Qeveria Rama shpenzon 9 herë më shumë për një të burgosur, sesa për një nxënës

Qeveria Rama shpenzon 9 herë më shumë për një të burgosur, sesa për një nxënës

17:25, 08/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga veriu në jug, çdo ditë nëpër klasa hyjnë mbi 345 mijë nxënës. Për secilin prej tyre shteti shpenzon vetëm 368 lekë në ditë për mësuesin, librat, mjetet mësimore, higjienën dhe gjithë administratën e shkollës. Shuma është aq modeste, saqë nuk arrin as nivelin e Kosovës, dhe është 8 herë më e ulët se në vendet e Bashkimit Europian.

Por në krahun tjetër të shifrave, panorama ndryshon rrënjësisht. Për një të burgosur, shteti shqiptar shpenzon 3,400 lekë në ditë. Për një të paraburgosur: 2,800 lekë. Në terma krahasues, kjo do të thotë se një person që ka thyer ligjin i kushton taksapaguesve shqiptarë 9 herë më shumë se një fëmijë që ndjek shkollën.

Ministria e Arsimit ka në dispozicion këtë vit 45.7 miliardë lekë për të mbuluar rreth 1,300 shkolla dhe gjimnaze në vend. Ndërkohë, buxheti i arsimit mbetet më pak se 2.4% e PBB-së – më i ulëti në rajon. Kosova arrin 4.6%, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut shpenzojnë shumë më tepër. Shqipëria është e fundit në listë.

Eksperti Qemal Çejku duke folur për A2CNN, ka paralajmëruar se pa rritje të buxhetit dhe pa reforma serioze në kurrikulë e trajnimin e mësuesve, Shqipëria nuk mund të pretendojë standarde europiane. Por paralajmërimet mbeten në letër, ndërsa klasat mbushen me nxënës që kanë gjithnjë e më pak mundësi të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre jashtë vendit.

‘Nëse duam që nxënësit tanë të konkurrojnë me bashkëmoshatarët në rajon dhe Europë, investimi duhet të fokusohet jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në trajnimin e mësuesve dhe përmirësimin e programeve mësimore. Pa një buxhet më të lartë dhe të menaxhuar mirë, do të jetë e vështirë të ngrihemi në nivelin e standardeve europiane’, thotë për A2 Qemal Çejku, ekspert i sistemit parauniversitar.

Pasojat janë të dukshme: emigracion masiv, veçanërisht nga zonat periferike, ku mungesat janë edhe më të theksuara. Familjet shqiptare e ndjejnë çdo ditë faturën e këtij mosinvestimi: fëmijë që nuk marrin mësim cilësor, shkolla që nuk ofrojnë kushte dinjitoze dhe mësues që punojnë në kushte të vështira.

Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të shpenzimeve për arsimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në rajon.... me më pak se 2.4 për qind. Kosova kryeson me 4.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndjekur nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco