Dy fjalë për miqtë perëndimorë

Dy fjalë për miqtë perëndimorë

17:11, 20/04/2024 Nga Grigels Muçollari
A+ Aa A-

Reagimi i qytetarëve, i grupimit “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” dhe i Opozitës, pas skandalit korruptiv në Bashkinë e Tiranës është jo vetëm legjitim, por disa shkallë më poshtë se sa brutaliteti me të cilin njerëzit më të besuar të Erion Veliajt kanë shpërdoruar besimin, detyrën, dhe kanë futur duart në taksat e qytetarëve.

Ajo çfarë vihet re për fat të keq, është se ende ka një lloj apatie tek njerëzit, të cilët kanë humbur besimin prej idesë së krijuar se Veliaj e Rama, edhe pse të shfaqur haptazi si përgjegjës të abuzimit, sërish nuk preken nga drejtësia.

Në këtë situatë, ajo që pritej më pak është që të dalin ambasadat kryesore partnere, që e duan Shqipërinë, në mbrojtje të një zyrtari të kapur në vjedhje.

Me qendrimin e tyre, ato kanë ngjallur një irritim të skajshëm në publik.

Si do të kishte qënë demonstrimi i qytetarëve në Uashington, në Bruksel, në Romë, Londër, Berlin a Paris, nëse kryetari i Bashkisë do të mbahej imun nga drejtësia, nuk do të hetohej, kur bashkëpunëtorët e tij kryesorë, të zgjedhur prej tij, me të cilët ka ndarë pushtet, do të ishin kapur duke marrë fonde publike në atë masë, e me aq harbutëri.

Ne e dimë këtë, s’kemi nevojë ta imagjinojmë. E dimë, sepse qytetarët europianë dhe amerikanë i kanë vënë zjarrin vendit, për më pak se kaq. Dhe sa herë që është parë arbitraritet, apo abuzim me pushtetin.

Përse ambasadorët e vendeve partneve e mike, mendojnë, dhe sugjerojnë se kjo gjë nuk duhet të ndodhë në Tiranë. Pse sugjerojnë ata se ne nuk duhet të reagojmë kur shohim një hajdutëri të këtyre përmasave, një shpërdorim të detyrës në këto nivele?

Ndërhyrja e tyre të premten për fat të keq i ka nxjerrë shumë të njëanshëm. Qendrimi i tyre është gati fyes, duke pretenduar se ne nuk jemi aq perendimorë sa ata, që të kthejmë përmbys një institucion kur kapet në flagrancë duke vjedhur paratë e qytetarëve.

Në situatën në të cilën ndodhemi sot, me demokracinë e cënuar nga autoritarizmi, me zgjedhje të pandershme e votë të manipuluar, me të gjitha pushtetet në një dorë, tek një njeri, qytetarët, njerëzit presin me të drejtë që të shohin tek ambasadat e vendeve mike një instancë ku mund të apelojnë, një garanci për të drejtat e shkelura e për dhunimin nga pushteti.

Në vend të kësaj, gjejnë dhe shohin, avokatë të qeverisë, avokatë të kryebashkiakut, avokatë të shtetarëve që e kanë klasifikuar Shqipërinë si një prej vendeve më të korruptuara në Europë.

Kështu, ata nuk e ndihmojnë vendin, nuk e asistojnë Shqipëirnë në sfidën më të madhe që ka përpara, që është korrupsioni.

Kjo është e padrejtë. Miqtë europianë, nuk kanë pse të kërkojnë të tjera parime e vlera në vendin tonë, të ndryshme nga vendet ku vijnë.

Perendimi ka luftuar për liritë e të drejtat, për transparencën e integritetin në qeverisje, më shumë se ne. Dhe ne, jemi në të drejtën tonë ta bëjmë këtë betejë.

Nëse nuk duan të mbrojnë qytetarët, të paktën të mos qendrojnë në anën e qeveritarëve të korruptuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco