SYRI TV/ Zgjedhjet e parlamentit të BE më 9 qershor, kandidatura e Belerit pritet me duartrokitje

20:56, 15/04/2024
A+ Aa A-

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës Fredi Beleri është zyrtarisht kandidati i Demokracisë së Re për deputet në Parlamentin Europian. Partia e Kryeministrit grek Kiriakos Mitsotakis ka prezantuar listën e kandidatëve për eurodeputetë përpara zgjedhjeve europiane të 9 Qershorit. Mes 42 emrave është dhe Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës i cili është i dënuar me dy vite burgim nga Gykata e shkallës së parë për korrupsion në zgjedhje.

Shpallja e kandidaturës së Belerit ishte një simbolikë domethënëse dhe shkaktoi duartrokitje në mesin e përfaqësuesve më të lartë të Demokracisë së Re, partia e cila qeveris Greqinë.

Të pranishëm ishin edhe i vëllai Leonardos Beleri dhe djali i tij. Gjatë eventit po ashtu ka mbajtur fjalën Pirro Dhima, kampion olimpik, i cili iu drejtua djalit të Belerit duke i thënë “Petro, babi do të dalë i pafajshëm”.

Beleri është shprehur për prestigjozen greke Protothema se beteja që po lufton nuk është për veten por demokracinë dhe vlerat perëndimore.

 “Falenderoj Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis për mbështetjen e vazhdueshme që më ka ofruar gjatë gjithë këtyre muajve. Beteja që po bëj nuk është personale. Është betejë për shtetin ligjor dhe demokracinë, rregullat e së cilës duhet të respektohen nga të gjithë. Është një betejë për pjesën më të vuajtur të helenizmit, minoritetin grek të Shqipërisë” tha Beleri.

Proçesi ndaj zotit Beleri ka çuar në përplasje të forta diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Opozita shqiptare por edhe Athina zyrtare kanë deklaruar se proçesi ndaj Belerit është motivuar politikisht dhe lidhet me pronat në Bashkinë e Himarës. Beleri u arrestua vetem 2 dite para zgjedhjeve te 14 majit nderkohe qe gjate fushates u perballe me nje seri sulmesh e denigrimesh nga ana e Kryeministrit Rama. 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco