'Goditje për qeverinë Rama'/ Koka: Raporti i OSBE-ODIHR zbulon autokracinë e maskuar pas zgjedhjeve të 11 Majit

19:53, 04/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një raport i fundit i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit ngre shqetësime të thella për procesin demokratik në Shqipëri. Gazetari Bledian Koka, i ftuar në edicionin informativ të lajmeve, theksoi se ky raport përbën një paralajmërim serioz, teksa shprehu shpresën që për herë të parë të pasqyrojë me korrektësi realitetin e zgjedhjeve, ndryshe nga raporti i vitit 2021 ku u evidentuan probleme që më pas u shumëfishuan në zgjedhjet e fundit.

Sipas Kokës, informacioni i përmbajtur në raport është marrë nga të dyja palët, mazhoranca dhe opozita, duke forcuar kështu rëndësinë e denoncimeve opozitare. Ai shtoi se versioni final i raportit është dërguar të dyja palëve.

'Ndryshe nga opozita, e cila ka pranuar dhe reaguar ndaj raportit, mazhoranca ka përdorur Ministrin e Jashtëm për të ngritur pretendime të paqena lidhur me procesin zgjedhor, duke tentuar të relativizojë gjetjet dhe shqetësimet e OSBE/ODIHR.'-shprehet ai

Koka gjithashtu përmendi denoncimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili akuzoi kryeministrin Rama për intimidimin e përfaqësuesve dhe vëzhguesve të OSBE/ODIHR gjatë zgjedhjeve. Kjo është tentativa e dytë për të minuar rolin e organizatës ndërkombëtare, por sipas gazetarit, është edhe një sinjal që informacioni është marrë seriozisht nga opozita dhe përbën një hap pozitiv në drejtim të transparencës.

Raporti sipas Kokës, do të jetë problematik për ambiciet e kryeministrit Rama, i cili nga njëra anë pretendon se punon për anëtarësimin në BE, ndërsa nga ana tjetër po avancon drejt instalimit të një autokracie personale.

Letra e zotit Hasani dhe reagimi i opozitës, si dhe përgënjeshtrimi i Hasanit, sipas Kokës tregojnë se mazhoranca nuk po reflekton për ngjarjet e 11 majit, por po trajton OSBE/ODIHR dhe KQZ-në me të njëjtën qasje që tenton të minimizojë përgjegjësitë e veta.

Gazetari përfundoi duke shprehur shpresën që këto tentativa për intimidim të bëhen të dukshme për institucionet ndërkombëtare, në mënyrë që të kuptojnë realitetin e vërtetë politik në Shqipëri dhe të mos mashtrohen nga pretendimet se në vend ka një qeveri demokratike. Ai e konsideron këtë një autogol për demokracinë shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco