Gazetarja Rovena Cerka, e ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në SYRI TV, ka ngritur alarmin për gjendjen e mjerueshme të infrastrukturës rrugore në vend, duke akuzuar hapur qeverinë për papërgjegjshmëri dhe mungesë investimesh.
“Ka një çrregullim total të sinjalistikës rrugore, ka gropa pa fund të cilat mund të ishin mbushur me paratë që janë vjedhur. Mund të mos ishin blerë të brendshme e fustane, por të ishin arnuar rrugët,” – u shpreh ajo.
Cerka theksoi se çdo ditë qytetarët përballen me automjete që humbasin kontrollin, prishen apo iu ikën goma në mes të rrugëve, si pasojë e infrastrukturës së keqe dhe sinjalistikës së munguar. “Kryeqyteti sot të kujton Shqipërinë e viteve ’90, ku mbizotëronte kaosi dhe mungesa e kujdesit shtetëror,” shtoi ajo.
Sipas gazetares, vendi funksionon sipas “ligjit të xhunglës”, ku ai që ka pushtet, para dhe miq mbijeton, ndërsa qytetarët e thjeshtë vuajnë pasojat. Ajo solli në vëmendje edhe rastet kur efektivë të policisë rrugore janë shkarkuar apo transferuar në zona të largëta, vetëm pse kanë guxuar të vendosin gjoba ndaj personave të lidhur me pushtetin.
Cerka:
Ka një çrregullim total të sinjalistikës rrugore, ka gropa pa fund të cilat mund të ishin mbushur me paratë që janë vjedhur, mund të mos ishin blerë të brendshme, reçipeta e fustane…
Duhet shumëzuar edhe ky biznes, por mund të heqim të brendshmet dhe të arnojmë rrugët.
Se çdo ditë po gjejmë makina që u ikën goma në mes të rrugëve, prishen në mes të rrugëve, humbasin kontrollin në mes të rrugëve.
Pse? Si pasojë e sinjalistikës së gabuar, e gropave, e infrastrukturës së keqe, aq të dobët e aq të pakujdesshme saqë kur lëviz nëpër lagjet e kryeqytetit të kujtojnë Shqipërinë e viteve ’90 ndoshta.
Ne sot jetojmë në një vend ku është ligji i xhunglës ai që mbizotëron, dhe në këtë ligj të xhunglës ai që ka para, ai që ka pushtet, ai që ka miq…
Na ka ndodhur shpesh të shikojmë edhe efektivë të policisë rrugore të cilët janë shkarkuar nga detyra, janë transferuar në zona shumë të largëta, edhe jashtë vendbanimit të tyre, sepse kanë guxuar të vendosin një gjobë, ose të konstatojnë një shkelje ndaj një personi që nuk do duhej.
© SYRI.net