Në një intervistë për Syri TV, me moderator Bled Marku, deputeti i PD, Tomorr Alizoti, ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit që ndodhën mëngjesin e sotëm, ku policia rrethoi godinën e televizionit "News24" dhe nxori me forcë stafin e tij.
Alizoti ka komentuar ashpër veprimet e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se gjithçka që po ndodh në Shqipëri ka sjellë një kthesë të rrezikshme në demokraci, ku e keqja po bëhet gjithnjë e më normale. Ai e ka akuzuar Ramën për përdorimin e frikës si mjet për të kontrolluar shtetin dhe ka paralajmëruar se qytetarët po përballen me rrezikun e shndërrimit të kësaj situate në normalitet.
“Kur them që Edi Rama është i biri i Kristaqit, nuk e them nga ana personale, por nga ana politike. Ai vinte në orën 5 të mëngjesit, në 3 të natës dhe thoshte "je i arrestuar në emër të popullit". Në një vend ku pretendohet të jetë shteti i drejtës dhe anëtar për të qenë pjesë e BE-së, ku individi dhe liria e të shprehurit janë kryesore në demokraci, ju shkon në ditë të shtunë në 6 të mëngjesit.
Ja ku doli babë e birë politikisht. Qytetarëve që na shohin do t'u vijë ditë më të këqija dhe e keqja ka një lloj elementi, është shumë e rrezikshme kur bëhet normale. E keqja është në kulmin dhe rrezikun e saj. E keqja në Shqipëri po kthehet në normalitet. E keqja e ka gllabëruar Shqipërinë. Nëse në demokraci ligji është paralajmërim, është edukim, në Shqipëri është frikë. Pra, ti liderit duhet t'i trembesh, jo ta dashurosh.” – tha Alizoti.
© SYRI.net