'Qytetarë të protestojnë', Pano: Rama po ndërton një diktaturë me hapa të ngadaltë, si Vuçiç në Serbi

17:24, 04/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një intervistë për Syri TV me moderatorin Edvin Parruca, anëtari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jonathan Pano, komentoi me tone të forta kritike mënyrën se si kryeministri Edi Rama ka administruar pushtetin që prej vitit 2013, duke e krahasuar me modelin autoritar të Aleksandër Vuçiçit në Serbi.

Pano ngriti shqetësime për reformat territoriale, rritjen e tarifave të ujit dhe projektin e shumëpërfolur për furnizimin 24 orë me ujë në Tiranë, të cilin e cilësoi si një premtim të pambajtur e të përsëritur në çdo fushatë elektorale.

Ai theksoi se pas çdo mase dhe reforme qëndron një qëllim i vetëm: përqendrimi i pushtetit dhe kontrollit absolut nga ana e Ramës.

Pjesë nga deklarata:

Ka një paradoks, sepse Rama ka qenë vetë në pushtet që nga viti 2013, dhe kur sheh reformat e ndërmarra deri tani, ato nuk kanë as sens dhe as logjikë të qartë. Duket e njëjta dorë si ajo e Vuçiçit në Serbi, i cili, edhe pse prej dekadash në pushtet, bën sikur është në luftë me korrupsionin dhe oligarkët, ndonëse e gjithë struktura është në duart e tij dhe nën kontrollin e pushtetit të tij. E njëjta gjë po ndodh edhe me Ramën.

Reforma territoriale nisi me ndarjen e bashkive, minibashkive dhe komunave. Më pas, në reformën e vitit 2022, nga mbi 50 ndërmarrje publike u krijuan vetëm 15, me qëllim që shteti të kishte kontroll më të centralizuar. Në vitin 2017, Bashkia e Tiranës rriti tarifën e ujit me 44%, me pretekstin se kjo rritje do të sillte fonde për investime të reja.

Vetëm vitin e kaluar u miratua një kredi prej 80 milionë eurosh. Edhe pse fondet mblidhen nga qytetarët, sërish u mor një tjetër kredi, ku Bashkia e Tiranës doli garant, me qëllimin për të siguruar furnizim me ujë 24 orë. Premtimi për “ujë 24 orë” është kthyer në një telenovelë indiane – në çdo zgjedhje, PS premton të njëjtën gjë, sikur është një fakt i sigurt.

Rama po “i mat pulsin” qytetarëve në Tiranë dhe në gjithë vendin. U bë terror me hapësirat publike – edhe kur qytetarët kishin leje ndërtimi, u shkuan fadromat. Nga ana tjetër, vazhdon përsëri me çështjen e ujit. Ky lloj terrori dhe këto lloj “reformash” realizohen në 1-2 vitet e para; dhe kur Rama sheh se qytetarët nuk reagojnë, ai vazhdon si gjithmonë.

Qytetarët duhet të reagojnë, të protestojnë për të drejtat e tyre.

Tani po diskutohet për prishjen e depozitave të ujit nëpër banesa, ndërkohë që akoma nuk ka furnizim 24 orë me ujë. Cili është ai ent rregullator që do të mbajë përgjegjësi për këtë premtim?

Heqja e depozitave ka për qëllim kontrollin – dhe këtë Rama e ka treguar që në fillim, me energjinë elektrike: arrestoi qytetarë, dhe disa të tjerë përfunduan pothuajse në vetëvrasje ngaqë nuk kishin mundësi të paguanin.

Kjo është mënyra se si vendoset një diktaturë: pushteti merret pak nga pak, derisa kontrolli të jetë i plotë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco