Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas komunikimit zyrtar të akuzave nga SPAK, të cilat kishin nisur që në dhjetor të vitit 2019 mbi bazën e “fabrikimeve politike”.
Në një status në FB, Meta shkruan se në takimin e fundit me prokurorët më 27 maj nuk kishte asnjë të re dhe kërkon që tashmë drejtësia të fokusohet në zbardhjen e pagesave të dyshuara të paligjshme për llogari të LSI-së në SHBA. Sipas Metës, mos-veprimi në këtë drejtim është pasojë e presioneve politike dhe jo e mungesës së provave apo fakteve.
Ilir Meta: Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019.
Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 Maj me prokurorët e SPAK-ut.
Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS.
Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh.
© SYRI.net