VIDEO/ SPAK-Veliaj si lule ‘mos më prek’

21:44, 24/04/2024
A+ Aa A-

Nga Julian Hoxhaj

Muaji mars u mbyll me dy aksione të prokurorisë së Posaçme SPAK. Më 13 mars u arrestua kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi, i cili dyshohet se nëpërmjet pronarëve fiktiv Valter Begaj dhe Ervis Lami, kishte regjistruar dy kompani, të cilat përfitonin tendera publikë.

Dy javë më vonë, në datën 28 mars, SPAK kreu gjithashtu një tjetër aksion, këtë herë në bashkinë e Tiranës. Bashkëpunëtorët e ngushtë të Erion Veliajt, Redi Molla dhe Mariglen Qato, u arrestuan.

Edhe ata, si në rastin e kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, kishin përdorur miq dhe familjarë të tyre, për të krijuar kompaninë ‘5 D Konstruksion’. Duke shfrytëzuar pozitat e tyre drejtuese në bashkinë e Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato, i kishin dhënë vetes 45 tendera publikë dhe tre leje ndërtimi kompanisë së tyre.

‘5 D Konstruksion’, kishte përfituar tendera jo vetëm nga vetë Molla e Qato, por edhe nga drejtorë të tjerë në bashkinë e Tiranës, përfshirë edhe vetë kryebashkiakun Erion Veliaj, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor të bashkisë së Tiranës.

Për të dyja rastet, ‘Plug’ ka kryer disa investigime, duke zbardhur skemat korruptive që përdorte kreu i ARRSH Evis Berberi në rastin e kompanive ‘NET Group’ dhe ‘DAAM shpk’, si dhe drejtorët e bashkisë Tiranë, Redi Molla dhe Mariglen Qato në rastin e shoqërisë ‘5 D Konstruksion’.

Në këtë emision, ‘Plug’ do të analizojë me kujdes dosjet hetimore në të dy rastet, pasi ndonëse skema është e njëjtë në çdo detaj, hetimet dhe standardet e përdorura nga SPAK deri në këtë moment, nuk shkojnë në të njëjtën kahje….

Le t`I shohim faktet me radhë, për të kuptuar pse SPAK ka përdorur standarde të ndryshme në dosjen ‘Berberi’ dhe dosjen ‘Qato-Molla’, ndonëse veprat penale për të cilat akuzohen dhe skema që kanë ndjekur është pothuajse e njëjtë.

Në hetimet për ish-kreun e ARRSH Evis Berberi, u vunë në pranga dhe dy bashkëpunëtorët e tij në biznes, Valter Begaj dhe Ervis Lami. Të dy këta persona, u përdorën nga Evis Berberi për të regjistruar dhe më pas administruar kompaninë ‘DAAM shpk’.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, Evis Berberi merrte vazhdimisht të ardhura nga kompania ‘DAAM shpk’, duke pasur akses direkt në llogaritë e saj bankare dhe jo vetëm.

Ndaj Evis Berberit, Valter Begajt dhe Ervis Lamit, SPAK ngriti të paktën tre akuza: Shkelja e barazisë në tendera, korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike, dhe pastrimi i produkteve të veprës penale.

Dy javë pas arrestimit të Evis Berberit, SPAK vendosi nën sekuestro edhe kompaninë e tij DAAM shpk si dhe shumë prona dhe automjete të regjistruara për llogari të kësaj kompanie.

Shoqëria DAAM shpk, përfitoi të paktën 9 tendera publikë me vlerë disa qindra mijë euro nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe institucione të tjera të drejtuara nga Evis Berberi, i cili më pas arrinte të merrte fitime të majme nga kjo shoqëri.

Siç përmendëm më sipër, e njëjta skemë si ajo e kompanisë së kreut të ARRSH, ishte përdorur dhe nga drejtorët e Erion Veliajt, Redi Molla dhe Mariglen Qato. Ata krijuan kompaninë ‘5 D Konstruksion’, duke e regjistruar në emër të miqve dhe familjarëve të tyre.

