Të ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE”, ambasadori Agim Nesho dhe gazetarja Jonida Shehu u përplasë ashpër mbi ndikimin e SHBA në drejtësinë shqiptare dhe marrëdhëniet aktuale mes administratës amerikane dhe qeverisë së Edi Ramës, pas publikimit nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë të një pjese kyçe të dosjes McGonigal një material që ka ngjallur debat të fortë në opinionin publik dhe politik.
Në qendër të debatit ishin çështje që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin real të drejtësisë shqiptare, pavarësinë e SPAK, dhe qëndrimin e administratës Biden ndaj Tiranës zyrtare.
Gazetarja Jonida Shehu theksoi se publikimi i pjesës së hetimit nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë është një sinjal i fortë, por që mbetet e paqartë se kujt i drejtohet: “Sot jemi përpara faktit që Departamenti i Drejtësë Amerikane ka publikuar një esencë të hetimit. Por për kë është ky mesazh? Për Dumanin, për Ramën, apo për Dumanin që t’i shkojë Ramës? Ne duam të dimë raportin që ka qeveria amerikane me drejtësinë në Shqipëri. A është SPAK i pavarur siç thotë Dumani, apo ndikohet nga faktorë të jashtëm e të brendshëm?”
Sipas saj, duhet analizuar edhe mungesa e reagimit të Ambasadës Amerikane në raste të rëndësishme si hetimi ndaj Erion Veliajt: “Duhet parë se si veproi SPAK me Veliajn kur Ambasada Amerikane nuk ishte prezente. Po ashtu, çfarë roli ka kjo ambasadë në zhvillimet politike, qoftë edhe në zgjedhje?”
Ambasadori Agim Nesho, nga ana tjetër, foli për një ftohje të dukshme mes administratës Trump dhe Shqipërisë dhe solli në kujtesë një deklaratë të rëndësishme të Escobar: “Administrata amerikane më parë, kur erdhi Escobar, tha: ‘Ne e bëmë punën tonë, e shpallëm non grata, ju hetojeni’. A nuk ishte ky një mesazh? Ky ishte presion direkt ndaj Dumanit. Ne jemi vasalë, kjo është e qartë.”
Shehu e pranoi pjesërisht këtë interpretim, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e ndërhyrjes: “Pse duhet ta bëjë Amerika presionin indirekt ndaj Dumanit? A jemi kaq të rëndësishëm sa ta detyrojmë administratën të gjejë një mënyrë 'elegante' për ta bërë?”
Debati kulmoi me deklaratën e fortë të Neshos, i cili akuzoi administratën e mëparshme amerikane për tolerim ndaj kapjes së drejtësisë nga Rama:“Rama ta ka thënë vetë: ‘Këtë drejtësi e kam bërë vetë, është prona ime’. Administrata e kaluar i mbylli sytë dhe ia dorëzoi Ballkanin Alex Sorosit. Prandaj dilte Sorosi jo vetëm me kryetarë shtetesh, por edhe si përfaqësues i Shqipërisë.”
© SYRI.net