Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Jashtëm Igli Hasani, ka kërcënuar vëzhguesit e Misionit të OSBE-ODIHR që të ndryshojnë raportin për zgjedhjet e 11 Majit në favor të Qeverisë. Hasani i kërkon misionit që të heqë nga raporti final gjetjet për “garë të pabarabartë”, përdorimin e fondeve, presionin ndaj votuesve si dhe kapjen e mediave. Duke i paralajmëruar se qeveria i ka mbështetur, Hasani u kërkon zyrtarëve të huaj që të hedhin poshtë të gjitha gjetjet e tyre dhe si burim informacioni të bazohen vetëm te qeveria dhe institucionet e kapura prej saj.
Qeveria shqiptare ka tejkaluar çdo limit, duke shkaktuar një skandal të rëndë me presione ndaj Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 Majit. Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka publikuar letrën e firmosur nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, me të cilën Qeveria e Edi Ramës ushtron presion dhe i kërkon Misionit të Vëzhguesve që të ndryshojnë raportin dhe të mos pasqyrojnë në të shkeljet e konstatuara në fushatën dhe procesin e 11 Majit. Rama, nëpërmjet Igli Hasanit, i kërkon OSBE-ODIHR që të fshijë nga raporti konstatimin se zgjedhjet ishin të pabarabarta, fakt ky që ka shqetësuar dhe ka sjellë reagime të forta edhe nga Bashkimi Europian.
“Në këtë kuadër, duhet të shpreh shqetësimin e thellë lidhur me paragrafin hyrës të Deklaratës, i cili përcjell një portretizim dukshëm negativ dhe, sipas nesh, të pabalancuar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Toni dhe mënyra e formulimit të kësaj pjese hyrëse rrezikojnë të errësojnë kontekstin më të gjerë të progresit, përfshirë përmirësimet e rëndësishme demokratike si rritja e transparencës, avancimi i teknologjisë zgjedhore dhe, në mënyrë të veçantë, futja me sukses e votimit nga jashtë vendit.”
Në letrën e tij, ministri Igli Hasani i kërkon OSBE-ODIHR që të fshijë edhe faktin se Partia Socialiste dhe qeveria e Edi Ramës përdori pushtetin dhe fondet në zgjedhje, të cilat në raportin paraprak u ilustruan me fakte konkrete. Por Hasani përdor qëndrimin e Ilirjan Celibashit për të justifikuar.
Gjithashtu, pohimi se partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative nuk është i mbështetur mjaftueshëm, veçanërisht në një vlerësim paraprak. Për shembull, referenca në faqen 2 (par. 4) për “faljen e një numri të madh gjobash shtetërore pak para ditës së zgjedhjeve” nuk merr parasysh sqarimin e dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në letrën e tij të datës 8 maj 2025. KQZ konfirmoi se vendimi i qeverisë për masat administrative të paekzekutuara nuk bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor të Shqipërisë.
Për përdorimin e krimit, policisë, patronazhistëve dhe drejtorëve për t’u bërë presion punonjësve të administratës dhe qytetarëve, Igli Hasani i kërkon OSBE-ODIHR që të mos mbështetet te gjetjet e tyre, por t’i referohen vetëm çfarë u thotë SPAK.
Për më tepër, përmendja në raport e “frikësimit të përhapur të votuesve” duket të jetë bazuar kryesisht në pretendime të paverifikuara. Siç është bërë publikisht e ditur, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka krijuar një task-forcë të posaçme zgjedhore për të hetuar të gjitha raportimet e besueshme për frikësim votuesish dhe shkelje zgjedhore.
Ndërsa OSBE-ODIHR konstaton fushatë shumë të polarizuar, Hasani i kërkon që të thonë të kundërtën, ndërsa i orienton që të fshijnë nga raporti i tyre edhe faktin se mediat janë të kapura nga qeveria.
Në lidhje me vërejtjen se mjedisi mediatik mungon në raportim të pavarur dhe se shumica e mediave perceptohen si të afërta me partinë në pushtet (faqe 3, paragrafi 2), dëshirojmë të rikujtojmë deklaratën e bërë nga Shefi i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve gjatë konferencës për shtyp paszgjedhore, ku u sqarua se “nuk duket të ketë vetëcensurë, siç u raportua në përfundimet tona paraprake.” Besojmë se kjo dallim është thelbësor dhe duhet të pasqyrohet në raportin e shkruar.
Në fund, Hasani nuk nguron as të lëshojë paralajmërimin për zyrtarët perëndimorë, drejtues të Misionit të OSBE-ODIHR, duke u kujtuar mbështetjen që u jep qeveria shqiptare, dhe si këmbim u kërkon që të përgatisin raport përfundimtar vlerësues për zgjedhjet dhe qeverinë.
“Me respekt i bëjmë thirrje Misionit dhe ODIHR-it të sigurojnë një qasje më të balancuar dhe të bazuar në prova në vlerësimet e tyre. Është e rëndësishme që gjetjet paraprake të mos hedhin pa të drejtë dyshime mbi një proces zgjedhor i cili, siç njihet edhe në të njëjtin raport, u zhvillua përgjithësisht në mënyrë profesionale dhe në përputhje me standardet demokratike. Së fundi, dëshiroj të ritheksoj vlerësimin e thellë të autoriteteve shqiptare për rolin e rëndësishëm që misioni juaj luan në mbështetjen e zhvillimit demokratik në Shqipëri. E japim këtë feedback në frymën e një angazhimi konstruktiv dhe bashkëpunimi të vazhdueshëm.”
Kjo letër e paprecedentë, kërcënuese dhe imponuese nga një ministër i qeverisë shqiptare, që ligjërisht duhet të ishte jashtë procesit, të paktën në statusin e ministrit, vjen pas raportit paraprak, ku misioni i OSBE-ODIHR rrëzoi zgjedhjet e 11 Majit.
© SYRI.net