Në rastin e aferës ‘5 D Konstruksion’, Mariglen Qato, përdori shokun e tij Eduard Meta dhe vjehrrin bukëpjekës të vëllait, Alfred Qato, për të regjistruar kompaninë. Më pas, vjehrri bukëpjekës ia shet aksionet e kompanisë, punonjësit të tij, Nestor Muhametllari.

Për këtë aferë në pranga u vunë:

Redi Molla, ish-Drejtor i Ujësjellësit të Tiranës, i akuzuar për disa vepra penale: 1- Korrupsion pasiv në 7 raste, nga këto 4 të kryera në bashkëpunim. 2- Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurisë, kryer në 5 raste.

MARIGLEN QATO, ish-Drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë, i akuzuar për veprat penale: 1- Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë fuksione publike, kryer në 4 raste dhe 2- - Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurisë.

TAULANT TUSHA, ish-Drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, i akuzuar për veprat penale: 1- Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në Tendera, kryer dy herë.

Ndërkohë, SPAK Vendosi dhe 6 masa sigurie detyrim paraqitje pranë oficerit të policisë gjyqësore dhe pezullim nga ushtrimi i detyrës për disa drejtorë të tjerë, të cilët dyshohet se i dhanë tendera kompanisë së Redi Mollës dhe Mariglen Qatos.

Masa detyrim paraqitje u vendos dhe për Nestor Muhametllarin, pronarin fiktiv të kompanisë ‘5 D Konstruksion’.

Masa e lehtë e sigurisë për Nestor Muhametllarin është një nga pikëpyetjet e mëdha, të standardit të dyfishtë që ka përdorur SPAK në rastin e kompanisë ‘5 D Konstruksion’ dhe rastin e shoqërisë ‘DAAM shpk’.

Le t`i analizojmë me radhë.

Nestor Muhametllari, është vërtetuar tashmë nga SPAK, se është pronar fiktiv i kompanisë ‘5 D Konstruksion’.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se Nestor Muhametllari, ishte një vartës i Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, i cili kishte detyrën kryesore ndarjen e parave për pronarët real.

Nga hetimet rezulon madje, se Nestori nuk kishte të drejtë as të emëronte apo shkarkonte punonjësit nga shoqëria ‘5 D Konstruksion’.

Ervis Lami, ka bërë të njëjtën gjë në pamje të parë, si Nestor Muhametllari. Si fillim emri i tij u përdor për shitblerjen fiktive të aksioneve të kompanisë ‘DAAM shpk’. Më pas, sipas komunikimeve të zbuluara nga telefonat e sekuestruar, ky shtetas është përdorur për plotësimin e letrave dhe shpërndarjen e parave sipas kërkesave të shefit të tij Evis Berberi.

 ‘Nga bisedat midis Ervis Lamit dhe Valter Begajt rezulton se më datë 1 Prill 2020, nga llogaria bankare e shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.K, pranë një banke, shtetasi Evis Berberi ka tërhequr në cash shumën monetare prej 30 000 euro.

17 Prill 2020

Ervis Lami dhe Valter Begaj, biseda:

Valteri: ‘Të lutem bëj faturën për ‘DAAM’. Kap ndonjë projekt’.

22 Prill 2020,

Ervis Lami i dërgon sms Valter Begaj:

‘Pass i ri email ‘Damm Tirana2019.’

Të njëjtën mesazh Ervis Lami ia nis edhe shtetasit Evis Berberi, po në këtë datë.

15 Korrik 2020

Valter Begaj i shkruan Ervisit:

‘20 te Enis, 20 te Berberi ose rifuti përsëri.

Rreth 42 euro janë më duket’.

Në bisedat rezulton se Valter Begaj në fillim ka informuar shtetasin Ervis Lami se gjendeshin 42 000 euro dhe e ka udhëzuar atë që t’i japē 20 000 euro Evis Berberit.

Por, më vonë i thotë që 22 000 euro t’i fusë brenda, sepse shtetasi Evis Berberi kishte marrē 20 000 Euro nga arka e shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k.

Nga verifikimi i llogarisë bankare të shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k., në bankën ‘R….’, rezulton se më datë 16 Korrik 2020, Ervis Lami ka derdhur në llogarinë bankare të shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k., shumën prej 21 000 Euro.

Në një tjetër mesazh Ervis Lami i konfirmon Valterit që atë tenderin e energjisë dhe të rrugës e kishin kapur.

Ervis Lami sms Valterit:

‘Nëse do kapim ndonjë gjë patjetër’

Valteri i shkruan: ‘Atë të energjisë e kemi ok. Të shohim këtë të rrugëve’.

Në rastin e kompanisë së Evis Berberit, SPAK veproi duke arrestuar Ervis Lamin si pjesë të skemës së shit-blerjes fiktieve të aksioneve të kompanisë ‘DAAM’.

Nestor Muhametllari, dhe pse ka kryer të njëjtat vepra penale si Ervis Lami, në këtë rast me shoqërinë ‘5 D’, SPAK ka hezituar, që së paku të përdorte të njëjtin standard që ka vendosur po vet në arrestimin e pronarit fiktiv të kompanisë ‘DAAM’ shpk.

Standardet e dyfishta nuk mbarojnë me kaq, referuar këtyre dy çështjeve në hetim.

Kur vjen puna për ndjekjen e parave, SPAK vendos të amnistojë pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës, kryetarin e bashkisë Erion Veliaj.

Dy javë pasi arrestoi kreun e ARRSH Evis Berberi dhe pronarët fiktiv të kompanisë së tij, SPAK sekuestroi kompaninë DAAM shpk dhe pronat e dyshuara të Evis Berberit, të përfituara nga nëpërmjet kësaj skeme korruptive.

Në vijim të njoftimeve të mëparshme, për faktin penal të rezultuar dhe personat e dyshuar Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.164, datë 18.03.2024, ka vendosur:

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

2. Vendosjen e masës së sigurimit pasuror ‘sekuestro preventive’ mbi pasuritë e mëposhtme:

· Kuotat e shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k., me ortak personin nën hetim Valter Begaj. dhe administrator personin nën hetim Ervis Lami

· Pasurinë e paluajtshme e llojit ‘arë’, me sipërfaqe 25,100 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k.

· Pasurinë e paluajtshme e llojit ‘arë’ me sipërfaqe 1,000 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k.;

· Pasurinë e paluajtshme e llojit ‘arë’, me sipërfaqe 1,080 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k.;

· Pasurinë e paluajtshme e llojit ‘arë’, me sipërfaqe 2,055 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k.;

· Pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe 5,000 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë ‘DAAM’ sh.p.k.

Si dhe automjetet: Skoda Fabia, JEEP, BMV, FORD, DAYANG, KIA dhe Hyndai.

 

Edhe pse kanë kaluar katër javë nga aksioni dhe arrestimi i shtabit elektoral të Erion Veliajt, nuk kemi ende një njoftim nga prokuroria e posaçme për sekuestrimin e shoqërisë ‘5 D konstruksion’ apo aseteve të shtetasve nën hetim të krijuar nëpërmjet fondeve publike, të përfituara nga kjo skemë kriminale.

Duket fare qartë se SPAK ka vendosur të lërë të lirë Nestor Muhametllarin, administratorin e kompanisë ‘5 D’, i cili është i autorizuar për kryerjen e të gjitha veprimeve për tjetërsimin e aseteve dhe zhdukjen e këtyre parave nga llogaritë bankare të kësaj kompanie.

Nuk dihet përse SPAK ka vepruar me dy standarde, por një gjë është e sigurt se duke vepruar në këtë mënyrë, ka amnistuar deri më sot kryetarin e Bashkisë Tiranë, e mbi të gjitha ka lejuar me vullnet të plotë zhdukjen e parave publike.

Nëse krahasojmë përfitimet që dy kompanitë kanë marrë si shkak i pozitës së pronarëve të tyre në institucionet shtetërore, shoqëria ‘5 D’ e Redi Mollës dhe Mariglen Qatos janë shumë më të larta se ato që përfitojë Evis Berberit, me kompaninë e tij.

DAAM shpk mori vetëm 9 tendera në vlerë disa qindra mijëra euro nga ARRSH dhe disa institucione të tjera, dhe tashmë është e sekuestruar.

Shoqëria ‘5 D’ përfitoi mbi 45 tendera nga Bashkia e Tiranës, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, si dhe bashki e institucione të tjera, por ende nuk ka një masë të sekuestros preventive, vlera e të cilëve shkon në rreth 30 milionë euro.

Kjo kompani, ka ndërtuar edhe tre pallate, vlera e të cilëve në treg shkon mbi 20 milionë euro. Një pjesë e këtyre pasurive janë ende në pronësi të kësaj kompanie.

A po amnistohen qëllimisht paratë e grabitura nga Erion Veliaj dhe Drejtorët e tij tashmë në bankën e të akuzuarve!!!!!

Kësaj pyetje duhet t`i përgjigjet SPAK!

Një tjetër mega aferë që përfshinë Erion Veliajn dhe shtabin e tij elektoral është ajo e inceneratorit të Tiranës.

Hetimet për këtë aferë kanë nisur që në vitin 2020 dhe ende sot kemi nën akuzë Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Taulant Tushën dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, zyrtarë të dorës së dytë.

Mbrëmjen e 31 janarit, në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, bëri dy deklarata të bujshme. Ai u shpreh se Erion Veliaj është pronar faktik i inceneratorit të Tiranës, ndërsa tha se nëse do hetohet me themel dosja e djegësit inekzistent të sharrës, do të shohim llahtari.

Sinkron Arben Ahmetaj, për pronarin faktik

Emisioni ‘Plug’, ka investiguar disa javë më parë mbi pronarët faktik dhe ata me letra të inceneratorit të Tiranës, duke sjellë fakte për lidhjet e Erion Veliajt me Mërtirin, Zoton, Caffaglionen, Prezecin, etj.

Plug sot po publikon një dokument, të rreth një viti më parë, që tregon përgjegjësinë direkte të Erion Veliajt mbi inceneratorin e Tiranës.

Më 10 korrik 2023, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, me një shkresë dërguar bashkisë së Tiranës, ngrinte alarmin për dështimin e mbledhjeve të Njësisë së Zbatimit të Projektit, pasi dy anëtarët e caktuar nga bashkia e Tiranës nuk shkonin në këto mbledhje.

Në këtë shkrese Belinda Balluku rendit disa shkresa drejtuar Erion Velisë për vlerësimin e pjesëmarrjes në mbledhjet e NJZP të stafit të Bashkisë Tiranë.

Në shkresë Balluku citon se:

Kontrata koncensionare ‘Për Ndërtim Lendfilli, Inceneratorit dhe rehabilitimit të Venddepozitimeve Ekzistuese Tiranë dhe Prodhimit të Energjisë’ monitorohet nga Njësia e Zbatimit të Projektit e cila është struktura administrative e ngarkuar për ndekjen, zbatimin e kushteve dhe përgjegjësive kontraktuale, ushtrimin e mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe kryerjen e proceseve të nevojshme të koordinimit të veprimeve nëpërmjet Autoritetit Kontraktor dhe Koncensionarit. Përmes Urdhrit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Nr.178 datë 06.11.2017 ‘Për krijimin e Njësisë se Zbatimit të Projektit’. i ndryshuar Z.Henrik Hysenbegasi (titullar në Bashkinë Tiranë) është caktuar Kryetar i Njësisë së Zbatimit të Projektit.

Më pas në shkresën dërguar Bashkisë Tiranë Belinda Balluku i rikujton Kryebashkiakut Erion Veliaj se nga Autoriteti kontraktor janë bërë disa komunikime zyrtare për të vlerësuar prezencën e stafit të tyre si dhe konfirmimin apo zëvendësimin e tyre për të siguruar mbarëvajtjen e punës së NJZP, e përkatësisht:

Shkresa me nr.4722/3 date 17.10.2022, lënda ‘Mbi problematikën e ngritur nga Shoqëria Integrated Energy BV SPV’ drejtuar Bashkisë Tiranë.

Shkresa me nr.4722/4 date 29.12.2022, lënda ‘Shkresë e përsëritur’ drejtuar Bashkisë Tiranë

Shkresa me nr.2647, datë 09.03.2023, lënda ‘Shkresë e përsëritur’ drejtuar Bashkisë Tiranë

Aktualisht, pranë Autoritetit Kontraktor nuk ka ardhur asnjë komunikim zyrtar nga Bashkia Tiranë.

Zv Kryeministrja Belinda Balluku e mbyll shkresën duke thënë se:

Në perfundim, nënvizojmë se mos ushtrimi i detyrave të NJZP-së, mungesa e pjesëmarrjes/pranisë në takimet periodike, mungesa e monitorimit të grafikut të punimeve dhe mos raportimi pranë Autoritetit Kontraktor nëse jemi në kushtet e mos përmbushjes së detyrimeve kontraktual, dhe/ose në kushte penaliteti, shkakton vonesa dhe problematika në realizimin e projektit, me rrezik cënimin e interesave të palës shtet. 

Shihet fare qartë se nga ky komunikim i Belinda Ballukut me Bashkinë Tiranë Njësia e Zbatimit të Projektit, ka vite që nuk funksionon dhe interesat e palës shtet tashmë janë cenuar siç dhe po faktohen prej kohesh nga opozita, pasi Incenerator ne landfillin e Sharrës ende sot NUK KA.

Në 8 janar të këtij viti, këto që thotë në shkresë, Belinda Balluku i konfirmoi edhe publikisht, duke ia faturuar me zë dhe figurë përgjegjësinë e dështimit të inceneratorit të Tiranës, Erion Veliajt.

Situata bëhet dhe më e qartë në shkresën që Administratori Shtetëror i dërgon Ministrisë së Infrastruktures dhe Energjisë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Bashkisë Tiranë.Shkresa me nr. 692 prot, datë 09.11.2023, lënda ‘Mbi mosmbledhjen e plotë të Njesisë së Zbatimit të Projektit’Në shkresë citohet se:

Gjatë mbledhjeve të Njësisë së Zbatimit të Projektit, referuar dhe procesverbaleve përkatëse të takimeve, vazhdon e njejta situate, siç edhe ju kemi njoftuar me shkresa disa herë më parë. Pra, përgjatë më shumë se dy viteve, vazhdon mungesa e shumicës së anëtarëve të NJZP-së. Mbledhjet kolegjiale të NJZP-së, në takime periodike, si strukturë administrative mbikëqyrëse, monitoruese, vlerësuese e koordinuese e punimeve, janë shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e projektit, pasi jo vetëm që është detyrim ligjor/nënligjor, por kanë dalë dhe mund të dalin një sërë problematikash për këtë projekt kompleks dhe të rëndësishëm që kërkohet t’u jepen zgjidhje. Përndryshe ky projekt rrezikohet seriozisht.

Në fund shkresa mbyllet:

Po kështu, u kërkojme Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, dhe veçanërisht Bashkisë Tiranë-dy anëtarët e së cilës mungojnë prej dy vitesh, që anëtarët e caktuar, të marrin pjesë në çdo mbledhje të rradhës së NJZP-së, me qellim mos dështimin e mbledhjeve të NJZP-së dhe kryerjen e funksioneve përkatëse.

Nga këto komunikime zyrtare shihet qartë se me urdhër të Erion Veliaj është bllokuar qëllimisht puna për Njësinë e Zbatimit të Projektit.

Me veprime dhe mosveprimet e tij, i vënë në dijeni disa herë nga Belinda Balluku dhe Arjan Baci, kryetari Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ka kryer një sërë veprash të rënda penale duke i shkaktuar shtetit shqiptar dhe veçanërisht qytetarëve të Tiranës një dem prej 130 milionë eurosh.

Por edhe në këtë rast, Erion Veliaj ende nuk është marrë me përgjegjësi penale, për aferën qindra milionë euro të inceneratorit të Tiranës.

Më 27 janar 2024, agjentët e BKH, kryen kontrolle dhe dyshohet se kanë sekuestruar dokumente në bashkinë e Tiranës. Fillimisht, është kryer kontroll në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ku janë sekuestruar një sërë dokumentesh. Kjo drejtori prej disa muajsh drejtohet nga Ilda Qazimllari, e cila u emërua në këtë post fill pas arrestimit të Taulant Tushës.

Ilda Qazimllari ka qenë gjithashtu anëtare e Njësisë së Zbatimit të Projektit të inceneratorit të Tiranës.

Agjentët e BKH-s kanë kryer kontrolle edhe në zyrat e AKUM dhe më specifikisht në zyrën e Arben Kaçorrit, i cili është anëtarë i njësisë së zbatimit të projektit.

Kontrolle të imtësishme ka patur edhe në zyrën e Henrik Hysenbegasit, Drejtor i Projekteve në Bashkinë e Tiranës, i cili ishte gjithashtu kryetar i Njësisë së Zbatimit të Projektit për Inceneratorin e Tiranës, si përfaqësues i Bashkisë Tiranë.

Përzgjedhja e Qazimllarit në Njësinë e Zabtimit të Projekteve dhe më pas drejtoreshë e shërbimeve Publike, nuk ishte e rastësishme.

Ilda Qazimllari, në bashkinë e Tiranës, me urdhër dhe miratimin e Erion Veliajt ka mbajtur disa funksione,

Siç shprehet me zë e figurë në vitin 2017 në inaugurimin e pazarit të ri, Erion Veliaj e cilëson këtë zonjë si ‘xhadën’ e punëve publike, e cila pasi ishte kthyer në terrorin e kompanive, pas këtij projekti do të firmoste letrat edhe për ndërtimin e disa shkollave në Tiranë.

Ilda Qazimllari, vartëse besnike në Drejtorinë e Përgjithshme të Punëve Publike, pas arrestimit të këtij të Taulant Tushës, me firmën e Erion Veliaj merr një pjesë të mirë të kompetencve të këtij të fundit.

Por nuk mjaftohet me kaq, Erion Veliaj në datën 14 dhjetor të vitit 2023, zëvendëson Taulant Tushën me Ilda Qazimllarin në Këshillin e Administrimit të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë.

Ilda Qazimllari nuk mund të bënte përjashtim nga kultura korruptive kriminale e bashkisë Tiranë. Njësoj si homologët e saj, kjo zyrtare publike shkëlqen edhe si biznesmene.

Edhe pse në dokumente zyrtare emri i saj është Ilda Vako, Erion Veliaj në shkresa e emëron atë me mbiemrin e vajzërisë, Ilda Qazimllari.

Nuk e dimë nëse bëhet për të fshehur diçka, por ajo që dimë mirëështë se Ilda Vako (qazimllari) është regjistruar në qendrën kombëtare të biznesit si person fizik. Adresa e deklaruar e emailit është ilda.qazimllari@gmail.com.

Në vitin 2020, Ilda Vako (Qazimllari) regjistrohet si person fizik në qendrën kombëtare të biznesit.

Objekti i veprimtarisë së saj është: Projektim Arkitektonik.

Xhada e bashkisë, e quajtur kështu nga Veliaj e jo nga ne, pasi i shtiu frikën gjithë bizneseve që përfitonin para për punë publike, rezultoi shumë e suksesshme dhe në biznesin e saj privat.

Nuk e dimë ku e gjente kohën Xhada, pasi punonte me orë shumë të gjata në disa funksione njëkohësisht në bashki, por sipas vetëdeklarimit në QKB, biznesi i saj ka fituar deri në 90 mijë euro në vit.

Për dy vite, Ilda Qazimllari, i ka faturuar bizneseve shumën 180 mijë euro, me një fitim neto prej rreth 155 mijë euro.

Nuk kemi informacion nëse kompanitë e faturuara kanë përfituar tendera publikë apo lehtësira nga kjo zonjë, prandaj këto fakte e të tjera që mund të dalin nga hetimet, janë prova e radhës nëse SPAK e ka seriozisht hetimin e grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga kryetari bashkisë Tiranë, Erion Veliaj…

Emisioni Plug do të vazhdojë të investigojë drejtorët e tjerë të përfshirë në mega aferën e inceneratorit të Tiranës e ku radhën e ka Alban Dokushi, drejtorit të cilit i humbi prona në sharrë, e jo vetëm…

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco