Pasi ndërtoi qendra imigracioni në Shqipëri që tani janë bosh, qeveria italiane ka vendosur të kthejë njërën prej tyre në një qendër paraburgimi jashtë territorit të saj. Por kjo do të përsërisë problemet tashmë të vërejtura në qendrat e paraburgimit brenda Italisë.
Objekti në Gjadër, Shqipëri, u ndërtua për të akomoduar dhe përpunuar kërkesat për azil të meshkujve të rritur që anijet italiane ndalonin ose shpëtonin në det. Sipas marrëveshjes së vitit 2023 midis Italisë dhe Shqipërisë, burrat nga vendet që Italia i konsideron si "të sigurta" do të çoheshin drejtpërdrejt në Shqipëri, përtej Detit Adriatik, dhe do t’i nënshtroheshin një procedure të përshpejtuar azili me supozimin se nuk kishin nevojë për mbrojtje.
Por gjykatat italiane detyruan qeverinë të sillte në Itali ata pak burra të dërguar në Shqipëri sipas kësaj skeme, duke ngritur me të drejtë pyetjen nëse vendet që Italia i liston si "vende të sigurta të origjinës" janë vërtet të sigurta për të gjithë. Gjykata Europiane e Drejtësisë pritet të vendosë mbi këtë çështje, por ndërkohë, objektet, pjesë e një investimi të vlerësuar në 800 milionë euro, janë bosh.
Për këtë arsye, qeveria italiane lëshoi një dekret me 28 mars që lejon përdorimin e këtyre objekteve për mbajtjen e emigrantëve të parregullt që ndodhen aktualisht në Itali dhe që janë urdhëruar të ndalohen në pritje të dëbimit.
Italia tashmë ka 10 qendra paraburgimi ku emigrantët mund të mbahen deri në 18 muaj ndërsa qeveria përpiqet t’i dëbojë. Megjithatë, Italia nuk arrin të dëbojë shumicën e tyre – në vitin 2023, vetëm 10% e personave me urdhër dëbimi u larguan nga vendi. Një raport i vitit 2021 i përshkroi këto qendra si "vrima të zeza", ndërsa një raport i vitit 2024 i denoncoi ato si një sistem të kushtueshëm dhe çnjerëzor.
Hapja e një qendre të tillë në Shqipëri do të përsërisë problemet e hasura tashmë në Itali, si dhe do të shtojë të reja, përfshirë pengesat në aksesin në ndihmë juridike, duke vështirësuar llogaridhënien në rast të akuzave të besueshme për abuzime. Për më tepër, nuk ka asnjë tregues se kjo masë do të rrisë gatishmërinë e vendeve pritëse për të pranuar të deportuarit – pengesa kryesore për dëbimet.
Ky veprim vjen pak pasi Komisioni Europian mbështeti idenë e krijimit të "qendrave të kthimit" jashtë Bashkimit Europian në propozimin e tij të fundit për Rregulloren e Kthimeve. Përpjekjet për të shmangur përgjegjësinë mbi emigracionin dhe për t’i mbajtur njerëzit larg syve janë mizore dhe jorealiste.
Në vend që të ndjekë marrëveshje të kushtueshme dhe të dyshimta për t’iu shmangur përgjegjësive të saj, Italia – dhe BE-ja në tërësi – duhet të investojë në menaxhimin e emigracionit në një mënyrë humane dhe racionale./ Humans Right Watch
© SYRI.net