Drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit deri në dhjetor të vitit 2024, Abigeil Voshtina, pranon se ka nënshkruar kontratë të paligjshme për një shumë totale prej 30 mijë eurosh, të cilat janë menaxhuar dhe kontrolluar nga organizatat e drejtuara nga Ajola Xoxe, bashkëshortja e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Këtë rrëfim të sinqertë, por edhe inkriminues, Voshtina e ka bërë para prokurorëve të SPAK-ut, kur është pyetur për fondet e përdorura për aktivitetin 'Festivali Ndërkombëtar i Dancit'. Të dhënat e siguruara paraprakisht nga Prokuroria e Posaçme tregonin se drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit, Voshtina, kishte nënshkruar dy kontrata shërbimi me kompaninë ‘Rametal’ të Elman Abules.
Por, pas këtyre kontratave, sipas deklarimeve të Abigejl Voshtinës, qëndronte Ajola Xoxe dhe qendra ‘Harabel’. “Kontratat janë hartuar me kërkesë të Ajola Xoxes, e cila kishte përzgjedhur operatorin dhe kishte përcaktuar shumën.
Unë nuk kam pasur asnjë kontakt me përfaqësuesit e shoqërisë “Rametal”. Ajola bëri të gjithë diskutimet financiare dhe teknike, duke përdorur një ekonomiste të qendrës “Harabel”, ka deklaruar Voshtina para grupit hetimor.
Ish-drejtoresha e Teatrit ka deklaruar se kontratat nuk ishin konform ligjit, por se ajo është detyruar t’i nënshkruajë “për shkak të presionit dhe ndikimit që Ajola Xoxe ushtronte përmes emrit të bashkëshortit të saj, Erion Veliaj”.
Ky aktivitet, megjithëse formalisht organizohej nga Teatri Kombëtar, është kontrolluar plotësisht nga Ajola Xoxe dhe kjo ka sjellë përplasje mes saj dhe drejtoreshës Voshtina. “Unë kisha rezervuar tre rreshta për personalitete të ftuar sipas protokollit, por Ajola kishte marrë përsipër shpërndarjen e biletave dhe i kishte shpërndarë vetë, pa dijeninë e stafit të Teatrit të Operas”, deklaroi më tej Voshtina.
Shkeljet në nënshkrimin e kontratave mes Teatrit të Operas dhe kompanisë ‘Rametal’ së Abules, e cila duket se në këtë rast është përdorur vetëm si mbulesë për Ajola Xoxen, janë konstatuar edhe nga drejtoresha e auditimit e Teatrit Kombëtar në atë kohë. Kjo e fundit, e pyetur në Prokurorinë e Posaçme, deklaroi se ka pasur debate me drejtoreshën e përgjithshme, Abigejl Voshtina, pasi veprimet për këtë kontratë binin në kundërshtim me legjislacionin fiskal dhe menaxhimin e fondeve publike.
Këto të dhëna gjenden në dosjen e plotë që Prokuroria e Posaçme ka hartuar për kryebashkiakun në detyrë të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxe, si edhe disa biznesmenë. Dosja hetimore përmban disa vepra penale, përfshirë korrupsion, pastrim parash e deklarim të rremë të pasurisë.
© SYRI.net