Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar për inaugurimin e rrugës Qukës–Qafë Plloçë, duke e cilësuar si një projekt simbol të korrupsionit dhe zvarritjes.
Berisha shkruan në reagimin e tij, se kjo rrugë duhej të inaugurohej në vitin 2014, por projekti i Ramës ‘vidh e vidh nuk ka të sosur’, e solli që ajo të inaugurohet 11 vite më pas.
Në deklaratën e publikuar në Facebook, kryedemokrati Sali Berisha shkruan:
‘Të dashur miq, sot me dajre dhe gajde u inaugurua 16 vite pas inaugurimit të fillimit të punimeve rruga prej 43 km Qukës-Qafë-Ploçë. Kjo rrugë, ndërtimi i të cilës zgjati 16 vite si asnjë rrugë tjetër, është gjithashtu vepra publike në të cilën u vodhën në rreth 180 milionë euro. Rruga ndjek deri diku në trajektoren e saj gjurmën e rrugës së lashtë ‘Egnatia’ dhe shkurton distancën Korçë-Tiranë dhe urbanizon krahinën e Mokrës. Ndërtimi i saj filloi më 26 qershor të vitit 2009. Ajo u prokurua për shumën 73 milionë euro, financim i Bankës ‘Islamike’ për ndërtimin e saj në të gjithë gjatësinë, përfshirë tunelin në Qafë-Ploçë dhe përfundimin e saj brenda vitit 2014.’
Më tej, lideri i opozitës, Sali Berisha shpjegon se pas zgjedhjeve të vitit 2013, qeveria Rama kërkoi anulimin e financimit nga Banka Islamike:
‘Pas fillimit të punimeve dhe përfundimit të 12 km të para dhe pas zgjedhjeve të 2013, Edi Rama kërkoi bankës të anulonte financimin e projektit, mbasi sipas tij nuk nevojitej dhe fondin ta përdorte për qëllime të tjera. Banka ‘Islamike’, e cila kishte shqyrtuar projektin dhe miratuar atë dhe supervizorin e tij, iu përgjigj se qeveria shqiptare mund të anulojë kredinë, kurse banka nuk mund ta ndryshojë destinacionin e saj për qëllime të tjera. Pas kësaj, Ramaduro ndryshoi projektin dhe nisi seriali ‘vidh e vidh nuk ka të sosur’.’
Sipas tij, me ndryshimin e projektit nga qeveria Rama, ndërtimi mori përmasa absurde:
‘Me projektin e Ramaduros, si kurrë ndonjëherë, segmentet e rrugës dy vitet e fundit nuk bashkoheshin njëri me tjetrin në dy raste, sepse nuk ndiqnin të njëjtën trajektore. Kështu, çmimi për ndërtimin e rrugës nga 73 milionë euro për 43 km përfundoi në mbi katërfishim, apo në 260 milionë euro. Por po të kemi parasysh mbi trefishimin e kohës së ndërtimit, çmimi real i saj në raport me kthimin e investimit shkon më së paku edhe tre herë më i lartë.’
Në fund të reagimit, Berisha ironizon edhe ceremoninë e inaugurimit:
‘Në inaugurim, Lubia e ekzaltuar këndonte nënse: ‘Bjeri gajdes gajdexhi, gajdexhi të lumtë goja se ne mbushëm xhepat tona. O Eeeeeeee Gajdexhiiiiiii!’’
© SYRI.net