Një tjetër skandal tronditi tregun shqiptar të ushqimeve, ndërsa qeveria dhe Ministria e Bujqësisë zgjedhin të mbyllin sytë.
Ekspertja e sigurisë ushqimore, Ana Vuksani, në një intervistë për Syri TV, ka ngritur alarmin për praninë e metaleve të rënda në pjeshkë, të zbuluara nga autoritetet kroate, ndërkohë që autoritetet shqiptare nuk kanë marrë asnjë masë.
Sipas saj, Kroacia i ka bllokuar dhe asgjësuar ngarkesat e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve të vet, por në Shqipëri, të njëjtat pjeshkë të kontaminuara janë shitur lirisht në treg pa asnjë kontroll. Vuksani thekson se AKU është bërë pothuajse inekzistent dhe nuk ka dhënë asnjë njoftim se çfarë është bërë me ngarkesat e bllokuara në dhjetor dhe nëntor të vitit të kaluar.
“Problemi është se pjeshkët i kemi konsumuar ne dhe fëmijët tanë, ndërkohë që Ministria e Bujqësisë hesht. Kroacia mbrojti konsumatorët e vet, ndërsa qeveria shqiptare la qytetarët e saj të ekspozuar ndaj rrezikut,” – u shpreh ekspertja, duke shtuar se shërbimi këshillimor për fermerët është zhdukur, dhe asnjë produkt nuk certifikohet më si duhet para se të dalë në treg.
Ky skandal i rëndë tregon qartë papërgjegjshmërinë e qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, që nuk informuan publikun dhe nuk morën masa parandaluese. Ndërsa fermerët dhe eksportet shqiptare rrezikohen të komprometohen në tregjet ndërkombëtare, qytetarët në vend mbeten viktimat e një sistemi të dështuar kontrolli ushqimor.
Vuksani:
Po ndodh gjëja e zakonshme që ne jemi mësuar të dëgjojmë aktualisht, të paktën në harkun kohor të një viti e gjysmë, kishim mandarinat, specin dhe plot produkte të tjera të cilat vazhdojnë të kapen nga shteti kroat.
Pse vijnë më shumë ngarkesa nga shteti kroat? Kjo ndodh për faktin se shtetet e BE, siç është dhe Kroacia, në momentin që një ngarkesë shfaq një rrezik potencial për konsumatorin kroat, bllokohet menjëherë. Përveç se bllokohet, kthehet në vendin e origjinës ose asgjësohet në Kroaci, problem është se të gjitha ngarkesat që do të vijnë nga ky vend që origjinojnë produkte me risk, do të kontrollohen me më rigorozitet dhe do të merren me shumë analiza.
Ne edhe sot e kësaj dite nuk kemi asnjë njoftim se ç’u bë me 4 ngarkesat e dhjetorit dhe nëntorit të vitit të kaluar, të paktën janë asgjësuar në Kroaci. Problem është që kjo do të sjellë problemin e komprometimit të eksporteve shqiptare.
Unë si eksperte dhe si qytetare më shqetëson edhe fati i këtyre eksporteve sepse është një e ardhur shumë e madhe për GDP tonë, për fermerët, për bujqësinë, por më shqetësues është fakti që vërtet u gjendën në Kroaci, dhe Kroacia mori masa për të mbrojtur konsumatorin e vet, po pjeshkët që ne kemi ngrënë në treg gjatë gjithë kohës, dhe për të qenë të sinqertë, pjeshkët janë frut i preferuar edhe për fëmijët, dhe unë si nënë fëmijësh jam shumë më e mërzitur për pjesën e produkteve të pjeshkës që janë shitur në Shqipëri, që nuk kanë pasur asnjë lloj kontrolli dhe unë nuk e di nëse këto produkte kanë rezultuar me të njëjtën gjë. Sepse për hir të së vërtetës aktualisht dhe për një periudhë të mirë kohe, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), është pothuajse inekzistent.
Duhet edhe njëherë që të ndërgjegjësohemi, se ne jemi të prirur të gjithë të themi e ka fajin fermeri. Në qoftë se nuk e ndërgjegjësojmë, dhe ta këshillojmë fermerin… Por aktualisht shërbimi këshillimor është inekzistent, dhe sot ne nuk kemi produktin që del nga ferma në treg, qoftë për eksporte, qoftë për tregun e brendshëm që të jetë i certifikuar nga një agronom.
Ministria e Bujqësisë duhet të dilte dhe të thoshte që po, ka një problem me pjeshkët me metalet e rënda, ne po marrim këto masa që të minimizohet rreziku nëse ka më për t’u shpërndarë, apo për të parandaluar rrezikun e produkteve të tjera.
© SYRI.net