SYRI TV/ Rama: Duhet shkundje si te bashkitë, do ketë shkarkime dhe në IMT

13:20, 10/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeministri Edi Rama u mundua të justifikojë sërish aksionin për lirimin e hapësirave publike, nga shtesat pa leje që janë ndërtuar dhe lejuar gjatë qeverisjes së tij.

Në një komunikim live në rrjetet sociale, Rama paralajmëroi miratimin e një rregulloreje për vendosjen e kufijve në hapësirat publike, ndërsa mori sërish kompetenca të pushtetit vendor, duke folur për një tjetër valë shkarkimesh në IMT dhe policitë bashkiake.

Rama shmangu komentet për këto prishje që ndikuan në dëmtimin e sezonit turistik, duke thënë se për këtë çështje do të flasë në shtator.

Ndërkohë që shtesat pa leje janë bërë nën hundën e tij dhe të institucioneve në varësi të tij, kryeministri Edi Rama i ndërpreu pushimet, duke u përpjekur t’i mbushë mendjen opinionit publik se e ka seriozisht luftën kundër ndërtimeve pa leje.

Teksa paralajmëroi miratimin e një rregulloreje të re për hapësirat publike, Rama u mundua të justifikojë qëndrimet e tij para komentuesve që i kujtonin se qeveria e drejtuar prej tij i ka lejuar këto ndërtime pa leje.

Ashtu siç paraqiti si zgjedhje magjike satelitët, edhe këtë herë shefi i qeverisë deklaroi se lufta kundër ndërtimeve pa leje do bëhet përmes teknologjisë, pa shpjeguar konkretisht si do të ndodhë kjo çështje.

I gjendur përballë faktit që prishjet e ndërtimeve që nisën me zonën e Thethit kanë pasur ndikim shumë negativ në sezonin turistik, Rama i shtyu shpjegimet për këtë çështje në muajin shtator.

Kryeministri do të vijojë me ofensivën ndaj pushtetit vendor, pasi paralajmëroi një tjetër valë shkarkimesh edhe në radhët e IMT-së dhe policisë bashkiake.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco