SYRI TV/ Inceneratori fantazëm - Durrësi jep 7.5 mln euro për Sharrën, bashkia shpall tenderin ‘fiktiv’

13:56, 07/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Bashkia e Durrësit ka shpallur një tender prej 7.5 milionë eurosh për depozitimin e mbetjeve urbane në Sharrë, me fitues të paracaktuar dhe pa garë reale, ndonëse inceneratori nuk ekziston. Nga viti 2021 e deri më sot janë paguar 10 milionë euro në shërbim të paplotë pasi impianti i incenerimit nuk është ndërtuar kurrë.

Syri TV

Bashkia e Durrësit ka planifikuar një tender, që duket se është tërësisht formal dhe me fitues të paracaktuar, për depozitimin e mbeturinave. Në Regjistrin e Parashikimeve të Prokurimeve Publike, kryebashkiakja Emirjana Sako ka njoftuar zhvillimin në një kohë të shpejtë të procedurës me objekt “Depozitimi i mbetjeve urbane të qytetit”, me fond limit rreth 740 milionë lekë të reja ose rreth 7.5 milionë euro. Në vitin 2021, Bashkia e Durrësit zhvilloi një tender të mbyllur, pa garë, me procedurën e “negocimit paraprak” për depozitimin e mbetjeve për 4 vjet. Në atë tender mori pjesë vetëm kompania koncesionare e menaxhimit të plehrave në Sharrë të Tiranës, “Integrated Energy bv”. Në përfundim të kontratës 4-vjeçare, autoritetet vendore të qytetit bregdetar kanë vendosur të shpallin tenderin e ri, i cili do të përfundojë sërish në duart e shoqërisë që aktualisht administrohet nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara. Në vitin 2020, kryeministri Edi Rama miratoi një vendim personal për mbylljen e landfillit të Porto-Romanos, duke e vendosur qytetin e Durrësit në një krizë të thellë mjedisore dhe e detyroi që të nënshkruante kontratë 48-mujore me “Integrated Energy bv”, e cila në atë kohë drejtohej nga Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, dy persona që aktualisht janë në kërkim për korrupsion e pastrim parash, në vijim të hetimeve për aferën e inceneratorëve.

Prej vitit 2021, Bashkia e Durrësit rezulton se ka paguar mbi 10 milionë euro për depozitimin e mbetjeve në Sharrë. Pagesat janë kryer për shërbimin e depozitimit, përpunimit dhe incenerimit të mbeturinave urbane. Por, kompania koncesionare, si gjatë kohës kur ishte në duart e privatëve, ashtu edhe aktualisht që menaxhohet nga institucioni shtetëror, nuk e kryen shërbimin e plotë. Në landfillin e Sharrës nuk kryhet procesi i incenerimit të mbetjeve urbane, pasi impianti i djegies nuk është ndërtuar kurrë. Qeveria shqiptare e Edi Ramës nënshkroi në vitin 2016 kontratën për landfillin dhe inceneratorin e sharrës me kosto koncesionare 128 milionë euro dhe me kosto reale shumë herë më të lartë. Kompania koncesionare nuk e ndërtoi asnjëherë inceneratorin, megjithëse Bashkia e Durrësit, njëlloj si ajo e Tiranës, por edhe e Vorës dhe Kamzës, paguajë faturën e plotë, 29 euro për ton, megjithëse kompania nuk ofron të gjithë shërbimin e kontraktuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco