Anatomia e Regjimit -  Autokracia e ‘butë’

Anatomia e Regjimit - Autokracia e ‘butë’

10:07, 07/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Andi Mustafaj

Edi Rama ka nxjerrë një mësim të madh nga zhvillimet e shoqërive botërore: sot nuk ka më nevojë të mbash njerëzit të nënshtruar me dhunë fizike. Tanket, burgjet politike apo kampet e përqendrimit janë armë të vjetra që zgjojnë revoltë. Autokracia moderne është e butë. Ajo nuk e shkel njeriun me çizme, por ia mpin instinktin e lirisë derisa ai të mos e ndiejë se është rob. Në Shqipëri, kjo “autokraci e butë” është ndërtuar me kujdes përmes shumë elementëve të kombinuar.

Ndjenja e lirisë është fiktive

Mund të shash qeverinë, të lëvizësh lirisht në rrugë, të gjesh punë në privat dhe të ndihesh i lirë. Por aty ku liria duhet të shërbejë për të formësuar vendimet politike dhe për të ndikuar jetën e njerëzve (në parlament, në procesin ligjvënës, në vendimmarrjen publike) ajo nuk ekziston.

Parlamenti është shndërruar në një sallë dekorative. Asnjë amendament i opozitës nuk është miratuar në 12 vite, asnjë ide e saj nuk është pranuar. Një njeri vendos, të tjerët zbatojnë. Në letër, ka liri; në realitet, vendimmarrja është e centralizuar dhe e paprekshme.

Kontrolli i padukshëm: mekanizmat e lashtësisë në shekullin XXI

Rama ka ripërdorur me mjeshtëri teknika të lashta të pushtetit, por të përshtatura për kohën tonë: madhështi godinash dhe argëtim turmash. Në antikitet, qytetet dhe perandoritë shfaqnin madhështinë e tyre përmes godinave monumentale (tempujt, amfiteatrot, kolonadat) jo vetëm si shenjë fuqie, por si mjet për të imponuar nënshtrim psikologjik. Në mesjetë, kisha ishte ndërtesa më e lartë e çdo fshati, një kujtesë e përditshme e autoritetit që vinte nga lart.

Sot, në Shqipëri, kjo logjikë është transplantuar në formën e pallateve gjigante dhe hapësirave publike të kontrolluara. Në Tiranë, sheshi “Skënderbej”, epiqendra e shfaqjes së pushtetit, çdo vit kthehet në skenë feste për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Një shesh i vogël, i rrethuar nga godinat e larta, ku njerëzit mblidhen të argëtohen pa kuptuar dramën që luhet rreth tyre: një pushtet që projekton madhështi mbi trupin e qytetit, duke depërtuar deri në subkoshiencën e banorëve të tij.

Nuk është rastësi që vetë Rama ka pranuar se zgjedh personalisht arkitektët, vizaton format e pallateve dhe shton numrin e tyre. Kjo nuk është urbanistikë neutrale, është një gjuhë pushteti, një dhunë estetike që shënjon hapësirën dhe imponon hierarki.

Më pas rreth kësaj hierarkie të imponuar, konsolidohet edhe pushteti financiar. Sa më afër pushtetit aq më shumë vende në hapësirat apo në ndërtimin e këtyre godinave të cilat në vazhdim do gjenerojnë të ardhura që do përthithen dhe përdoren nga pushteti në formën e një rrethi vicioz.

Mesazhi i nënshtrimit: unë nuk humbas

Një tjetër mekanizëm kyç i kësaj autokracie është mënyra se si Rama menaxhon krizën politike pas skandaleve të bashkiakëve të tij. Pa përjashtim, 100% të rasteve, kur një kryetar bashkie ka rënë nga pushteti për shkak të skandaleve (nga përdorimi i drogës, te dënimet për krime të rënda, korrupsion dhe shpërdorim detyre), zgjedhjet e pjesshme janë fituar nga Rama me diferencë më të madhe se më parë.

Ky nuk është thjesht rezultat elektoral; është një mesazh psikologjik i kalibruar: “Unë nuk humbas. Edhe kur rrëzohet një nga të mitë, unë dal më i fortë.” Është një formë trysnie e drejtpërdrejtë mbi mendjen e qytetarit: nëse as skandalet më të mëdha nuk e dëmtojnë pushtetin, atëherë çdo përpjekje për ta ndryshuar duket e kotë.

Në logjikë të shëndoshë, këto raste duhet të çonin në ndëshkim politik. Por autokracia e butë nuk ia lejon vetes luksin e humbjes, sepse humbja do të ringjallte shpresën dhe kjo është ndjenja që ajo kërkon ta mbysë me çdo kusht.

Dhuna institucionale: vula që legjitimon gjithçka

Në një autokraci të butë, nuk ka nevojë për dhunë fizike të përhapur. Mjafton pesha e vulës, e legjitimitetit formal: vendimi i nënshkruar, ligji i personalizuar, vula që mbulon çdo padrejtësi. Ky lloj kontrolli është më i rrezikshëm sepse ka pamjen e ligjshmërisë. Një herë e instaluar, ai krijon idenë se gjithçka është e rregullt, edhe kur është krejtësisht e padrejtë.

Në një sistem demokratik, i takon pushtetit që përdor forcën e vulës të provojë ligjshmërinë e veprimeve të veta, i takon ministrave të mbrojnë legjitimitetin e veprimtarisë së tyre. Ndërkohë në Shqipëri, nën regjimin e autokracisë së butë, kjo barrë nuk bie mbi qeverinë. Ajo thjesht vepron dhe me peshën e vulës që mbart veprimi i tyre, imponon një legjitimitet gati të pakundërshtueshëm. Thënë thjesht, mjafton që një vendim të ketë firmë dhe vulë, që në hapësirën publike ai të jetë i drejtë.

Është një peshë shtesë që bie mbi opozitën ku rasti më flagrant ka qenë mbajtja peng e Partisë Demokratike nga një pakicë ndihmuar nga Regjimi duke gjymtuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë demokracinë Shqiptare.

Autokracia e butë është më e qëndrueshme se diktaturat e vjetra sepse nuk zgjon instinktin e revoltës. Ajo krijon një realitet ku njerëzit ndihen të lirë në sipërfaqe, por janë të paralizuar në thelb. Në këtë realitet, qytetari nuk ndalet para një muri të dukshëm shtypjeje, ai endet në një labirint të padukshëm ku rrugët e daljes janë të pikturuara në mur, por nuk të çojnë askund.

Diktatura të shtyp me grusht, autokracia e butë të përqafon derisa të mos e ndjesh se po të mbyt.

Në diktaturë, frika është e hapur, e prekshme, e përditshme ndërsa në autokracinë e butë, frika është e heshtur, e padukshme, e futur thellë në nënvetëdijen tënde.

Në diktaturë, ti e di se nuk je i lirë; në autokracinë e butë, ti mendon se je i lirë derisa një ditë kupton se liria jote nuk ndryshon asgjë. Diktatura ka muret e saj të larta; autokracia e butë ka rrugët e hapura, por me tabela të rreme që të kthejnë gjithmonë në të njëjtin vend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco