Dhuna e Ramës ndaj gazetares Ambrozia Meta/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: U cenua integriteti fizik i saj

Dhuna e Ramës ndaj gazetares Ambrozia Meta/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: U cenua integriteti fizik i saj

13:22, 19/03/2024
A+ Aa A-

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi pas dhunës së kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares së SYRI TV, Ambrozia Meta.

“Prekja fizike e gazetares është cënim i Kodit të Etikës dhe i integritetit fizik, zoti Kryeministër!” thuhet në deklaratën e tyre.

Rama dhunoi gazetaren pasi nuk i pëlqyen pyetjet e saj. Kjo nuk është hera e parë që ai përdor dhunë verbale ndaj Ambrozia Metës.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Prekja fizike e gazetares është cënim i Kodit të Etikës dhe i integritetit fizik, zoti Kryeministër!

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj replikave të Kryeministrit Edi Rama me gazetaren Ambrozia Meta, e cila në të drejtën e vet profesionale këmbëngulte për një përgjigje konkrete prej kryeministrit, në konferencën për shtyp me gazetarët në datën 19 Mars 2024.

Kryeministri jo vetëm që nuk jepte një përgjigje konkrete për pyetjen specifike, por me një gjuhë replikuese dhe nga pozita e edukuesit moral shmangej nga detyrimi për të dhënë një shifër konkrete për përfitimet e mundshme publike prej njerit nga projektet më të mëdha në fushën e turizmit shqiptar.

Refuzimi dhe shmangia e Kryeministrit për përgjigje konkrete u bashkëshoqërua me një gjuhë intimiduese dhe me cenim të etikës, deri në cenim të integritetit fizik të gazetares.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj këtij momenti dhe shpreh solidaritetin me kolegen Meta, e cila spikat si reportere kurajoze në kërkim të fakteve dhe të dhënave që synojnë transparencë publike dhe llogaridhënie prej qeverisësve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco