Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, nëpërmjet një statusi të bërë në FB, ka reaguar mbi gjendjen ekonomike të vendit, duke theksuar se edhe muaji gusht, i konsideruar tradicionalisht si kulmi i sezonit turistik, nuk ka mundur të maskojë krizën e thelluar ekonomike që po përjetojnë qytetarët shqiptarë.
Sipas saj, treguesi i ndjesisë ekonomike ka rënë me 0.8 pikë vetëm gjatë muajit gusht, ndërsa sektori industrial ka pësuar një rënie të ndjeshme me 4 pikë, dhe sektori i shërbimeve me 2.1 pikë. Edhe konsumatorët janë më pesimistë, me një rënie prej 0.5 pikësh në ndjesinë e tyre ekonomike, çka sipas Tabakut tregon më pak blerje dhe më shumë frikë për të ardhmen financiare.
Postimi në FB:
Gusht e gunë
As turizmi dhe as propaganda nuk e fshehin dot krizën ekonomike.
Vetëm në gusht, treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 0.8 pikë.
-Industria humbi 4 pikë, shërbimet ranë me 2.1 pikë.
-Edhe konsumatorët u treguan më pesimistë: treguesi i tyre ra me 0.5 pikë. Më pak blerje, më shumë frikë për të ardhmen financiare.
Ndërtimi, dikur krenaria e qeverisë, mbahet gjallë vetëm nga spekulimi me çmime. Ky është sistemi i ndërtuar për një pakicë: taksat e larta i paguan shumica, ndërsa buxheti shpërndahet në korridoret e pushtetit për klientelën e privilegjuar.
Dhe këto nuk janë thjesht shifra por tregues të një realiteti ku shqiptarët po humbasin besimin – tek ekonomia, tek mundësia për një jetë më të mirë, tek e ardhmja në këtë vend.
Dhe kjo është kriza më e madhe. Një sistem që takson rëndë punën dhe shtresën e mesme, ndërsa shpërndan buxhetin në korridoret e pushtetit për pakicën, nuk mund të ndërtojë mirëqenie!
© SYRI.net