Ish-prokurori Gentian Trenova në një intervistë në Syri TV, foli rreth sulmeve të fundit të kryeministrit Rama ndaj gjyqësorit, duke i cilësuar si një përpjekje për të mbajtur nën kontroll vendimmarrjen gjyqësore dhe për të frenuar çdo shenjë të pavarësisë në sistemin e drejtësisë.
Në një analizë të qartë mbi vendimmarrjet gjyqësore dhe rolin e pushtetit ekzekutiv, Trenova paralajmëron se sulmet ndaj gjyqtarëve nuk janë rastësore, por një mesazh intimidues për të gjithë sistemin.
Gentian Trenova: Duhet të vendosen disa premisa, ose për t’i piketuar gjërat. Në radhë të parë, vendimet e gjykatës unë nuk mund t’i gjykoj nëse janë të drejta ose nëse janë në kundërshtim me ligjin. Ato janë vendime të Gjykatës së shkallës së Parë, ka edhe Gjykatë e Apelit, është dhe Gjykata e Lartë, kështu që palët përkatëse në proceset gjyqësore kanë të drejtën për të bërë ankime në gjykata më të larta dhe nuk është etike ose e rregullt që të bëhen sulme intimiduese ndaj gjyqtarëve, pavarësisht se mund të mos na pëlqejë vendimmarrja e tyre.
Në fund të fundit, Kushtetuta i ka lënë të drejtën për të vendosur dhe sikur vendimi të jetë i gabuar, për aq kohë sa ja keni dhënë atë kompetencë për ta marrë atë vendim, ai duhe ta marrë atë vendim dhe gjykata nuk mund të veprojë dot pa vendim.
Në fund fare do të ketë një vendim, qoftë mirë apo qoftë keq. Sulmet që bën tani kryeministri Rama, të kujton sulmet që ka bërë kryeministri ndaj sistemit gjyqësor edhe para reformës në drejtësi ose procesit të vetingut. Ishin po të njëjtat sulme.
Nga konteksti i sulmeve të atëhershme dhe të tanishme, kuptohet qartë që kryeministri do të kontrollojë ose do të mbajë nën diktatin e tij të gjithë veprimtarinë e gjyqësorit dhe prokurorisë dhe të mos ketë vendimmarrje nga nëngjyqtarë që mund të shfaqë shenja të pavarësisë me vendimmarrjen e tij.
Dhe meraku apo frika e kryeministrit është që të mos lërë hapësira gjyqësorit që gjyqtarë të caktuar të fillojnë dhe të mësohen me pavarësinë. Pra, që me shenjat e para të pavarësisë që mund të kenë gjyqtarët, ata sulmohen, intimidohen që nuk bëhet vetëm për këta por është një mesazh për të gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të mos marrë vendime të pavarura me ndërgjegjen e tyre.
© SYRI.net