SYRI TV/ Ekspertët e qeverisë japin alarmin: Ndërtimet pa kriter ‘po vrasin’ turizmin! Berisha: Dështim dramatik

14:07, 07/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sezoni turistik i këtij viti u konsiderua si një dështim dramatik nga ana e kreut të PD-së, Sali Berisha vetëm dy ditë më parë. Por kjo deklaratë e Berishës duket se gjen mbështetje edhe tek vetë ekspertët e paguar nga qeveria, të cilët kanë ngritur alarmin se nëse nuk ndërmerren ndërhyrje të konsiderueshme, ky sektor rrezikon të përballet me stanjacion. Sipas ekspertëve, shkaku kryesor i kësaj situate janë ndërtimet pa kriter të strukturave akomoduese si dhe zhvillimi i parregullt i resorteve, që po shkaktojnë probleme mjedisore

Syri TV

Lideri i opozitës, Sali Berisha, dy ditë më parë e cilësoi sezonin turistik të këtij viti një dështim dramatik. Për të mbuluar dështimin në turizëm qeveria po propagandon turizmin elitar, ‘një piramidë mashtrimi, pasi Shqipëria nuk ofron kushtet minimale për këtë lloj turizmi” nënvizoi Berisha nga selia e PD-së. Alarmi i ngritur nga lideri i PD-së por shpesh herë edhe nga përfaqësues të tjerë të opozitës, është ngritur dhe nga ekspertët e paguar nga vetë qeveria, të cilët kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren ndërhyrje të konsiderueshme, ky sektor rrezikon të përballet me stanjacion ose rritje të kufizuar dhe rënie të konkurrencës në një periudhë afatmesme deri në afatgjatë. Në dokumentin ‘Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2025-2030 dhe të planit të veprimit” e publikuar në Fletore Zyrtarë të datës 6 gusht 2025  ekspertët ngrenë alarmin për ndërtimet pa kriter të strukturave akomoduese me qira afatshkurtër dhe të shtëpive të dyta, të cilat ata e etiketojnë me termin –“golemizim’ pra betonizimin e të gjithë bregdetit shqiptar. Po kështu zhvillimi i parregullt i resorteve po shkakton probleme mjedisore, ndërsa zhvillimi i paqëndrueshëm i turizmit po shkakton zemërimin dhe irritimin e popullsisë vendase. Në destinacionet turistike po ushtrohet trysni e tepërt te burimet vendase ndërsa Shqipëria përballet me largime masive dhe të vazhdueshme të forcës punëtore të kualifikuar.

Në dokumentin ‘Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2025-2030 dhe të planit të veprimit”, me kërkesë të qeverisë ekspertët kanë analizuar dy skenare: Skenarin ‘status quo’ ku industria e turizmit në Shqipëri regjistron një shtrirje të modelit aktual, si dhe skenarin e zhvillimit të qëndrueshëm i cili kërkon reforma gjithëpërfshirëse, me një vëmendje të veçantë te rinovimi i kuadrit rregullator dhe ligjor dhe përmirësimi i sistemit të menaxhimit të destinacioneve.

Sipas ekspertëve, sa i përket skenarit të parë, nëse nuk ndërmerren ndërhyrje të konsiderueshme, ky sektor rrezikon të përballet me stanjacion ose rritje të kufizuar dhe rënie të konkurrencës në një periudhë afatmesme deri në afatgjatë.

Sipas kreut të PD-së, Sali Berisha, rënia e turizmit ka si shkak narkoeuron, e cila ka rritur gjithashtu ndjeshëm kostot e jetesës për shqiptarët, ka sjellë rritjen e çmimeve dhe ka shkatërruar prodhimin vendas. Ndërkohë për të përgatitur strategjinë për turizmin deri në 2030 u bë një shqyrtim i hollësishëm i tablosë aktuale të turizmit në Shqipëri. Të dhënat bazë për skenarët u mblodhën nga burime të ndryshme, me fokus kryesor te të dhënat zyrtare nga institucione të tilla si Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, INSTAT dhe Banka e Shqipërisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco