Nga SYRI TV
Teksa lideri i PD, ka publikuar çdo ditë prova dhe fakte për masakrën zgjedhore të 11 majit, e dëshmuar edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR, SPAK jo vetëm që hesht përballë këtyre dëshmive, por vjedhjen e votave e gjen tek opozita.
Kështu ka ndodhur pasditen e kësaj të hëne, ku nëpërmjet një komunikate për mediat, SPAK ka njoftuar se ka çuar për gjykim 5 persona mes tyre edhe ish-kandidatin e opozitës për zgjedhjet e 14 majit 2023 për bashkinë Rrogozhinë, Shkëlqim Hoxha. sipas SPAK, katër shtetas kanë paguar biletat e avionit, që 64 emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të vinin për të votuar në 14 maj kandidatin e opozitës Shkëlqim Hoxha.
Teksa katër persona janë hetuar për korrupsion aktiv në zgjedhje, akuza ndaj Shkëlqim Hoxhës është ajo e mos kallëzimit të krimit, pasi sipas SPAK ka qenë në dijeni për këto raste. Por ky hetim është përtej absurdit dhe qesharakes, pasi vërteton edhe njëherë akuzat e ngritura nga opozita se SPAK është vegël në duart e qeverisë e për pasojë nuk heton krimet zgjedhore të 11 majit. Para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, syri televizion denoncoi me zë dhe figurë patronazhimin e votës nga punonjës të administratës si dhe përfshirjen e grupeve me rekorde kriminale në procesin zgjedhor.
Ndërsa më pas, në datën 12 maji, misioni i OSBE/ODIHR publikoi të dhëna tronditëse të masakrës elektorale. Në raport u deklarua se partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe institucionale, duke përfshirë heqjen e një numri të madh gjobash shtetërore pak para ditës së zgjedhjeve. Gjithashtu në raportin e OSBE u konstatua se ndaj punonjësve publikë është ushtruar presion i jashtëzakonshëm. Në blerjen e votave, sipas këtij raporti janë angazhuar edhe grupet kriminale, për llogari të kandidatëve të Partisë Socialiste.
Patronazhistët kanë frikësuar mbështetësit e opozitës ndërsa ky veprim sipas OSBE-ODIHR është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Por jo vetëm kaq. Prej katër muajsh, lideri i opozitës Sali Berisha ka publikuar qindra orë filmime, dokumenta dhe prova që faktojnë masakrën zgjedhore të 11 majit.
Deri më tani, SPAK jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për të hetuar dhe vënë para drejtësisë ata që tjetërsuan vullnetin e qytetarëve, por me aktin e kësaj të hëne, prokuroria e Posaçme dëshmoi edhe njëherë se krimet zgjedhore për të i bëjnë vetëm mbështetës të opozitës. Të gjitha këto zhvillime vijnë vetëm pak ditë pasi kreu i SPAK, Altin Dumani, habiti jo pak kur u tha gazetarëve se SPAK kishte pasur sukses me parandalimin e krimeve elektorale në 11 maj.
© SYRI.net