Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Protesta, Edi Rama humb mandatin e parë

'SPAK të hetojë dyshen Balluku-Verdho'/ Bardhi denoncon skandalin 5 milionë euro në tenderin e Digës së Zadejës

'SPAK të hetojë dyshen Balluku-Verdho'/ Bardhi denoncon skandalin 5 milionë euro në tenderin e Digës së Zadejës

11:45, 01/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar ministren Belinda Balluku dhe vartësin e saj, Ergys Verdho, për një skandal të madh korrupsioni që, ka shkaktuar një dëm prej të paktën 5 milionë euro ndaj Buxhetit të Shtetit.

Bardhi tregon se tenderi për ndërtimin e paneleve diellore në Digën e Zadejës, me vlerë 8.13 milionë euro, është i fryrë në mënyrë korruptive, pasi kompania fituese do të ndërtonte kapacitetin prej 1 MWp për 985 mijë euro, ndërsa në sektorin privat i njëjti kapacitet ndërtohet për vetëm 365 mijë euro. Ai akuzon Ballukun dhe Verdhon se kanë favorizuar kompanitë private për përfitim të paligjshëm.

Sipas Bardhit, paligjshmëria provohet edhe nga një tender i SPAK-ut për ndërtimin e paneleve diellore në tarracën e institucionit, ku çmimi ishte më pak se gjysma e asaj që dyshja Balluku-Verdho i ka kushtuar shtetit. Ai thotë se nëse SPAK do të kishte zhvilluar tenderin e Digës së Zadejës, Buxheti do të kursente 3.6–4.5 milionë euro.

Bardhi i bën thirrje SPAK-ut të veprojë menjëherë për të dënuar “paligjshmërinë, abuzimin dhe korrupsionin” e dyshes Balluku-Verdho, duke paralajmëruar se veprimet e tyre kanë pasoja të rënda për taksapaguesit shqiptarë.

Ai e përshkruan këtë rast si një dëshmi të qartë të korrupsionit në sektorin e energjisë elektrike, duke hedhur një hije të rëndë mbi qeverinë dhe politikat e saj për menaxhimin e fondeve publike.

Bardhi:

PALIGJSHMËRIA DHE ABUZIMI I BELINDA BALLUKUT ME 5 MILION EURO PROVOHET NGA NJË TENDER QË KA REALIZUAR VETË SPAK NË GUSHT 2025!
Në 4 nëntor 2024, kam kallëzuar në SPAK tenderin korruptiv për ndërtimin e paneleve diellore në Digën e Zadejës, me vlerë 8.13 milionë euro, që mban firmën e Belinda Ballukut dhe vartësit të saj, Ergys Verdho, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm prej të paktën 5 milionë euro që dihet se në xhepat e kujt kanë përfunduar.

Konkretisht, kompania fituese e tenderit do të ndërtonte kapacitetin prej 1 MWp për vlerën 985 mijë euro, ndërsa e njëjta kompani në sektorin privat kishte ndërtuar të njëjtin kapacitet për vlerën 365 mijë euro ose 620 mijë euro më pak. Pra, nëse panelet diellore në Digën e Zadejës do të ndërtoheshin me të njëjtat çmime si në sektorin privat, atëherë

Buxheti i Shtetit do të kursente së paku 5 milionë euro.

Por, paligjshmëria dhe abuzimi në këtë procedurë prokurimi publik provohen edhe nga një tender që ka realizuar vetë SPAK në gusht 2025 për ndërtimin e paneleve diellore në tarracën e institucionit. Konkretisht, SPAK ka shpallur tenderin me fond limit 80 mijë euro për 180 kWp ose 444.4 euro për kWp. Ndërsa, në tenderin e organizuar nga dyshja Balluku-Verdho, një kWP i kushton Buxhetit të Shtetit 985 euro, më shumë se dyfishi i kostos së SPAK.

Nëse tenderi për ndërtimin e paneleve diellore në Digën e Zadejës do të zhvillohej nga SPAK, atëherë ky projekt do t'i kushtonte Buxhetit të Shtetit 3.6 milionë euro ose 4.5 milionë euro më pak se sa i ka kushtuar dyshes korruptive Balluku-Verdho, duke provuar kështu dëmin e rëndë që i është shkaktuar Buxhetit të Shtetit, parave të taksaguesve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të kompanive private të lidhura me këtë dyshe.

Dokumentet e tenderit të zhvilluar nga SPAK në gusht 2025, të cilat pavarësisht se prokurorët e posaçëm i kanë, do t'ua vëmë sërish në dispozicion, përbëjnë provën e pakundërshtueshme të paligjshmërisë, abuzimit dhe korrupsionit në sektorin e energjisë elektrike, me autore Belinda Ballukun dhe vartësit e saj, drejtues të kompanive publike. Vetë SPAK-u ka arritur të provojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ndodhemi së paku në kushtet e veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës".

Prandaj, thirrja ime për prokurorët e SPAK që po merren me hetimin e kësaj afere korruptive, është të veprojnë menjëherë dhe pa vonesë për të konkluduar hetimet e tyre dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore dyshen Balluku-Verdho për veprimet dhe mosveprimet e tyre të paligjshme me pasoja shumë të rënda për Buxhetin e Shtetit dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco