VIDEO/ Dy vite pa galeri arti, 1 miliard lekë të çuara dëm?

20:53, 29/03/2024
A+ Aa A-

Duket se qeveria aktuale e ka kthyer ne një sport te preferuar fshirjen e çdo memorieje që na lidh me historinë, traditën dhe kulturën.

Teatri Kombëtar u prish, cirku po ashtu. Teatri i Kukullave është prej kohësh në restaurim, Biblioteka Kombëtare ka degraduar, Muzeu Historik sapo ka nisur të rikonstruktohet, po me Galerinë Kombëtare të Arteve,  çfarë po ndodh?

Ky monument kulture qe duhej te ishte një pike takimi e artisteve te arteve pamore, ka më shumë se dy vite që qëndron i mbyllur. Por le ta nisim nga fillimi.

Në shtator të vitit 2018 Ministria e Kulturës hapi tenderin për projektin e restaurimit, rikonstruksionit dhe rehabilitimit të Galerisë Kombëtare të Arteve, me fond limit 125 milionë lekë pa TVSH,  i cili u fitua nga studioja e arkitekturës ‘Atelier 4’

Nga një studim që ne i kemi bërë projektit të studios ‘Atelier 4, rezulton se propozimet nuk konsistojnë vetëm në ndryshimin e hapësirave të brendshme të monumentin, por edhe në fasadë. Edhe pse kjo e fundit ishte një ve çori e kësaj godine të ndërtuar në vitin 1974.

Pra një Këshill, i cili ka si mision ruajtjen e trashëgimisë kulturore vendosi papritur të fshijë identitetin e një godine historike?

Përtej këtij skandali, një fakt tjetër i rëndësishëm dhe aspak për t’u krenuar është se prej më shumë se dy vjetësh kryeqyteti është pa institucionin e vetëm që promovon artin  dhe ekspozitat.  

Në prill të vitit 2021 hapet tenderi për rehabilitimin e Galerisë Kombëtare me fond limit 10.8 milion euro dhe fitohet nga këto kompani  ( 4-AM , K.A.E.XH  dhe IMAGE DEVELOPMENT),  me vlerë kontrate 10.2 milionë euro. Në datën 8 korrik të 2021 lidhet kontrata dhe i hapet rrugë nisjes së punimeve, ku u la një afat përfundimi prej 24 muajsh.

Pra, sipas kontratës në verën e vitit 2023, Galeria duhet të mirëpriste artdashësit.

Në realitet, punimet, jo vetëm që nuk janë përfunduar, por sot, gati një vit më pas, janë ende në fazën fillestare.

Për të kuptuar arsyet e kësaj zvarritjeje të punimeve, iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Kulturës, e cila në përgjigjen e saj na shkruan se në dhjetor të vitit 2023, kishte firmosur një shtesë kontrate me kompanitë fituese. 

Pra, 6 muaj pas përfundimit të afatit të punimeve, Ministria qenka kujtuar të bëjë një marrëveshje shtesë. Asgjë për t’u habitur në fakt, pasi kjo është një praktikë e njohur tashmë, ku përfituesi i vetëm është operatori i kontraktuar, të cilit përveç parave I ofrohet edhe komoditet në zhvillimin e punimeve.

Përtej tjetërsimit të fasadës historike dhe përtej lënies se vendit pa galerinë e vetme kombëtare duke zvarritur pafund punimet, qershia mbi këtë tortë të hidhur është shuma që do të përfitojnë kompanitë e kontraktuara. Plot 2,55 milion euro te tjera.

Sipas informacioneve tona, në Galerinë e Arteve,  edhe pse janë hedhur këto shuma të pajustifikuara parash në projekte, kontrata dhe shtesa kontratash, ka patur probleme të rënda të strukturës, të cilat duhet të ishin zgjidhur që në nisje të projektimit  të restaurimit. Por me sa duket kompanive kontraktore u ka interesuar vetëm paraja, sepse fundja 125 milionë lekë për një projekt nuk janë aq keq.

Si praktikë, nëse ka gabime gjate kryerjes se punimeve nga zbatuesi kjo shkelje konstatohet nga mbikëqyrësi, nëse ka gabime nga projektuesi firmoset nga mbikëqyrësi.

Në varësi të gabimit të njërës palë, përgjegjësinë e mban ai që ka bërë gabimin, por në këtë rast jemi te zënë ne çark. Sepse, paradoks ose jo, mbikëqyrëse e punimeve është e njëjta firme që ka bërë edhe projektin: Atelier 4, e cila me dy kontrata qe ka kapur, është përfituesja me e madhe e kësaj afere qe ka renduar jo pak xhepat e shqiptareve.

Ndërkohe, lajmi për qytetarët që duan artet pamore, është se Galeria e Arteve do të hapet në tetor të vitit 2025. Nëse do te hapet.

Lidhu me këtë situatë Ministri i Ri i Kulturës, Blendi Gonxhja sqaroi se nuk e ka ende informacionin e duhur se perse punimet po zvarriten, por premtoi se do t’i japë prioritet këtij projekti.

EMISIONI I PLOTE

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco