FRPD Vlorë përplas fort përgjegjësitë mbi qeverisjen e Edi Ramës, duke e akuzuar për përkeqësimin dramatik të situatës në qytet dhe për përdorimin e politikës si teatër për të fshehur dështimet e shumta.
Në një deklaratë të fortë denoncuese, rinia demokratike vlonjate nxjerr në pah krizën e thellë në turizëm, mungesën e ujit të pijshëm, menaxhimin e papranueshëm të mbeturinave dhe emergjencave si zjarret masive, ndërsa paralajmëron se Vlora po humbet identitetin dhe po braktiset nga të rinjtë, ndërkohë që pushteti lokal dhe qendror shmangin përgjegjësitë dhe shpërndajnë fajin.
Denoncimi:
Në fillim të muajit korrik, vlonjatët u bënë spektatorë të një shfaqeje teatri, jo atje ku zakonisht i shohim, në skenën e “Petro Markos”, por në institucionin që ndodhet pas meje, Bashkinë e qytetit të Vlorës.
Regjisor dhe skenarist i shfaqjes ishte kryeministri i vendit dora vetë, i cili pas një mbledhjeje disa orëshe mori një vendim jashtë çdo logjike të një vendi me pushtete të ndara. Ai kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të bashkisë së qytetit, me pretendimin se punët në qytet nuk po bëheshin siç duhet. Tragji-komedi e një eprori politik, a thua se ky shpëtimtar vinte nga një planet tjetër dhe për herë të parë shikonte gjendjen e mjerë dhe kaotike të Vlorës.
Pas shfaqjes teatrale pa pagesë që iu ofroi vlonjatëve, kryeministri urdhëroi dhe një aksion për lirimin e hapësirave publike nga ana e bizneseve lokale, duke marrë mbi supe tashmë përgjegjësinë e një heroi që zbret në qytet për të shpëtuar rrugët dhe trotuaret e tij nga “kriminelët” me karrige.
Historia është e thjeshtë: kryeministri emëron, kryeministri çemëron; kryeministri nderon, kryeministri çnderon; kryeministri liron hapësirat publike nga çadrat e bizneseve dhe e kompenson këtë rol negativ duke dhënë leje për zaptimin e hektarëve të tëra toke me qëllim përmbushjen e oreksit të oborrtarëve të tij. Kemi vite përpara, duhen ushyqer mirë shërbyesit.
Pyetja është: Në këtë tragjikomedi, vlonjati ku qëndron?
Së pari, jemi në verë dhe vera nuk vjen dot pa Vlorën. Mjerisht, kurora e këtij qyteti, turizmi, në vitin 2025 ka pësuar një tronditje të madhe, aq sa nuk ka shkrim e reklamë të paguar që ta mbulojë. Numri në rënie i turistëve që zgjedhin qytetin e Vlorës ka shqetësuar operatorët turistikë dhe qytetarët. Vitin e kaluar, kryeministri bëri me faj bizneset gjoja për çmimet e larta, ndërsa këtë vit dufin e habisë e shfrehu tek drejtorët e bashkisë. Një gjë është e sigurt: shteti merr përsipër sukseset, jo dështimet.
Turizmi ynë dështoi pa filluar jo për alibitë që qarkullojnë, por për mungesën e transportit, projektet infrastrukturore të lashta sa vetë qeverisja Rama, trafiku i rënduar gati në kaos në gjithë segmentet rrugore të qytetit, pluhuri i rrugëve të hapura si varre në mes të sezonit, deti i pronësuar dhe zaptuar me çertifikatë oligarkie, e sigurisht nuk ka turist që nuk e prek njëherë spitalin e Vlorës nga helmimet dhe sëmundjet në një qytet dhe vend ku veç bukurive të natyrës, nuk ka shtet, nuk ka kontroll, nuk ka zot. Si përfundim, Rilindja urbane që shkatërroi trashëgiminë historike dhe kulturore të Vlorës, lë pa kuriozitet turistët.
Cili turist do të rikthehej për të dytën herë?
Nëse ky ishte qëllimi yt, ia dole zoti Kryeministër: Vlora nuk është më Vlorë! Së dyti, mungesa e ujit të pijshëm, megjithëse tingëllon çuditshëm në vitin 2025, është shqetësimi kryesor i banorëve të Vlorës. Atyre iu duhet të ngrihen dhe të flenë me ankthin e mungesës së ujit të pijshëm, të detyruar për ta blerë ujin, megjithëse jetojnë në një prej qyteteve më turistike të vendit, me emrin e të cilit kryeministri nuk lë vend pa u mburrur, a thua se gara është për mungesën e ujit e jo për arritje konkrete. Mungesës së ujit i shtohet dhe problemi i plehrave, me mbeturinat që përvit ofrojnë imazhe të një krateri vullkanik që digjet së bashku me paratë e taksapaguesve vlonjatë, të cilat u përdorën për të ndërtuar një landfill, fati i të cilit është ende anonim.
E meqë ra fjala te zjarret, qindra anktheve të përditshme, në periudhën e verës i shtohet edhe ankthi i zjarreve masive në rrethinat e qytetit, përzier me imazhet e zjarrfikësve dhe banorëve që luftojnë me shkurre mes flakëve që më shumë se pemët, djegin imazhin e të ashtuquajturës Shqipëria 2030 - një Shqipëri e paaftë për të blerë mjete ajrore për të luftuar emergjenca të këtij lloji.
Në përfundim, ka shumë teorira politike dhe jopolitike lidhur me gjendjen e qytetit, por të gjitha kanë një të përbashkët, shprehjen: Vlora nuk ka qenë kurrë më keq se këtë vit! Më shumë sesa për ujë, për rrugë të zgjeruara, për parkime apo për hapësira publike, duket se Vlora vuan për zot! Pas më shumë se tre dekadash, socialistët, të cilët e kanë qeverisur qytetin në mënyrë të pandërprerë, mesa duket kanë nisur gjuetinë e fajtorëve imagjinarë: herë bizneset, herë banorët, herë drejtorët. Kërkojnë fajtor për një qytet pa të rinj, për një qytet ku betoni po sfidon dhe detin, për qytetin me numrin rekord të të papunëve? Apo ndoshta kërkojnë fajtor për universitetin që lëngon nga bankat bosh? Kryeministri kërkon fajtor për plagët e qytetit që e strehonte derisa u bë i gjithëfuqishëm. Shpërblimi i duhur për Vlorën.
Ndaj këtë kartolinë nga qyteti pa identitet po e mbyllim duke ngritur një pyetje: si ka mundësi që pas kaq shumë zie, kryeministri e beson dhe vetë se ka fituar më thellë se herët e tjera?!
FRPD Dega Vlorë
Çajup Shehaj, Rezenbrik Serjani, Aldi Hamzara
© SYRI.net