Në një postim në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u shpreh se prej një viti dëgjojmë refrenin “paga mesatare 900 euro”, por realiteti i përditshëm tregon të kundërtën. Ajo thekson se shpenzimet e familjeve shqiptare janë shumë më të larta se të ardhurat e tyre, duke krijuar një hendek të thellë mes pagave dhe nevojave themelore.
“INSTAT thotë se një familje me të ardhura mesatare shpenzon rreth 96 mijë lekë në muaj (pa qira), ndërsa paga minimale është 40 mijë lekë. Dy paga minimale janë 80 mijë lekë, pra mungojnë çdo muaj 16 mijë lekë,” shkruan Tabaku, duke shtuar se 40% e këtyre të ardhurave shkojnë vetëm për ushqimet dhe bukën, ndërsa shpenzimet për qira, transport, faturat dhe nevojat e tjera bëjnë që llogaritë e familjeve të mos dalin në fund të muajit.
Postimi:
Prej 1 viti kemi dëgjuar refrenin: “paga mesatare 900 euro”. Studio, grafika, spote. Pastaj del nga shtëpia. Shporta, energjia, karburanti. Realiteti të flet ndryshe.
INSTAT thotë se një familje me të ardhura mesatare shpenzon rreth 96 mijë lekë në muaj (pa qira). Paga minimale është 40 mijë. Dy paga minimale = 80 mijë. Hendeku? 16 mijë lekë çdo muaj. Çdo muaj.
40% e të ardhurave ikin te buka dhe ushqimet. Qiratë? Edhe larg qendrës nisin rreth 45 mijë lekë. Shtoji transportin, faturat, shkollën, shëndetin… llogaria nuk del në fund të muajit.
Monopolet vendosin çmimin, qeveria mbron sistemin e pandershëm të taksimit; buxheti punon vetëm për të mbrojtur oborrin e socialistëve nga rritja e çmimeve, ndërsa familjet shqiptare paguajnë propagandën, rritjen e çmimeve dhe korrupsionin. Dhe shtresa e mesme ikën jo për luks, por për jetesë.
U premtua për një vit rresht nëpër ekrane se “rroga mesatare do të ishte 900 €”. Sot, familjet përballen me shpenzime që shkojnë në 96 mijë lekë në jetën reale. Kjo është fatura e kripur e qeverisjes socialiste!
© SYRI.net