AMT letër ndërkombëtarëve në Tiranë: E drejtë të revoltohen kur qeveria shkel ligjet

14:41, 20/04/2024
A+ Aa A-

Pas reagimeve të ndërkombëtarëve për protestën e së premtes para bashkisë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i ka dërguar letër të hapur përfaqësive diplomatike në Tiranë, duke shkruar se ajo çfarë ndodhi në protestë nuk krahasohet me çfarë ndodh në vendet perëndimore demokratike.

Aktivistët i konsiderojnë të pavend e të nxituara reagimet e ndërkombëtarëve, teksa nënvizojnë se është e drejtë legjitime e qytetarëve të revoltohen e të reagojnë me çdo mjet për të mbrojtur interesat e tyre, kur qeveria shkel ligjet.

 “Ajo që ju etiketoni si dhunë, nuk ishte asgjë në raport me ato çka ndodhin në vendet tuaja demokratike, prej të cilave ne kemi gjithmonë ç’të mësojmë. Është e drejtë e qytetarëve të revoltohen në çdo vend të botës, kur shohin, se politikat dhe politikanët janë në kundërshtim me interesat e tyre.”

Aktivistët rikthyen në vëmendje edhe shembjen e Teatrit Kombëtar, ku shprehen se pasi protestuan në mënyrë paqësore, morën si përgjigje nga qeveria shkatërrimin e teatrit, si dhe heshtjen e institucioneve ndërkombëtare.

“Duam të sjellim në kujtesën tuaj protestën tonë qytetare në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Protestuam në mënyrë shembullore, në mënyrën më paqësore për dy vjet e gjysmë, gjë e rrallë edhe në vendet tuaja me demokraci të konsoliduar. Cila ishte përgjigjja e pushtetit? Shkatërrim e dhunë e paparë, duke shkelur të gjitha ligjet kombëtare e ndërkombëtare. Nga ana juaj, jo vetëm që nuk u reagua, por përkundrazi, me heshtjen tuaj dhe në disa raste edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, ju u dhatë të drejtë dhunuesve shtetërorë, legjitimuat dhunën dhe ishit kundër protestuesve paqësorë.”

Teksa i konsiderojnë të pavend e të nxituara reagimet e ndërkombëtarëve, aktivistët shkruajnë se është e drejtë legjitime e qytetarëve të revoltohen e të reagojnë me çdo mjet për të mbrojtur interesat e tyre, kur qeveria shkel ligjet.

“Reagimin tuaj e gjejmë jo vetëm të pavend, por edhe të nxituar nga ana diplomatike dhe dy janë konkluzionet: o jeni hipokritë, o jeni dakordësuar me pushtetarët mafiozë shqiptarë, të cilët nuk kanë skrupuj të korruptojnë të gjithë ata, që i pengojnë në rrugën e tyre të pasurimit të paligjshëm dhe të mosrespektimit të ligjit.”

Aktivistët bëjnë me dije se protestat do të vazhdojnë, madje edhe më të ashpra, nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e politikës dhe organeve të drejtësisë, ndërsa ftojnë edhe ndërkombëtarët të bëjnë presion mbi pushtetarët që të reflektojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco