'Qeveria kundër raportit të OSBE/ODIHR', Nuri: SPAK ka fakte për krimin elektoral por hesht

20:06, 08/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Franc Nuri, në një intervistë ekskluzive për Syri TV, denoncoi përpjekjet e qeverisë dhe Partisë Socialiste për të minuar dhe censuruar raportin paraprak të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.

Ai theksoi se, pavarësisht mohimeve dhe shtyrjes së përgjegjësisë, SPAK dhe gjykatat disponojnë mjaftueshëm fakte për krimin elektoral, të cilat deri tani po injorohen nga institucionet e drejtësisë. Nuri paralajmëroi se këto fakte do të vërtetohen edhe më tej me raportin final që pritet të publikohet në shtator.

Pjesë nga deklarata:

Pas zgjedhjeve të 11 majit, misioni i OSBE/ODIHR bëri publik prezantimin e raportit me gjetjet paraprake, të cilin ne e përdorëm si provë. Më pas doli dhe skandali, kur KQZ-ja së bashku me PS-në mohuan që raporti të ishte provë. Brenda ditës u bë e ditur se kishte dalë edhe një dokument, ku Ministria e Jashtme dhe Ministri Igli Hasani kishin dërguar një shkresë pikërisht delegacionit vëzhgues të procesit zgjedhor në Shqipëri, duke shprehur shqetësimet e qeverisë shqiptare për raportin paraprak. Me një gjuhë diplomatike, por nën rreshta, mesazhi që qeveria shqiptare, përmes ministrit të Jashtëm, dëshironte të përcillte ishte i qartë.

Sipas tyre, raporti nuk ishte i balancuar. Nën rreshta, kjo përbënte një presion ndaj OSBE/ODIHR që të ishin më të ekuilibruar në gjetjet e tyre. Problemi qëndron te fakti se në reagimet e para të qeverisë dhe PS-së, kur u publikua raporti i parë, nuk kishte asnjë lidhje me atë që letra e 12 majit e ministrit përmbante. PS dhe qeveria thoshin se raporti nuk ishte problematik dhe se zgjedhjet kishin shkuar mirë. Por çfarë tregon letra e 12 majit? Tregon se ata kishin shqetësime si parti dhe këto kërcënime i kanë përcjellë në një formë diplomatike, me qëllim që OSBE/ODIHR të ndalonte publikimin e skandaleve apo fakteve që dëshmonin farsën elektorale.

Do të presim javët në vijim, pasi deri në shtator pritet raporti final i OSBE/ODIHR. Atëherë do të shohim se çfarë tonaliteti do të ketë. Besoj se do të jetë shumë më i ashpër se ai i datës 12 maj.

Prova ka sa të duash. SPAK dhe gjyqtarët, nëse jetojnë këtu, nuk kanë nevojë të sillen sikur vijnë nga planeti tjetër. Prisni të faktohet nga opozita gjithçka ndërkohë që KQZ mbron PS-në.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco