Mediat e huaja kanë si titull kryesor skandalin e Mcgonigal dhe lidhjet e tij me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Media rumune jep detaje për implikimin e gjeneralit të shërbimeve sekrete rumune, Florian Coldea, që ka shërbyer si këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Ndërsa mediat amerikane vënë theksin të përfshirja në skandalin Mcgonigal edhe të vëllait të ish-presidentin Joe Biden dhe se si ky i fundi ka gënjyer kongresin amerikan.
Syri TV
Skandali McGonigal është rikthyer në qendër të mediave ndërkombëtare. Publikimi i raportit investigues nga Departamenti i Drejtësisë zbulon përmasat e thella dhe të mëdha të këtij skandali. Sipas medieve rumune, i implikuar është edhe gjenerali i shërbimeve sekrete rumune, Florian Coldea. Kujtojmë se ky i fundit ka shërbyer si këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Rasti nxjerr në pah mënyrën se si gjuetari më i rëndësishëm i spiunëve i Amerikës u bë një agjent i dyfishtë, duke tradhtuar njëkohësisht betimin e tij ndaj disa fuqive të huaja për pasurim personal, thuhet në një material të publikuar nga faqja e njohur amerikane e analizave dhe hetimeve The Narativ, e drejtuar nga gazetari me peshë Zev Shalev. Në periudhën 2016-2018, si agjent special përgjegjës për kundërspiunazhin në zyrën e FBI-së në Nju Jork, McGonigal nuk ishte thjesht i korruptuar – ai punonte në mënyrë aktive për armiqtë që duhej t’i kapte. Në 2017: Mcgonigal mori 225.000 dollarë nga një kontakt shqiptar, ndërkohë që zbulonte detaje të ndjeshme të hetimit për kompaninë kineze CEFC, për të mbrojtur interesat e Kinës. 2017-2018: Ndërtoi marrëdhënie me përfaqësues të oligarkut rus të sanksionuar, Oleg Deripaska. Personi A (me shumë gjasë Agron Neza) dhe Personi B (me shumë gjasë Dorian Duçka) shërbyen si kanalet e McGonigalit drejt operacioneve të inteligjencës së huaj, ndërkohë që lidhjet familjare të Duckës me udhëheqjen shqiptare i ofronin mbulesë shtesë diplomatike skemave. Problemi është se për McGonigal dhe Dorian Duçkën tashmë ekzistojnë informacione nga nivelet më të larta, siç ka pohuar ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, sipas të cilit ata kanë bashkëpunuar, nën kujdesin e kryeministrit aktual Edi Rama, me gjeneralin rezervist të shërbimeve sekrete rumune, Florian Coldea.
“Edi Rama, për pushtetin e tij, për interesat e tij, ia doli të korruptonte edhe shefin e kundërzbulimit të FBI-së për Nju Jorkun, McGonigal. Mes tyre qëndron Dorian Duçka, që është edhe këshilltar privat dhe ish-zëvendësministër i Edi Ramës. Duçka dhe Coldea formojnë një binom për aktivitetet e errëta të Ramës. Çfarë ka qenë me Duçkën e dimë më shumë, sepse ai ka qenë një njeri që ka punuar me McGonigalin, i dënuar tani nga gjykata e Uashingtonit për dosjen “shqiptare”, me rreth tre vjet burgim. Por se cili ka qenë kombinacioni i Duçkës me Coldea-n, kjo pritet të hetohet”, ka thënë Berisha në qershorin e vitit të kaluar, në një intervistë për Antena 3.
Gazeta e njohur ‘The Washington Free Beacon’ shkruan se në lojë është edhe vëllai i Joe Biden, James Biden. Ky i fundit udhëtoi drejt Hong Kongut pasi McGonigal e komprometoi hetimin për kompaninë kineze CEFC, duke rrjedhur informacion tek Dorian Duçka, të cilin gazeta e cilëson si një zyrtar shqiptar. Sipas raportit të departamentit të drejtesisë , Biden i kishte kërkuar shprehimisht hetuesit privat në nëntor 2017 të zbulojë nëse FBI kishte urdhra-arresti kundër Ho. Agjenti i tha Biden se nuk gjeti një urdhër-arresti kundër Ho, por paralajmëroi se urdhrat janë “të ndjeshëm” dhe nuk janë gjithmonë të dukshëm për hetuesit privatë. FBI kishte një urdhër-arrest kundër Ho dhe e arrestoi në Nju Jork më 16 nëntor 2017, për akuza se ai u kishte ofruar ryshfete zyrtarëve afrikanë për të drejtat e naftës në emër të CEFC. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me tre vjet burg. Raporti i Inspektorit të Përgjithshëm ngrit pyetje nëse Biden gënjeu Kongresin për përpjekjet e tij në favor të Ho, ndërsa tregon se administrata Biden mori informacion që vëllai i presidentit kërkonte informacion qeveritar konfidencial për të ndihmuar një partner kinez të korruptuar. Raporti i inspektorit të përgjithshëm fokusohet kryesisht në veprimet e Charles McGonigal, një ish-zyrtar i kundërzbulimit të FBI, i cili u dënua për marrje ryshfeti nga një zyrtar shqiptar i identifikuar si Dorian Duçka. McGonigal gjithashtu udhëhoqi hetimin e FBI-së mbi CEFC, sipas raportit të inspektorit. Gjatë hetimit, McGonigal i tregoi Duçkës, një këshilltar i CEFC, për hetimin e FBI dhe arrestimet e pritshme ndaj zyrtarëve të CEFC. McGonigal i dha këtë informacion Duçkës disa ditë para se familja Biden të udhëtonte në Hong Kong për të takuar Ho, sipas raportit.
© SYRI.net