Gazetari Elkier Bushkolaj ka komentuar takimin e kreut të SPAK, Altin Dumani, në Departamentin Amerikan të Shtetit, duke e cilësuar këtë zhvillim si një sinjal alarmi për Shqipërinë, në kontekstin e përfshirjes së grupeve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Në një intervistë në edisionin e lajmeve të mesditës në Syri TV, Bushkolaj tha se temë kryesore e takimit ka qenë çështja e karteleve të drogës, me një fokus të veçantë tek aktiviteti i grupeve shqiptare në Amerikën Latine, të cilat vitet e fundit janë përfshirë thellësisht në rrjete trafiku që lidhin kontinentin amerikan me Europën.
Ai paralajmëron se pas brutalitetit të vrasjeve mafioze që kanë tronditur qytete si Elbasani, Durrësi, Tirana apo Shkodra, Shqipëria po përballet me pasojat ekonomike të fuqizimit të grupeve kriminale përmes pastrimit të parave në ndërtim dhe turizëm, ndërsa popullsia vuan nga eksodi, varfëria dhe mungesa e të ardhurave reale.
Elkier Bushkolaj: Duhet të kemi parasysh që deklarimi i DASH për arsye të thirrjes së zotit Dumani në DASH dhe kryefjalë e takimit ishte çështja e karteleve të drogës, absolutisht që nuk është një lajm i mire për Shqipërinë. Ne paralajmëruan në fakt edhe një ditë më parë që kjo pritje të ishte një nga pikat kryesore të takimit dhe kjo lidhet me vëmendjen e shtuar që SHBA ka kohët e fundit karshi karteleve të drogës, veçanërisht në Amerikën Latine dhe posaçërisht në Venezuelë, ku para pak ditësh u godit edhe trafiku i lëndëve narkotike ku pati dhe 11 të vrarë.
Por fakt është që grupet shqiptare vitet e fundit kanë interferuar shumë në Amerikën Latine. Pra, ne i kemi lexuar edhe në dosjet e SPAK. Dhe çfarë ndodh?
Nëse nga 2019-2023 ne kemi parë vetëm anën brutale të fuqizimit të grupeve kriminale, pra vrasjet që përgjakën Elbasanin, Durrësin, Tiranën, Shkodrën, Lezhën që kishin pikërisht në themel ato konflikte për lëndët narkotike që vinte nga vendet latine.
Ne tani jemi përballë pasojave ekonomike përballë fuqizimit të këtyre grupeve kriminale dhe normalisht kjo ka tërhequr vëmendjen e SHBA, pasi janë miliarda leke të hedhura kryesisht në Shqipëri, në sektorin e ndërtimit dhe në turizëm, por duhet të kemi parasysh që janë miliarda lekë që nuk gjenerojnë të ardhura për shqiptarët. Kjo pasi, gjatë këtyre viteve ne kemi parë eksod, kemi parë rritje të krimit, kemi parë shpopullim, kemi parë varfëri ekstreme në mijëra familje shqiptare në pjesën më të madhe të vendit.
E vetmja gjë që sjell kjo është fuqizimi i kryeministrit.
© SYRI.net