Bashkimi Europian nuk do të lëvrojë 112 milionë eurot e programit ‘IPARD-3’ pa u hetuar skandali i fondeve të dhëna nga BE-ja për bujqësinë dhe të keqpërdorura nga qeveria e Edi Ramës me në krye ish-ministren, Frida Krifca.
Në një intervistë për SYRI TV, me moderatore Armela Ferko, gazetari Julian Hoxhaj ndau detaje lidhur me abuzimin e fondeve të BE-së të dhëna për bujqësinë shqiptare, një çështje që ka ngritur alarm për mënyrën se si janë menaxhuar këto mjete nga qeveria.
Hoxhaj theksoi se dy vjet pas publikimit të skandalit, ende nuk ka pasur një hetim të plotë, duke ndikuar kështu në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend.
‘Në korrik të këtij viti u bënë 2 vjet nga publikimi i skandalit me abuzimin e fondeve të fermerëve në Shqipëri.
Fondet e dhëna nga BE dhe sigurisht duke pasur parasysh që ka kaluar një periudhë e tillë kohe ka pasur shumë zhvillime përsa i përket sektorit të bujqësisë, vetë qeveria e ka ulur buxhetin gjatë këtyre 2 viteve si mbështetje për fermerët shqiptarë.
Statistikat tregojnë që fermerët dhe bujqësia në përgjithësi janë në rënie. Sipas INSTAT, bujqësia këtë tremujor ka qenë në rënie dhe i dërguam një kërkesë Zyrës së Delegacionit të BE në Shqipëri dhe Zyrës Kundër Mashtrimit të BE-së, pra OLAF-it.
BE na saktësoi që janë 112 milionë euro para të cilat prej 2 vjetësh nuk shkojnë për fermerët shqiptarë. Janë para të taksapaguesve europianë të cilat janë paguar dhe nuk jepen në ndihmë të bujqësisë shqiptare, për shkak të abuzimit të qeverisë shqiptare. BE thotë se janë 112 milionë euro të cilat mbahen peng për shkak të moshetimit të kësaj çështje nga institucionet shqiptare’, - tha Hoxhaj në SYRI TV.
© SYRI.net