Bashkia e Fierit krijon një kompani për menaxhimin e inceneratorit që nuk djeg

Bashkia e Fierit krijon një kompani për menaxhimin e inceneratorit që nuk djeg

22:33, 15/04/2024
A+ Aa A-

Këshilli Bashkiak i Fierit votoi pas dyersh të mbyllura krijimin e një kompanie publike që do të marrë përsipër menaxhimin e fushës së mbetjeve dhe inceneratorit jofunksional, ndërsa shkarkoi nënkryetarin nga opozita me pretendimin se “po filmonte mbledhjen”.

Me një praktikë të paprecedentë, ku medias dhe publikut iu mbyllën dyert, Këshilli Bashkiak i Fierit miratoi vendimin për themelimin e një kompanie publike, e cila pritet të menaxhojë mbetjet e qarkut dhe inceneratorin ende të papërfunduar të Fierit.

Mbledhja u shoqërua me tension dhe u pasua me shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit, Endri Jaupaj – një përfaqësues i opozitës. Motivacioni për këtë shkarkim ishte filmimi prej tij i mbledhjes së Këshillit Bashkiak, e cila duhet të jetë e hapur për publikun.

Sipas vendimit të miratuar me limitin e kuorumit të nevojshëm prej 31 votash, Bashkia e Fierit do të jetë aksionerja kryesore e shoqërisë me 51% të aksioneve. Në projekt-vendimin që BIRN e disponon thuhet se është e domosdoshme regjistrimi i shoqërisë me qëllim që kur gjyqi për inceneratorin të përfundojë, të bëhet kalimi te bashkitë. Por përfaqësues të opozitës akuzuan se ky ishte vijim i skandalit dhe se vendimi po merrej në errësirë, pa informuar Këshillin mbi situatën në të cilën ndodhej fusha e mbetjeve dhe i ashtuquajturi incenerator i Fierit.

“Ne kemi disa muaj që kërkojmë informacion mbi gjendjen e inceneratorit. Madje u kemi propozuar me shkresë zyrtare ngritjen e një grupi pune për të vlerësuar gjendjen e impiantit, pasi ky do të jetë vendi i grumbullimit të mbetjeve për gjashtë bashki. Na është thënë se nuk mund të bëhet një vlerësim i tillë, pasi është objekt nën sekuestro,” tha për BIRN Endri Jaupaj, nënkryetar i Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues i opozitës.

Kërkesa e Jaupajt dhe këshilltarëve të tjerë të opozitës u përball me indiferencë nga shumica. Kjo e fundit madje votoi një vendim shkarkimi për Jaupaj, të cilin ironikisht e akuzoi se po filmonte mbledhjen.

Jaupaj thotë se ky është një krim mjedisor dhe i hap rrugë aferave të tjera me paratë e taksapaguesve, ndërsa tenton të fshehë problemet e krijuara nga ndërtimi i të ashtuquajturit incenerator.

“Unë kam folur me zyrtarë të bashkisë, të cilët më kanë sqaruar se ajo që ne i themi landfill, në fakt janë katër gropa të cilat u ndërtuan me kapacitet të kufizuar dhe do të shërbenin për depozitimin e mbetjeve vetëm në raste emergjence, kur inceneratori të mos punonte dhe kjo për një periudhë kohe jo më shumë se gjashtë muaj”, tha Jaupaj. Ai tha se për shkarkimin e tij do të ankohej në gjykatë dhe e cilësoi vendim “hakmarrës”.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak pranoi shkarkimin e Jaupajt pasi sipas saj “ai po filmonte”.

“Satuti u miratua me 31 vota. Nënkryetarin Jaupaj e shkarkuam nga detyra e nënkryetarit sepse vazhdimisht në mbledhjet e këshillit bënte video dhe i shpërndante në Facebook,”, tha për BIRN kryetarja e Këshillit Bashkiak, Antoneta Çuni.

Çuni mohoi gjithashtu përgjegjësinë për mbledhjen me dyer të mbyllura. “Unë nuk di gjë për këtë, nuk e kisha idenë që media ishte jashtë. Unë menxhoj sallën e mbledhjeve, jo godinën e bashkisë”, shtoi znj Çuni.

Këshilltarë të tjerë të opozitës, përfshi ata të Partisë së Lirisë apo grupit të PD-së që njihet si “Rithemelimi”, kundërshtuan vendimin.

“Ne na u vendos përpara projekt statuti që e bën bashkinë zotëruese të 51% të aksioneve të inceneratorit, kur ky i fundit të përfundojë si investim. Deri tani, inceneratori nuk punon, por na u tha që shteti do investojë për ta vëne ne punë. Ne nuk e miratuam si këshilltarë të djathtë, por ata kanë shumicën e duhur për vendime të tilla,” tha Ilia Fili për BIRN, anëtar i këshillit që përfaqëson grupin e rithemelimit të PD.

Në një deklaratë për mediat menjëherë pas mbledhjes se Këshillit, kryetarja e grupimit të PD që drejtohet nga Lulzim Basha, Eriselda Çelaj ngriti një sërë pyetjesh që sipas saj nuk kanë marrë përgjigje, përfshi kostot e menaxhimit të mbetjeve, lejet mjedisore dhe kostot e incneratorit.

Por nënkryetarja e bashkisë e cilësoi procesin formalitet.

“Është vetëm regjistrimi i shoqërisë, akti i themelimit dhe regjistrimi. Ne nuk e marrim në dorëzim impiantin pa pasur një raport, por raportin nuk e hartojmë ne,” tha për BIRN Adela Hysenaj, nënkryetare e bashkisë së Fierit.

Vendimi parashikon që bashkia e Fierit do të kontrollojë si aksionere në shumicë shoqërinë që u pagëzua si “Shoqëria e trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Fier”. Sipas këtij vendimi, Bashkia Fier zotëron 50.78% të vlerës së aksioneve, në kapitalin themeltar të kësaj shoqërie, do të paguajë me 5.1 milionë lekë. Bashkia Lushnjë, zotëron 25% të vlerës së aksioneve, në kapitalin themeltar të kësaj kompanie, me vlerë 2.5 milionë lekë. Bashkia Patos, zotëron 7.03% të vlerës së aksioneve, me vlerë 700 000 lekë. Bashkia Roskovec, zotëron 5.47% të vlerës së aksioneve, me vlerë 500 000 lekë. Bashkia Divjakë, zotëron 7.03% të vlerës së aksioneve, me vlerë 700 000 lekë. Bashkia Mallakastër, zotëron 4.69% të vlerës së aksioneve, me vlerë 500 000 lekë.

Në vendim thuhet se për ta zbatuar atë do duhet të pritet gjykata. “Aktualisht Impianti i Përpunimit të mbetjeve Urbane te Qarkut Fier, është i sekuestruar dhe administrohet nga ana e Agjensisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe KonfiskuaraTiranë (AAPSK), mbi bazën e Vendimit nr 134 dt.28.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për administrimin e shoqërisë së sekuestruar “Integrated Technology Waste Treatment Fier”sh.p.k”, thuhet në vendim.

Afera e inceneratorëve, në Tiranë, Fier dhe Elbasan, u ka kushtuar deri më sot taksapaguesve shqiptarë rreth 150 milionë euro, ndërsa një numër i lartë zyrtarësh publikë janë nën akuzë ose janë shpallur fajtorë për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist, Alqi Bllako si dhe tre administratorët e kompanive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë dënuar për disa vepra penale të lidhura me aferën e inceneratorëve, ndërsa ish.zv.kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në arrati. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco