Balla e procedoi, Balliu ia kthen: Shihemi në protestën tjetër!

Balla e procedoi, Balliu ia kthen: Shihemi në protestën tjetër!

13:57, 20/04/2024
A+ Aa A-

Klevis Balliu, Sekretari Organizativ i PD, ka mësuar sot se është proceduar për pjesëmarrjen e tij në protestën e djeshme para bashkisë së Tiranës, por ky fakt jo vetëm që nuk i ka bërë përshtypje, por e ka nxitur të njodtojë se do të jetë në krye të protestës së ardhshme përpara bashkisë së Tiranës, të premten që vjen.

“Taulant Bego Yaris më paska proceduar pse protestoja kundër korrupsionit të Ndragetës, - reagoi Balliu në Fb kundër ministrit të brendshëm, socialistit Taulant Balla - Taulant Droga dhe Lal-Ndrageta duhet të dinë se ky presion i shëmtuar nuk funksionon. Më keni bërë mbi 500 procedime penale dhe jo vetëm që nuk më ndaluat, por më motivoni më shumë për të kërkuar drejtësi për shqiptarët. Shihemi të premten ora 11:00, ku do të jenë qytetarët kundër krimit dhe patjetër krimi do të humbë gjithmonë.”

Njoftimi i Policisë së Shtetit lidhur me figurat kyçe të opozitës, Belind Këlliçin, Flamur Nokën, Klevis Balliun, Tedi Blushin.

"Tiranë - Në lidhje me protestën e organizuar ditën e djeshme, më datë 19.04.2024, në orën 11.00, përpara Bashkisë Tiranë, thirrur nga Aleanca për Teatrin, e cila filloi në orën 11.00 me fjalime dhe përgjithësisht e qetë, në momentin që ka marrë fjalën shtetasi B. K., në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë, janë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike artizanale (molotov).

Pas kësaj një grup protestuesish, në drejtimin e shtetasve F. N., K. B., T. B., dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit "Skënderbej", dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis protestuesve dhe punonjësve të Policisë.

Pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Për përdorim të lëndëve piroteknike (molotov) janë arrestuar në flagracë shtetasit K. V., 18 vjeç, dhe B. M.,18 vjeç. Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve, të cilët kanë hedhur dhe kanë përdorur lëndë piroteknike (molotov). Për ushtrim dhune ndaj punonjësve të Policisë është arrestuar shtetasi F. K., banues në Lushnjë.

Janë proceduar ne gjendje të lirë shtetasit K. B., T. B., E. V., D. B. Po punohet për kapjen e shtetasve A. T., R. D., A. M., J. H., B. Z., B. Gj., E. P., dhe A. P. Gjithashtu janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e pamjeve për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale. Materialet procedurale do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco