Lindita Nikolla sorollat edhe opozitën për çështjen e mandatit të Xhaçkës

Lindita Nikolla sorollat edhe opozitën për çështjen e mandatit të Xhaçkës

20:25, 26/03/2024
A+ Aa A-

Pas kërkesës së Bardhit për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për çështjen ‘Xhaçka’, kryeparlamentarja Nikolla bën një interpretim kompetencash, pa dhënë një përgjigje se kur do t’i japë zgjidhje zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nga Blerina Gjoka-BIRN

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla refuzoi të martën përmes një letre kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve për të vendosur mbi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Bardhi kërkoi të hënën mbledhjen e Konferencës për të vendosur futjen për votim në seancën më të afërt të mocionit të opozitës për interpretimin e mandatit të deputetes socialiste dhe dërgimin e tij në Gjykatë Kushtetuese.

Në përgjigjen e saj, Nikolla pretendon se kjo çështje nuk është kompetencë e Konferencës së Kryetarëve, por e organeve të tjera të Kuvendit, përkatësisht e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

‘Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do ta marrë në shqyrtim raportin dhe në bazë të pikës 7 të këtij neni, pas përfundimit të diskutimeve, Këshilli i paraqet Kryetarit raportin, i cili përmban të gjitha qëndrimet për çështjen. Raporti i përcillet seancës plenare brenda dy javëve nga përfundimi i shqyrtimit të çështjes,’ thuhet në letrën e Nikollës.

Kjo përgjigje duket se është vetëm një nga mekanizmat e shumtë që mazhoranca ka përdorur prej më shumë se një viti për të zvarritur pa afat zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili detyron Kuvendin të dërgojë në këtë gjykatë për interpretim mandatin e Xhaçkës, sipas kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës.

Qëndrimi i Nikollës në letrën dërguar Bardhit bie gjithashtu në kontradiktë me qëndrimin e mëparshëm të kabinetit të saj në një komunikim me BIRN-in për këtë çështje gjatë muajit tetor.

 ‘Konferenca e Kryetarëve do të vendosë datën e shqyrtimit dhe brenda 2 javëshit të parë të nëntorit, Këshilli i Rregullores dhe Mandateve do të marrë një vendim,’ tha në tetor shefi i kabinetit të Nikollës, Kosta Barjaba.

Mandati i Xhaçkës u kthye në objekt diskutimi pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi përfitoi statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një hotel në Dhërmi ndërsa një vendim qeverie i dha atij të drejtën që të përdorte brigjet e detit përballë hotelit.

Opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese dhe në janar 2023, kjo gjykatë rrëzoi si antikushtetues një vendim të Kuvendit për të mos e dërguar çështjen Xhaçka në Kushtetuese – por zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej më shumë se një viti.

Procedura parlamentare për zbatimin e këtij vendimi ka ngecur prej muajsh në zyrën e Nikollës, por ajo e ka justifikuar mosveprimin e saj me arsye të ndryshme, që nga axhenda e ngjeshur deri tek mungesa e normalitetit në Kuvend.

Në letrën dërguar Bardhit, Nikolla i referohet një raporti të miratuar vetëm me votat e shumicës në Këshillin e Legjislacionit, i cili rekomandon që zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim me praktikën e mëparshme parlamentare që kalonte direkt në seancë plenare, të rikthehet në pikën zero të diskutimit në Këshillin e Mandateve.

Por, kryeparlamentarja nuk sqaron se pse ajo nuk e ka thirrur deri më sot mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ndërkohë që raporti të cilit i referohet i është dorëzuar që në muajin korrik.

Ligjërisht, Këshilli i Mandateve kryesohet nga Kryetari i Kuvendit dhe shqyrton rastet e pazgjedhshmërisë, sipas nenit 69 të Kushtetutës, si dhe bën verifikimin e mandatit të deputetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco