2 TEC-et e Vlorës, të emërtuara si ‘Tigri 1’ dhe ‘Tigri 3’ kanë marrë 550 mijë euro nga buxheti i shtetit, edhe pse nuk kanë kaluar asnjë kilovat në rrjetin energjitik shqiptar. Bashkimi i kompanive ‘Exelerate Albania dhe Renco’, kanë shpallur shifrën e fituar për vitin 2024 në Qendrën Tregtare të Biznesit, ndonëse nuk kanë ofruar shërbimin e kontraktuar. Prej 3 vitesh, qeveria paguan 94 mijë euro në ditë, për 2 TECET lundruese të ardhura nga Bangladshi, me kërkesë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
Syri TV
Shoqëria Excelerate dhe Renco, e cila menaxhon dy anijet e prodhimit të energjisë “Tigri 1” dhe Tigri 3” në Gjirin e Vlorës, kanë shpallur fitimin mbi 500 mijë euro për vitin 2024, megjithëse ato nuk rezulton që të kenë kaluar asnjë kilovat në rrjetin energjitik shqiptar. Të kontraktuara në vitin 2022 nga qeveria shqiptare, me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku, njëkohësisht Ministre e Energjitikës, dy mjetet lundruese të mbërritura nga Bangladeshi thjesht kanë ndotur bregun e Vlorës, pa siguruar shërbimin e kontraktuar.
Shoqëria e kontraktuar për dy “Tigrat” deklaron zyrtarisht se për vitin 2024 ka siguruar një fitim për një vlerë totale prej 54.5 milionë lekë të reja ose rreth 550 mijë euro. Në Bilancin Tregtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, bashkimi i kompanive “Excelerate Albania dhe Renco” deklarojnë se këtë fitim do ta kalojnë për mbulimin e humbjeve të një viti më parë. Dy anijet “Tigrat 1 dhe 3”, të emërtuar formalisht si impiante lundrues të prodhimit të energjisë elektrike, janë kontraktuar nga qeveria shqiptarë në Prill 2022, në vijim të asaj që dyshja Rama-Balluku e konsideruan si masë ekstreme për përballimin e krizës energjitike të mundshme nga nisja e sulmit të armatosur të Rusisë ndaj Ukrainës.
Sipas kontratës së qerasë, Korporate Elektroenergjitike Shqiptare do të paguajë 63 mijë dollarë në ditë për qiranë dhe sipas kontratës së shërbimeve, KESH do të paguajë edhe 31 500 dollarë në ditë për operimin dhe mirëmbajtjen. Pra për këtë kontratë do të paguheshin 94.500 dollarë në ditë. Në këto kosto nuk përfshihen shpenzimet që do të duhej të kryheshin për të përshtatur portin për qëndrimin e anijeve, lidhjen me rrjetin e transmetimit, sigurimin e objekteve dhe lënda djegëse që do blihej po nga KESH sh.a. Për të mundësuar ardhjen e anijeve do të duhet të kryeshin disa punime paraprake në Triportin e Vlorës.
Ndërsa kriza imagjinare e shpallur nga kryeministri Edi Rama tashmë kishte kaluar, e nevoja për këto anije ishte thuajse zero, nis edhe lëvrimi i milionave të para për t’i bërë funksionale. Në një kohë që operacioni për sjelljen e tyre në Shqipëri dhe kontratat u bënë në kohë rekord, akomodimi i tyre dhe vënia në funksionim nuk ishte më problem e madje edhe me zvarritje. Dy ditë më parë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestuan në Vlorë kundër TEC-eve lundrues. Grupimi i njohur si “Aleanca për Vlorën” i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të hetojë aferën e “Tigrave” lundrues dhe se “SPAK duhet të ndalojë peshkaqenët me kravatë”.
© SYRI.net