Në Bruksel, një gazetar i kërcënuar nga pushteti mbrohet me ligj. Në Tiranë, një gazetar që denoncon pushtetin kërcënohet me ligj.
Europa ka zgjedhur ta shohë median si aleate të demokracisë. Shqipëria zyrtare, përkundrazi, po e trajton median si armike të stabilitetit të saj politik. Kjo nuk është më thjesht një diferencë qasjeje. Është një ndarje thelbësore mes një sistemi që forcon lirinë dhe një tjetri që tenton ta shkatërrojë atë.
Nga Europa e gazetarëve të mbrojtur, në Shqipërinë e gazetarëve të ndëshkuar
Nga njëra anë, në Bruksel, ngrihet një standard i ri: liria e medias është zyrtarisht një e drejtë e mbrojtur në të gjithë territorin e Bashkimit Evropian.
“Akti Evropian për Lirinë e Medias” (EMFA), një rregullore historike që hyri në fuqi sot, vendos në qendër të politikave evropiane gazetarët dhe punën e tyre. Nga ana tjetër, në Tiranë, ndërsa Europa ngre mburojën për median e lirë, qeveria shqiptare ka propozuar një draft të ri të Kodit Penal, i cili në thelb përpiqet ta çarmatosë gazetarin, duke i vënë përballë një arsenal të ri ligjesh që kërcënojnë me burg, gjobë dhe, mbi të gjitha, heshtje.
Kjo nuk është më thjesht një dallim në qasje ligjore. Është një kontrast brutal në filozofi qeverisëse: ndërsa BE-ja e sheh median si aleate të demokracisë, Shqipëria zyrtare duket se e konsideron gazetarin si kërcënim për stabilitetin e vet politik.
Europa që mbron – Shqipëria që ndëshkon
Ligji i ri europian, EMFA, është një hap vendimtar drejt mbrojtjes efektive të gazetarëve. Ai parashikon kufizimin e përdorimit të programeve spiune kundër tyre, kërkon transparencë mbi pronësinë e mediave dhe reklamat shtetërore, garanton pavarësinë editoriale dhe ndalon ndërhyrjet arbitrare nga platformat online ndaj përmbajtjes së pavarur. Në thelb, Europa po ndërton një mur mbrojtës rreth gazetarit për t’i garantuar atij lirinë për të hetuar, raportuar dhe kritikuar pushtetin pa frikë.
Në Shqipëri, drafti i ri i Kodit Penal duket se synon të bëjë të kundërtën: t’i vërë gazetarit një prangë të re ligjore, duke kriminalizuar edhe më tej shpifjen dhe duke shtuar dispozita të paqarta që lejojnë ndëshkimin për “ndërhyrje në pavarësinë e gjykatës”. Pa një përkufizim të qartë, këto dispozita kthehen në armë që mund të përdoren kundër çdo raportimi kritik apo investigimi ndaj sistemit gjyqësor dhe institucioneve të tjera.
Vetëcensura: forma më e heshtur e shtypjes
Në një mjedis ku gazetari kërcënohet me ndjekje penale, ku shpifja vazhdon të jetë vepër penale dhe ku proceset gjyqësore mund të përdoren si mjet hakmarrjeje, nuk ka nevojë për ndalim direkt të fjalës: mjafton frika. Dhe frika, në këtë rast, lind jo vetëm nga ligji, por edhe nga mungesa e garancive, mungesa e mekanizmave mbrojtës, si ligjet anti-SLAPP, që në Europë janë bërë standard.
Vetëcensura është forma më e përhapur dhe më e rrezikshme e shtypjes. Gazetarët heqin dorë vetë nga temat që prekin interesat e pushtetit, shmangin emra, shmangin të vërtetën. Jo për mungesë kurajoje, por sepse janë të vetëdijshëm që ligji, në vend t’i mbrojë, i persekuton.
Pse Shqipëria po ecën mbrapsht në një kohë kur Europa ecën përpara?
Drafti i qeverisë shqiptare vjen në një moment kur BE po tregon më shumë vendosmëri se kurrë për të mbrojtur median nga sulmet, presionet dhe ndikimet politike. Kjo jo rastësisht. Rregullorja EMFA është përgjigje ndaj rasteve të rënda që kanë tronditur kontinentin, si vrasjet e gazetarëve Daphne Caruana Galizia dhe Ján Kuciak. Mesazhi është i qartë: demokracia nuk mbijeton pa gazetarë të lirë.
Shqipëria, që zyrtarisht aspiron integrimin në këtë Europë, po vepron në mënyrë diametralisht të kundërt. Dhe kjo nuk është hera e parë që qeveria aktuale përpiqet të kufizojë lirinë e medias me ligje të diskutueshme. Tentativa e mëparshme me “paketën antishpifje” u tërhoq për shkak të presionit të fortë publik dhe ndërkombëtar. Sot, historia përsëritet, por me një ligj më të sofistikuar dhe potencialisht më të rrezikshëm.
Pse Edi Rama kërkon të heshtë gazetarët?
Kur e vërteta bëhet kërcënim, fjala e lirë kthehet në armik.
Nuk është e vështirë të kuptohet pse qeveria po përpiqet t’i vërë kufij të rrezikshëm lirisë së shprehjes dhe gazetarisë së lirë. Nuk është thjesht për “rend publik” apo “etikë komunikimi”. Është sepse gazetaria në Shqipëri, pavarësisht presioneve, ka qenë ndër të vetmet mekanizma që ka arritur të ekspozojë një sërë aferash që godasin thellë në zemër të qeverisjes së Edi Ramës.
Gazetarët kanë zbuluar dhe denoncuar me fakte afera që përfshijnë:
* Kontratat korruptive në shëndetësi, që varfërojnë buxhetin publik dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve;
* Tenderat e dyshimtë në infrastrukturë, ku miliarda shkojnë në xhepat e kompanive të lidhura me politikën;
* Skemat e inceneratorëve, që përbëjnë ndoshta aferën më të madhe të dekadës, me pagesa fiktive dhe kontrata të firmosura pa zbatim;
* Dheniet e dyshimta të lejeve të ndërtimit, që kanë shndërruar qendrat urbane në hapësira pa plan, ku interesat e biznesit fshihen pas fasadave të betonit;
* Komprometimin e procedurave të prokurimit publik, që shpesh shkelin çdo standard të transparencës dhe konkurrencës së ndershme.
Lista është e gjatë dhe në rritje. Dhe të gjitha këto zbulime nuk janë bërë nga institucionet shtetërore, as nga prokuroria që shpesh rri në heshtje, por nga gazetarë investigativë, kritikë, të pavarur, të cilët me këmbëngulje kanë dokumentuar abuzimet që pushteti do të donte të fshihte.
Gazetarët si pengesë për propagandën
Për një qeveri që mbështet një komunikim të kontrolluar dhe një diskurs të njëanshëm, gazetaria kritike përbën një pengesë. Fjala e lirë pengon propagandën. E vërteta pengon rrëfimin zyrtar. Raportimi mbi dështimet, aferat apo skandalet minon kujdesin obsesiv të kësaj qeverie për “imazhin”, për estetikën mediatike, për regjinë e kontrolluar të çdo dalje publike.
Ndaj, në vend që të përmirësojë qeverisjen, pushteti përpiqet të mbyllë gojën e atyre që i nxjerrin në pah mangësitë. E bën këtë me mjete të sofistikuara: përmes ligjeve që frikësojnë, përmes gjobave të larta, përmes gjyqeve të pafundme, dhe në raste më ekstreme, përmes linçimeve publike dhe fushatave diskredituese.
Në Europë, gazetari vlerësohet. Në Shqipëri, persekutohet.
Krahasimi me Bashkimin Europian është tronditës. Aty ku gazetari denoncon korrupsionin, ai mbrohet me ligj. Aty ku gazetarët rrezikojnë jetën për të ekspozuar padrejtësitë, atyre u jepet mbrojtje shtetërore. Në shumë vende europiane, zbulimet e gazetarisë investigative janë çuar më tej nga institucionet e drejtësisë, që kanë nisur hetime, kanë ndëshkuar abuzuesit dhe kanë reflektuar mbi politikat publike.
Në Shqipëri, ndodh e kundërta. Gazetari jo vetëm që nuk mbrohet, por vendoset nën survejim, kërcënohet me ligje, përballet me procese gjyqësore dhe në raste të caktuara, etiketohet publikisht nga vetë kryeministri si “kazan”, “të paguar”, “fake news”, apo “armiq”.
A mund të ketë Shqipëri europiane pa liri të medias?
Përgjigjja është e thjeshtë: Jo. Asnjë proces integrimi, asnjë negociatë kapitulli, nuk mund të quhet i ndershëm nëse një gazetar ndihet më i sigurt në Bruksel sesa në Tiranë. BE nuk është vetëm një treg apo një bashkim ekonomik, është një bashkësi vlerash. Dhe në zemër të atyre vlerave qëndron liria e fjalës.
Lufta kundër gazetarit është luftë kundër llogaridhënies
Në thelb, përpjekja për të heshtur median është përpjekje për të shmangur përgjegjësinë. Sepse një qeveri që nuk ka ç’të fshehë, nuk ka pse të frikësohet nga raportimi kritik. Vetëm një pushtet që është i ndërgjegjshëm për aferat e veta, ndjen nevojën të ndërtojë mburoja ligjore kundër gazetarisë.
Në vend që të bashkëpunojë me median për të pastruar vetveten nga abuzimet dhe korrupsioni, pushteti zgjedh të godasë zërin që e denoncon. Kjo tregon jo vetëm mungesë transparence, por mbi të gjitha, mungesë vullneti për të ndryshuar.
Në fund të ditës, nuk është gazetari që i prish punë qeverisë. Janë veprimet e saj. Gazetari thjesht i bën publike. Dhe ky është roli i tij.
Prandaj, çdo përpjekje për ta heshtur atë është një përpjekje për të heshtur të vërtetën. Dhe kur një shtet kërkon të sundojë mbi të vërtetën, ai nuk është më një demokraci, por një sistem që ka frikë nga drita./ Enkeleda Stafa - Syri.net
© SYRI.net