Luçiano Boçi për rrethimin e News24: Ky është një akt vrasjeje shtetërore e fjalës së lirë

Luçiano Boçi për rrethimin e News24: Ky është një akt vrasjeje shtetërore e fjalës së lirë

10:46, 09/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka dënuar me forcë sot rrethimin e medias News24 dhe paralizimin e punës së gazetarëve si pasojë e moslejimit të hyrjes në ambiente dhe ndërprerjes së energjisë elektrike.

Në një postim në Facebook, Boçi thekson se: “Rrethimi i News24 është vrasje shtetërore e fjalës së lirë. Një shoqëri demokratike matet jo nga fjalët e bukura të politikanëve, por nga mënyra se si trajton median e lirë. Ky është një sinjal i qartë se pushteti në Shqipëri është i gatshëm të përdorë metoda brutale për të mbyllur zërat kritikë dhe për të vrarë lirinë e fjalës.”

Ai shton se ky akt nuk është rast i izoluar, por pjesë e një strategjie të vazhdueshme për të kontrolluar median: “Gjatë qeverisjes së Edi Ramës kemi parë kapje të televizioneve përmes financave, shpërndarje selektive të reklamave shtetërore, përdorim të gjobave dhe ligjeve si ‘Paketa Anti-Shpifje’ për të frenuar portalet e pavarura, si dhe sulme e mbyllje si ajo e ‘Agon Channel’.”

Boçi kujton edhe sulmet personale të kryeministrit ndaj gazetarëve, duke i quajtur “kazanë” dhe “plehra”, duke theksuar se kjo retorikë krijon klimë linçimi dhe delegjitimimi të medias në publik. “Rrethimi i një redaksie është një mesazh kërcënues për çdo gazetar dhe media: kush nuk hesht, përballet me forcën,” thekson Boçi.

Ai thekson edhe rënien e Shqipërisë në raportet për lirinë e shtypit nga “Reporterët pa Kufij”, si pasojë e politikave shtypëse ndaj medias.

“Nëse sot është News24, nesër mund të jetë çdo zë që guxon të kritikojë. Kur media rrethohet, ka triumfuar diktatura. Fjalën e lirë nuk e mbron vetëm gazetari, por çdo qytetar që nuk pranon të jetojë në errësirë,” përfundon Luçiano Boçi.

Reagimi i plotë:

RRETHIMI I NEWS24 ËSHTË VRASJE SHTETËRORE E FJALËS SË LIRË
Një shoqëri demokratike matet jo nga fjalët e bukura të politikanëve, por nga mënyra se si trajton median e lirë. 
Rrethimi i News24 është një sinjal i fundit se në Shqipëri, pushteti është gati të përdorë metoda brutale për të mbyllur zërat kritikë e vrarë lirinë e fjalës.
Ky nuk është një incident i izoluar apo masë institucionale. Është ekzekutim publik. Është vazhdimësi e një strategjie të qëndrueshme për të nënshtruar median. 
Në vitet e qeverisjes së Edi Ramës, kemi parë kapjen e televizioneve përmes financave, shpërndarjen selektive të reklamave shtetërore, përdorimin e gjobave dhe ligjeve si “Paketa Anti-Shpifje” për të frenuar portale të pavarura.
Kemi parë sulme e mbyllje si me “Agon Channel”.
E çfarë nuk kemi parë!!?
Ndërkohë, kryeministri ka sulmuar publikisht gazetarët, duke i quajtur “kazanë” dhe “plehra”. 
Kjo retorikë nuk është thjesht denigruese. Është një strategji për t’i delegjitimuar në sytë e publikut, për t’i linçuar, duke krijuar një klimë ku presioni ndaj tyre duket i pranueshëm.
Rrethimi i një redaksie është një akt i rëndë, që shkon përtej presionit mediatik. 
Është një mesazh kërcënues për çdo gazetar dhe çdo media: “Kush nuk hesht, do të përballet me forcën”. 
Dhe kur një media izolohet fizikisht, nuk rrethohet vetëm një ndërtesë por rrethohet vetë e vërteta.
Raportet e “Reporterëve pa Kufij” tregojnë se Shqipëria ka rënë ndjeshëm në renditjen e lirisë së shtypit. Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave dhe veprimeve që kanë mbytur hapësirën për fjalën e lirë.
Sot është News24. 
Nesër mund të jetë çdo zë tjetër që guxon të pyesë dhe të kritikojë. 
Në një vend ku media rrethohet ka triumfuar diktatura.
Nëse qytetarët heshtin përballë kësaj, atëherë heshtja do të bëhet norma dhe propaganda do të jetë e vetmja gjuhë publike. 
Fjalën e lirë nuk e mbron vetëm gazetari.
E mbron çdo qytetar që nuk pranon të jetojë në errësirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco