SYRI TV/ Drejtori i tenderave të Tërmetit, kundër Ramës! Lorenc Bami refuzon dorëheqjen si drejtor

15:51, 04/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Lorenc Bami, krahu i djathtë i Tërmet Peçit në Bashkinë e Tepelenës, i dyshuar për ngritjen e një skeme 5D në këtë bashki, ka ngritur krye ndaj Kryeministrit Edi Rama. Syri TV mësoi se Lorenc Bami ka refuzuar të zbatojë urdhrin e Edi Ramës, duke mos dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të planifikimit në bashkinë Tepelenë. Pas refuzimit ka ndërhyrë kryetarja e komanduar e bashkisë Julinda Karteri, e cila ka shkarkuar nga detyra Lorenc Bamin. Ky i fundit, së bashku me Tërmet Peçin u denoncuan nga emisioni Plug në Syri Tv, pasi dyshohet se kanë krijuar një skemë 5D në bashkinë e Tepelenës, duke përfituar 67 milionë euro tendera publik dhe fonde nga program IPARD.

Syri TV

Drejtori i Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Lorenc Bami, i njohur edhe si drejtori i tenderave të ish-kryebashkiakut të Tepelenës Tërmet Peçi, ka ngritur krye ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke refuzuar të japë dorëheqjen nga posti që mban në këtë bashki. Burime nga bashkia Tepelenë bëjnë me dije se Lorenc Bamit  i është kërkuar dorëheqja, por ai ka refuzuar të lërë detyrën. Për këtë arsye, kryetarja e komanduar në Bashkinë e Tepelenës, Julinda Karteri ka vendosur të shkarkojë drejtorin e tenderave të Tërmet Peçit. Vendimi për shkarkimin e Lorenc Bamit është marrë disa ditë më parë, ndërsa është bërë publik vetëm këtë të enjte.

Lorenc Bami, së bashku me ish-shefin e tij kryetar bashkie, tashmë i zgjedhur deputet, Tërmet Peçi, dyshohet se kanë ngritur një skemë korruptive në bashkinë e Tepelenës. Bashkëshortja e Lorenc Bamit, kishte themeluar një kompani ndërtimi, e cila dyshohet se ka marrë plotë 67 milionë euro tendera, shumë prej të cilëve në bashkinë e Tepelenës, të firmosur nga bashkëshorti i saj drejtor në bashkinë e Tepelenës. Kompanitë e Aleksandra Bamit, gjithashtu u përdorën edhe për të përfituar grante nga IPARD për ndërtimin e një thertoreje, ndërsa pas gjithë kësaj afere dyshohet se fshihen interesat financiarë të ish-kryebashkiakut të Tepelenës Tërmet Peçi.

Pas denoncimit në emisionin Plug, Partia Demokratike ka bërë kallëzim në SPAK. Pak javë më parë, agjentët e BKH-s kanë kryer kontrolle në bashkinë e Tepelenës, duke sekuestruar dokumente për procedura prokurimesh dhe të dhëna të tjera me interes për hetimin, që po zhvillohet ndaj ish-kryebashkiakut Tërmet Peçi dhe vartësit të tij Lorenc Bami.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco