Letër nga burgu/ Jorgo Goro i bën shërbimin e fundit Edi Ramës

Letër nga burgu/ Jorgo Goro i bën shërbimin e fundit Edi Ramës

09:09, 28/03/2024
A+ Aa A-

Tani që është në burg, një deklaratë nga Jorgo Goro i vlen më shumë Edi Ramës, se sa kur ky shtynte ditët kot në Himarë, si humbës i bashkisë. Në fakt, që kur doli lajmi i arrestimit, burgosja e Goros shërbeu menjëherë si alibi e shumicës se drejtësia e re vepron e pavarur.

Por në një letër ku shpall dorëheqjen, minoritari grek i arrestuar Jorgo Goro është bërë akoma më i vlefshëm për partinë, pasi jo vetëm nuk kundërshton përdorimin politik të prokurorisë, por i jep zë anti-tezave që ngre minoritari tjetër i arrestuar, Fredi Beleri, për lirimin e të cilit është angazhuar fort Greqia.

Nëse minoritari grek Fredi Beleri ka shpresë se liria do t’i vijë nga presioni grek dhe denoncimet e Athinës në Bruksel, minoritari tjetër grek Jorgo Goro bën të kundërtën.

Nga qelia e burgut, ai tenton ta shuajë konfliktin që është ndezur mes Greqisë dhe Shqipërisë. “Himara u kthye në mollën e një konflikti politik absurd në nivelet më të larta mes dy shteteve” shkruan ai në letrën e tij.

“Himara është shumë e vogël për t’u bërë mollë sherri mes dy vendeve fqinje”, këmbëngul Goro, që duket se e ka merak t’i japë të drejtë prokurorisë për arrestimin e kundërshtarit të tij politik.

Kështu, në letrën e dorëheqjes para se të trajtojë fatin e tij persona, Goro denoncon blerjen e votave në Himarë“me lloj-lloj marifetesh, listat e asistencave dhe bursave matanë kufirit, kërcënimet me heqjen e letrave të qëndrimit andej për të sjellë votues që kishin ikur nga Himara fëmijë dhe s’kishin shkelur më, pagesat me listë për blerje votash”.

Madje, aq i shqetësuar ka qenë për konfliktin Athinë-Tiranë, saqë Goro në letrën e tij thotë se ka heshtur për manipulimin e zgjedhjeve. “Nuk kisha as si të flisja dhe t’i hidhja benzinë një zjarri përçarjeje që përfshiu mediat e Athinës dhe Tiranës dhe arriti deri në Bruksel. Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë”, shkruan ai.

Në letër, ish-kryebashkiaku lë për në fund fatin e tij personal. Por kur flet për akuzat e prokurorisë, shfaqet edhe një herë tjetër si antipod i minoritarit Beleri, në mënyrën se si interpreton arrestimin. Ndërkohë që Beleri e denoncon si burgosje politike me urdhër direkt të Edi Ramës, Jorgo Goro vërtet nuk bie dakort, por e sheh si akt të institucioneve të gjyqësorit, me të cilat do të përballet me fakte në gjykatë.

“Po ndërkohë nga fundjava që sapo kaloi jam në një situatë absurde me drejtësinë për një faj që nuk e kam bërë. Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për “falsifikim” dokumentash që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral” shkruan ish-kryebashkiaku.

Fill pas publikimit të letrës, Jorgo Goro u dërgua në spital pas probleme që kishte pasur me tensionin dhe me zemrën. Kryebashkiaku akuzohet se nuk ka kontrolluar dokumentat e falsifikuara me të cilat një banor i Himarës i shiti tokën Artan Gaçit, miku i vjetër i kryeministrit Rama. Manipulimi u denoncua nga Fredi Beleri, për të cilin Greqia është angazhuar në një betejë diplomatike. Por me qëndrimin që ka mbajtur, Jorgo Goro i ka dhënë Edi Ramës një alibi që mund të përdoret më së miri përballë Greqisë. Jo vetëm si socialist i arrestuar në detyrë nga SPAK, por edhe si minoritar që nuk pranon të thërrasë në ndihmë Greqinë, por mban burgun me besimin te drejtësia dhe te partia./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco