Pastori Akil Pano, kreu i Koalicionit Pro Familjes, denoncoi sot se plani strategjik social i Bashkisë Tiranë për vitin 2025–2027 nuk mbështet shtresat më të rrezikuara të shoqërisë.
Ai theksoi se fëmijët me një prind, fëmijët pa prind, individët me aftësi të ndryshme, paraplegjikët, tetraplegjikët, pensionistët dhe të moshuarit mbeten tërësisht jashtë vëmendjes së këtij plani.
Në një intervistë për KAFE SHQETO në Syri TV, Pano e quajti situatën “trishtim” dhe denoncoi vijimin e Bashkisë së Tiranës me një “agjendë transgjinore” që promovon ide të huaja dhe kundër kulturës tradicionale shqiptare. Ai kujtoi se disa vite më parë, në Liqenin Artificial të Tiranës, u organizua një shfaqje e turpshme e organeve gjenitale të transgjinorëve, e shfaqur para prindërve dhe familjarëve.
Pano kujtoi gjithashtu një “martesë” të 2 lesbikeve në taracën e Bashkisë, si dhe shpërndarjen e formularëve në kopshtet e Tiranës që zhdukën nocionet e babait dhe nënës, duke i zëvendësuar me “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Këto formularë u bënë publike në shumë media, duke dëshmuar përfshirjen e institucioneve lokale në promovimin e ideve të papërshtatshme për fëmijët.
Sipas tij, Bashkia Tiranë vijon me rigorozitet “planin e genderizimit për fëmijët” të ndërtuar nga SHBA në kohën e Biden.
Pano u shpreh i shqetësuar për përdorimin e termit “fëmijë LGBT” në plan, duke theksuar se fëmijët nuk mund të stereotipizohen si objekte seksi. “Fëmijët duhet të shijojnë dhe të jetojnë fëmijërinë e tyre”, tha Pano, duke kërkuar heqjen e këtij termi.
Ai shtoi se Bashkia Tiranë po angazhohet në dy fushata masive vjetore për të promovuar propagandën gay në kopshte dhe shkolla, duke përfshirë të gjithë sistemin parauniversitar të edukimit. “Çfarë pune ka bashkia që të fusë në agjendën e saj avancimin e kësaj ideologjie?”, pyeti ai retorikisht.
Pano:
Është trishtim për ne të evidentojmë faktin që bashkia e Tiranës vijon me të njëjtën agjendë, agjendën e transgjinorizmit. Ju kujtoj që para vitesh te Liqeni Artificial i Tiranës patëm një shfaqje të turpshme të organeve gjenitale të transgjinorëve, të cilat u shpalosen përpara prindërve dhe familjarëve të Tiranës.
Patëm një fare të ashtuquajture martese të 2 lesbikeve në taracën e bashkisë së Tiranës, kemi pasur në të kaluarën afër para pak vitesh historinë e formularëve që janë shpërndarë në kopshtet e Tiranës duke i fshirë nocionet e dashura babë, nënë, duke i zëvendësuar ato me Prindi 1 dhe Prindi 2, dhe ato u bënë publike në shumë media.
Megjithëse bota tashmë nuk është më ajo që ishim mësuar ta njihnim, kur i referohem fjalës botë kam parasysh SHBA-në në këtë rast, një botë wokiste, një botë tejet liberale e majtë, një botë e cila impononte një kundërkulturë në një vend me kulturë tradicionale si vendi ynë. Fatkeqësisht, bashkia e Tiranës vijon të ndjekë me rigorozitet të njëjtin plan genderizimi për fëmijët.
Ne u shqetësuam shumë që tek ky plan masash, tek ky plan strategjik, kemi gjetur termin fëmijë LGBT.
Ndër të tjerash, jemi shumë të sigurt që fëmijët LGBT nuk ekzistojnë. Nuk ka fëmijë lezbike, fëmijë gay, fëmijë biseksualë.
Termi fëmijë LGBT brenda këtij plani i sheh fëmijët si objekte seksi, i stereotipizon ato, i vendos brenda një suaze ku këta fëmijë tashmë janë bërë një target-grup i këtyre agjendave; ndaj gjëja e parë që ne kemi kërkuar është që të hiqet termi fëmijë LGBT, pasi fëmijët janë fëmijë, fëmijët duhet të shijojnë dhe të jetojnë fëmijërinë e tyre.
Një nga problemet e tjera që kemi tek ky plan strategjik është që bashkia Tiranë në mënyrë të drejtëpërdrejtë përmes planit do të angazhohet në 2 fushata masive vjetore për të bërë propagandën gay në kopshte e shkolla, pra në gjithë sistemin e edukimit parauniversitar. Çfarë pune ka bashkia që të fusë në agjendën e saj, të bëjë avancimin e agjendës wok?
© SYRI.net