Berisha: RAI italian tregoi se drejtësia është e inkriminuar si kurrë më parë

Berisha: RAI italian tregoi se drejtësia është e inkriminuar si kurrë më parë

10:41, 23/04/2024
A+ Aa A-

FJALA E KRYETARIT TË PD. SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta ju dhe oratorëve tuaj të mrekullueshëm.

Demokrate dhe demokratë, qëndrestare dhe qëndrestarë, beteja jonë për të vërtetën, beteja jonë kundër korrupsionit, kundër vjedhjes së shqiptarëve, beteja jonë kundër krimit dhe lidhjeve të tij ndërkombëtare, kundër korrupsionit dhe lidhjeve të tij ndërkombëtare, po ushton gjithnjë e më shumë në Shqipëri, në Europë dhe në botë.

Mbrëmë publiku italian ndoqi një nga dokumentarët më tronditës në historinë e televizioneve italiane. Ndoqi një dokumentar kushtuar mafies shtetërore shqiptare. Një dokumentar të faktuar se qeveria, kreu i saj janë një mafie kokaine, janë një mafie heroine, janë një mafie droge, e rrezikshme për Shqipërinë, e rrezikshme për Italinë, e rrezikshme për Europën.

Të dashur miq!

CCdo orë që kalon, çdo ditë që kalon sjell dëshmi tronditëse se çfarë bëhet me fatin e shqiptarëve. Se si luhet me fatin e tyre. Se si shkelmohet mbi qenien e tyre.

Çdo ditë që kalon fakton kontrollin e plotë dhe total të asaj që iu serviret shqiptarëve si drejtësi e re, drejtësi e krimit, drejtësi e narkoshtetit, drejtësi e kleptokracisë. Çdo ditë që kalon është një apel për ne që të marrim fatin në dorë.

Dokumentari faktonte se Olsi Rama ishte eksponent kryesor i klanit të Hakmarrjes për Drejtësi të kokainës së Xibrakës. Fakton ato që kemi denoncuar me qindra herë se Olsi Rama ishte personi kryesor me Genti Xhixhën, Ermal Hoxhën, Gentian Gjonajn që instaluan në Xibrakë fabrikën më të madhe të kokainës në Ballkan, në të cilën u gjetën mbi dy tonelata drogë.

Tregon falsitetin e hetimit. Personi i panjohur Olsi Rama nuk u emërtua kurrë, ndonëse u fotografua, u filmua në të gjitha aktivitetet e klanit.

Dokumentari fakton se aktet ligjore, nënligjore të vendit, vendimet e qeverisë, lidhjet me krimin, në të dy anët e Adriatikut, Edi Rama ia ka besuar Engjëll Agaçit, këtij mafiozi të shpërlarë, të zhytur në krime, vjedhje dhe abuzime.

Dokumentari fakton se si vetingu u përdor për gjueti shtrigash. Se si u nxorën nga sistemi të gjithë ata burra dhe gra që guxuan të lëshojnë fletë arresti, të arrestojnë serial killerët, të arrestojnë bosët e bandave që ishin miq të qeveritarëve të sotëm.

Të gjitha këto në një dokumentar mjaftojnë për të rrëzuar tre herë një qeveri. Por kjo nuk ndodh, sepse kjo qeveri ka blerë mediat, ka blerë bandat, ka blerë me miliona e miliona, me korrupsion transnacional, McGonigal dhe kompani.

Ç’mbetet atëherë miqtë e mi? Mbetet të marrim fatin në dorë një minutë e më parë. T’i dalim fatit tonë për zot!

Të dashur miq!

Në Shqipëri krimi shndërrohet në votë. Në Shqipëri, krimi shndërrohet në lobim të fuqishëm. Shndërrohet në McGonigal. Në Shqipëri, krimi shndërrohet në karriget më të larta në pushtet.

Ndaj dhe kjo betejë që bëjmë, pavarësisht nga vështirësitë dhe rreziqet, është betejë epike. Është betejë shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Prokurorët që amnistuan Olsi Ramën, që fshehën dokumentet e kalimit 18 herë të kufirit me makinën e drogës. Që fshehën filmime e fotografime të tij në mbledhjen me Xhixhën, Gjonajn dhe Ermal Hoxhën, u shpërblyen. Njëri emërohet Prokuror i Përgjithshëm, tjetri për një votë do ishte Duman i përgjithshëm. Por ky është vetëm njëri aspekt.

Aspekti dramatik është se këtë drejtësi të inkriminuar si kurrë më parë, këtë drejtësi që iu mohon shqiptarëve të drejtën dhe ligjin, këtë drejtësi mburojë të krimit të organizuar dhe vjedhjeve qeveritare, kërkojnë t’ua shesin shqiptarëve si sukses. Kërkojnë t’ua shesin shqiptarëve si mirësi, sikur të mos jenë njerëz, sikur të mos jenë qenie njerëzore, por barngrënës.

Miqtë e mi!

CCdo ditë, çdo orë na fton të marrim në dorë fatin tonë.

Të premten, dita e shpëtimit të bashkisë, dita e çlirimit të bashkisë.

Të premten, Erion Veliaj jep dorëheqjen sepse gjyqin do ta bëjmë në sheshin Skënderbej.

Sikundër dua të paralajmëroj policinë, të heqë dorë nga metodat terroriste kundër demokratëve, rrëmbimit të tyre në tre pas mesnate nga shtëpitë e tyre. Marrjen e tyre peng rrugëve si banditë.

Ne nuk duam që qytetarët të përballen me policinë. Por në qoftë se ju shndërroheni në mercenarë të Taulant Ballës, Edi Ramës dhe Erion Veliajt, keni bërë zgjidhje të gabuar. Beteja jonë është me kriminelë si këta. Si Taulant Balla, Edi Rama, Erion Veliaj.

Ju duhet ta dini mirë se vërtet në burgje sot ka vrasës.

Vërtet në burgje sot ka trafikantë. Por trafikant më të madh se Edi Rama dhe Olsi Rama nuk ka në Shqipëri, as në Ballkan e as në Europë.

Vërtet në burgje ka hajdutë, ka plaçkitës, ka vjedhës.

Por plaçkitës, vjedhës, hajdutë si Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, Olsi Rama nuk ka Shqipëria, nuk ka Ballkani, nuk ka Europa.

Droga, vjedhjet dhe krimi po rrënojnë qenien tonë. Me drogën e Edi Ramës çdo shqiptar sot është më i varfër. Qindra mijëra vende pune u shkatërruan për shkak të rrënimit të eksporteve. Remitancat e emigracionit kanë humbur vlerën e tyre. Ata që pasurohen janë qeveritarët dhe trafikantët. Trafikantët dhe qeveritarët.

Ndaj dhe e premtja është dita e betejës fitimtare. Dita në të cilën Erion Veliaj do të nxirret për zverku nga bashkia. Dita në të cilën shqiptarët do të bëjnë betejën e tyre për kthimin e parave të vjedhura.

Për kthimin e dinjitetit të tyre. Për kthimin e ligjit. Për rikthimin e bashkisë qytetarëve të Tiranës.

Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, të lënë çdo gjë ditën e premte. Të shkurtojnë oraret, të bëjnë gjithçka se e premtja fitimtare do ua shpërblejë atyre 1 mijë herë, 10 mijë herë me të mira për ata dhe mbarë shqiptarët.

Duke u përshëndetur edhe njëherë përzemërsisht, uroj të premten, të gjithë te bashkia.

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco