caktë si kohëzgjatje e procesit gjyqësor dhe kjo sjell si pasojë në një farë mënyre lënien pas dore të tyre, pa llogaritur shkaqe të tjera".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco