Deputeti i zgjedhur i PD për Qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbashi, në një reagim të fortënë rrjetin social Facebook, denoncon me forcë sulmin ndaj grupit mediatik që përfshin News24, Balkanweb dhe Gazetën Panorama, duke theksuar se kjo është një goditje ndaj lirisë së medias, të shprehjes dhe të informimit. Bylykbashi e cilëson këtë si shfaqjen më të qartë të arrogancës së pushtetit total të Edi Ramës, që po ringulit bindjen e kohës së komunizmit, ku shteti dhe pronësia publike janë më të rëndësishme se liritë individuale.
Në postim, ai nënvizon se sulmi ndaj mediave nuk është rastësi, por pjesë e një plani për të shuar lirinë dhe pluralizmin, dhe i bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve të reagojnë para se të jetë vonë. Ai rikthen në vëmendje fjalët e Ronald Reagan-it dhe poezinë e Martin Niemöller-it, duke paralajmëruar se liria kërkon përpjekje dhe mbrojtje të vazhdueshme, përndryshe mund të zhduket në pak kohë.
Postimi:
“Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes”
Sulmi mbi grupin mediatik që përfshin News 24 është sulm mbi lirinë e medias, lirinë e shprehjes, lirinë për t’u informuar dhe lirinë e mendimit.
Çdo përpjekje për ta justifikuar me analogjira rastesh në të shkuarën, pronesira shtetërore mbi godina, procedura etj, është mjerane dhe i shërben regjimit.
Sot kemi provën më të fundit jo më thjesht të guximit të Edi Ramës, por të arrogancës së pushtetit total të tij. Sot kemi provën më të fundit të shprehjes së tij në fjalimin e parë si kryeministër kur kërcenoi opozitën dhe mbarë shqiptarët: “Nuk keni parë gjë akoma!”.
Me siguri do të dalin personazhe që (për turpin e vet) do ta justifikojnë aktin e Edi Ramës kryeministër kundër medias së lirë. Ai i ka stërvitur me kohë.
Ndokush mund të arsyetojë se shtetit i duhen ndërtesat meqë do t’ia kalojë kompanisë shtetërore për prodhim armësh, se duhet ndihmuar Ukraina apo duhet kapur objektivi i NATO-s për 5% të GDP-së.
Edi Rama tashmë po ringulit bindjen e kohës së komunizmit se shteti dhe publikja janë më të rëndësishëm se individi dhe liritë e tij.
“Të shkojnë në gjykatë” mund të thonë naivët që ende besojnë tek reforma në drejtësi apo cinikët që nuk skuqen kur thonë “Rama nuk e ka kapur drejtësinë”. Kjo që po ndodh sot i ka rrënjët tek votimi i orëve të para të datës 22 korrik 2016, kur nën duartrokitje ambasadorësh ra sistemi i i drejtësisë në duart e Ramës. Aty filloi rënia e Shtetit të së Drejtës nën goditjet e Shtetit “Ligjor”.
Sulmi sot mbi News 24, Balkanweb e Panorama më kujton shprehjen e Regan:
“Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes. Ne nuk ia përcjellim fëmijëve tanë nëpërmjet gjakut. Ajo duhet fituar me përpjekje, mbrojtur dhe përcjellë brez pas brezi, që edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë. Përndryshe, një ditë do të kalojmë vitet tona të fundit duke u treguar fëmijëve tanë dhe nipërve e mbesave se si ishte dikur në Shtetet e Bashkuara, kur njerëzit ishin të lirë.”
Të kujton edhe poezinë e teologut protestant gjerman, opozitar i Nazizmit, Martin Niemöller me titull “Në fillim ata erdhën”:
“Së pari erdhën për hebrenjtë,
dhe unë nuk fola – sepse nuk isha hebre.
Pastaj erdhën për komunistët,
dhe unë nuk fola – sepse nuk isha komunist.
Pastaj erdhën për sindikalistët,
dhe unë nuk fola – sepse nuk isha sindikalist.
Pastaj erdhën për mua –
dhe nuk kishte mbetur askush për të folur për mua.”
Fundja Rama e nisi me Agon Channel 10 vjet më parë. Ne, opozita folëm atëherë e gjithe këto vite. Paralajmëruam edhe që gjykatat nuk do të jenë më zgjidhje se Rama i kërcënon gjyqtarët në televizion me emër.
Edhe Reganin Rama e vërteton se e ka gabim. Duhet më pak se një brez për të humbur liritë që mezi ia morëm komunizmit dhe që sot pinjollët e antarëve të Byrosë Politike dhe Komitetit Qëndror po na i rimarrin.
Sot liritë individuale po bien nën sytë e kamerave dhe titrave të medias, ndërkohë individët bejnë “scroll” në rrjete sociale në kafenetë me kondicioner. Liria e pronës, liria ekonomike, liria e protestës dhe e tubimit po bien nën fadroma, policë apo qeli paraburgimi. Por sot janë nën teh liria e të menduarit, e të shprehurit dhe e shtypit. Vetëm tre muaj pas zgjedhjeve.
Ajo që thotë Niemöller është mbi të gjitha thirrje për reagim të individëve. Ato që po shkelen sot janë liritë themelore të individit. Janë individët që përbëjnë shumësinë që ka nevojë për votën e lirë që u masakrua më 11 maj 2025 dhe median e lirë që sot më 9 gusht 2025 është nën sulm.
“Pastaj erdhën për mua –
dhe nuk kishte mbetur askush për të folur për mua.”
Niemöller do të thoshte: “Jua pata thënë”.
© SYRI.net