Gazetari Roland Qafoku, përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë në emisionin “Kafe Shqeto”, ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen me çështjen e Erion Veliajt dhe mesazhet e koduara që ai po lëshon nga qelia ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Sipas Qafokut, deklaratat e Veliajt nuk duhen parë thjesht si shprehje emocionale, por si sinjale të qarta politike. “Në pamje të parë kush i dëgjon, nuk është se kupton gjë, por nëse analizojmë detajet, Veliaj ka dhënë disa mesazhe që nuk janë juridike, por politike”, u shpreh gazetari.
Ai shtoi se pyetja kryesore është kujt i drejtohen këto mesazhe. “Sigurisht, mendja të gjithëve u shkon se janë për Ramën, por unë mendoj se nuk janë më vetëm për Ramën”, tha Qafoku.
Gazetari theksoi se kryeministri Rama ka tashmë bashkëpunëtorë që dikur kanë qenë pranë Veliajt, si Arbër Mazniku, ndërsa përmendi edhe figura të tjera brenda qeverisë që konsiderohen kundërshtarë të Veliajt, si Belinda Balluku dhe Ulsi Manja.
Sipas tij, Veliaj po përpiqet t’i dërgojë një mesazh të drejtpërdrejtë Ramës: “Nëse ke dëgjuar kundërshtarët e mi politikë, unë të them që mos i dëgjo”.
“Ky është edhe një sinjal për bashkëpunëtorët e Ramës, sepse nuk është çudi që në 11 shtator, asnjëri prej tyre të mos e ketë emrin në qeveri”, u shpreh Qafoku, duke nënvizuar tensionet e brendshme në mazhorancë.
Qafoku:
Sa i përket deklaratave të fundit të zotit Veliaj nga qelia, në pamje të parë, kush e dëgjon, nuk është se kupton gjë, por nëse i analizojmë detajet mendoj që zoti Veliaj ka dhënë disa mesazhe që nuk janë mesazhe juridike por janë mesazhe politike.
Prandaj unë e them që ne duhet të kemi një pikë vështrim të qartë juridik dhe politik. Por brenda këtij kodi ose po themi ato sloganet e zotit Veliaj dhe mesazhet, pyetja është për kë i ka.
Sigurisht që të gjithëve mendja u shkon që i ka për zotin Rama, por unë mendoj që nuk janë më vetëm për zotin Rama.
Ka bashkëpunëtorë tashmë zoti Rama që dikur kanë qenë bashkëpunëtorë të Veliajt, si Arbër Mazniku. Kjo është e dukshme dhe i gjithë opinioni këtë e di.
Por nga ana tjetër edhe kundërshtarë të tjerë të zotit Veliaj në qeveri si zonja Balluku, zoti Manja apo dhe të tjerë.
Pra do thosha Flavio që zoti Veliaj po bën një përpjekje për t’i thënë Ramës që dëgjo, nëqoftëse ti ke dëgjuar kundërshtarët e mi politikë tashmë unë të them që mos i dëgjo, të paktën kështu e kuptoj unë, mund të jem unë gabim në këtë, por unë kështu e kuptoj.
Nga ana tjetër ky është një sinjal për të gjithë këta bashkëpunëtorë që ka Rama, sepse nuk është çudi që në 11 shtator, asnjë nga këta të mos e ketë emrin në qeveri.
© SYRI.net