SYRI TV/ Emri i Mcgonigal përndjek Edi Ramën, Departamenti I Drejtësisë në SHBA hetim

22:46, 04/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar raportin e një hetimi administrativ, ku një pjesë të rëndësishme zënë lidhjet e Charles McGonigal me kryeministrin Edi Rama dhe persona të tjerë pranë shefit të qeverisë shqiptare.

Raporti konfirmon se McGonigal, gjatë kohës që ishte në detyrë, ka marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga një biznesmen shqiptar me lidhje të ngushta me qeverinë. Përveç kësaj, ai ka zhvilluar takime të fshehta në Tiranë dhe Nju Jork, si dhe ka pasur dy darka private me kryeministrin Edi Rama.

Raporti e përshkruan këtë marrëdhënie si pjesë të një skeme më të gjerë korrupsioni dhe ndikimi të paligjshëm, që përfshin edhe kompani kineze dhe oligarkë rusë.

Emri i ish-drejtuesit të FBI-së, Charles McGonigal, vijon të përndjekë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar raportin e një hetimi administrativ të kryer nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, ku sërish një pjesë të rëndësishme zënë lidhjet e McGonigal me kryeministrin shqiptar dhe persona të tjerë pranë tij.

Sipas dokumentit, McGonigal ka zhvilluar takime të fshehta në Tiranë dhe Nju Jork me individë që përshkruhen si “ish-zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare”, dhe ka pasur dy darka private me kryeministrin Rama gjatë vizitave të tij në Shqipëri.

Gjatë një udhëtimi në shtator të vitit 2017, "Personi B" organizoi një darkë private mes McGonigal dhe kryeministrit shqiptar. Ai u takua sërish me Ramën dy muaj më vonë, gjatë një tjetër vizite në Shqipëri. Më 9 shtator 2017, McGonigal i dërgoi një mikut të tij një fotografi me kryeministrin, ndërsa një mikut tjetër i tha se “Rama po reformonte drejtësinë në Shqipëri” dhe se kjo paraqiste “shumë mundësi”.

Raporti konfirmon gjithashtu se, gjatë kohës që ishte në detyrë, McGonigal mori 225 mijë dollarë para në dorë nga një shtetas shqiptar i identifikuar si “Personi A” në aktakuzë, i cili kishte lidhje me qeverinë shqiptare.

Një juri e madhe ngriti akuza ndaj McGonigal për mosdeklarimin e marrjes së këtyre parave, si dhe për raportim të rremë të udhëtimeve dhe kontakteve të tij jashtë vendit.

Aktakuza përfshin edhe fshehjen e takimeve me bashkëpunëtorin e biznesit të “Personit A”, të identifikuar si “Personi B” – një ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare dhe punonjës i një konglomerati kinez energjetik.

Në raport përmendet gjithashtu një tjetër ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare, i cili shërbente si këshilltar jozyrtar i kryeministrit Rama, ndërkohë që ishte i punësuar nga një kompani energjetike kineze.

Fjala është për Dorian Duçkën, i cili luajti rolin e ndërmjetësit kryesor mes McGonigal dhe autoriteteve në Tiranë. Raporti thekson se ky kombinim i lidhjeve politike dhe interesave të biznesit ndërkombëtar rrit rrezikun e ndikimit të huaj në zyrtarët amerikanë të sigurisë.

Gjithashtu, raporti nënvizon se McGonigal ka përdorur pozitat e tij për të favorizuar marrëdhënie biznesi në Shqipëri, duke e parë vendin si një mundësi për përfitim personal pas daljes në pension nga FBI.

Ai nuk raportoi asnjëherë udhëtimet dhe takimet me zyrtarë të huaj, si dhe nuk deklaroi lidhjet me biznesmenë shqiptarë – një shkelje e rëndë e rregullave të FBI-së dhe ligjeve federale të Shteteve të Bashkuara.

Pas kthimit nga udhëtimet e tij, McGonigal dorëzoi dokumente zyrtare ku nuk përmendte që kishte qenë në Shqipëri, nuk deklaronte takimet me kryeministrin Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë, si dhe nuk përfshinte faktin që disa shpenzime ishin mbuluar nga palë të treta.

Raporti konkludon se këto veprime përbëjnë një shkelje flagrante të rregullave të FBI-së dhe ligjit federal amerikan, pasi çdo kontakt me përfaqësues të huaj kërkon transparencë dhe raportim të detajuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco