SYRI TV/ SPAK iu komunikon akuzën 3 drejtorëve të '5D', burime: Vijojnë hetimet për gjetjen e provave

17:54, 23/04/2024
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar iu ka komunikuar akuzat disa prej ish-zyrtarëve të arrestuar në kuadër të dosjes “5D”. Burime të besueshme konfirmojnë se Mariglen Qatos, Redi Mollës dhe Taulant Tushës iu është komunikuar akuza për veprat penale korrupsion pasiv dhe mosdeklarim pasurie. Burime pranë SPAK i thanë Syri Tv se një hap I tillë është ndërmarrë për të parandaluar parashkrimin e veprës penale të mosdeklarimit të pasurisë që ka një afat 5-vjeçar që nga kryerja e saj. Por nga ana tjetër hetimet ndaj tyre dhe zyrtarëve të tjerë vijojnë në mënyrë intensive në disa drejtime, pasi me komunikimin e akuzave për të paktën 3 ish-zyrtar, nuk ka përfunduar ende faza hetimore për mbledhjen e fakteve dhe provave nga SPAK. Kjo e fundit firmosi disa javë më parë 3 masa sigurie arresti në burg për, Redi Mollën, ish-Drejtor i Ujësjellës Kanalizime në Bashkinë Tiranë, Taulant Tushën, ish- Drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Mariglen Qaton, ish-Drejtor Inspektoriatit së Mbrojtjes së Territorit, në Bashkinë Tiranë. 

TABELA: DREJTORËT E BASHKISË NË BURG

REDI MOLLA, ish-Drejtor i Ujësjellës Kanalizime në Bashkinë Tiranë

TAULANT TUSHA, ish- Drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës

MARIGLEN QATO, ish-Drejtor Inspektoriatit së Mbrojtjes së Territorit, në Bashkinë Tiranë

6 masa të tjera sigurie që u miratuan gjithashtu nga gjykata ishin detyrim paraqitje, ku bëjnë pjesë ish-anëtarë komisioni të vlerësimit të ofertave, drejtues sektorësh e drejtorish në Bashkinë e Tiranës apo përfaqësues të kompanisë “5D konstruksion”. 

TABELË TRANSPARENTE: DREJTORËT E BASHKISË NË ‘DETYRIM PARAQITJE’

DEBORAH KEÇI, Drejtuese në “Klubin Sportiv Tirana”, në Bashkinë Tiranë

JULIAN ZANAJ,  Drejtor i Prokurimeve në Bashkinë e Tiranës

EGLANTINA ZERE, Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit në Bashkinë Tiranë 

ALBANO JANKU, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit të Burimeve Njerëzore në Bashkinë Tiranë

NESTOR MUHAMELLARI, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k

ENTON PUNAVIJA, Drejtor i Drejtorisë së Transportit në Bashkinë e Tiranës 

Përmes kësaj kompanie që u provua nga SPAK se de fakto është në posedim të Redi Mollës e Mariglen Qatos, u fituan dhjetra prokurime publike. Ndaj zyrtarëve vendor, janë duke u kryer edhe veprime hetimore që kanë të bëjnë me pasuritë e tyre dhe burimin e krijimit nëse është i ligjshëm ose jo. Nga dosja “5D”, u amnistua kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, përtej akuzave dhe pretendimeve nga aktorë të ndryshëm përfshirë edhe në kallëzimin e bërë nga Belind Këlliçi, mbi bazën e të cilit nisi hetimi. Ndërsa në arsyetimin e gjykatës pa iu përmendur emri, evidentohet roli i tij si titullar i autoritetit kontraktor Bashkia Tiranë në të paktën 3 procedura prokurimi. Ndërkohë këtë të enjte ish-drejtori i Ujësjellësit Redi Molla u ‘rrëzua në Gjykatën e Posaçme ku kërkonte heqjen e sekuestros mbi një telefon të bashkëshortes së tij. Celulari në fjalë pritet të kalojë në sitën e hetuesve sikurse pajisjet e sendet e tjera të sekuestruar me qëllim gjetjen e provave të mundshme.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco